Sociale
Drejt Punës

‘Një nga ne’ / Dita e Ziso Mushës në Portëz të Fierit: Kam 50 vite që gdhend drurin, porositë më vijnë nga SHBA dhe Kanadaja

25 Qershor, 21:23| Përditesimi: 25 Qershor, 21:49

  • Share

Prej gjysmë shekulli, Ziso Musha i ka qëndruar besnik artit të gdhendjes së drurit. Ora 7 e mëngjesit, e gjen çdo ditë në punishten e tij në Portëz të Fierit, mes aromës së drurit dhe zhurmës së makinerive. Ka dalë në pension, por pasioni e mban ende të lidhur me këtë zanat.

“Kur isha 7 vjeç, rrija tek veglat e punës, tek dërrasat. Ky është një profesion shumë i mirë, mban familjen, je i qetë, ke punën tënde. Unë kam filluar nga zero. Njeriu duhet të jetë këmbëngulës dhe duhet t’i futet një profesioni, atë që dashuron. Atje do të japë rezultate.”, tregon mjeshtri fierak.

Vendodhja nuk e ka penguar në gjetjen e klientelës.

“Fieri ka të huaj, por më vijnë dhe klientë të orientuar nga piktorë apo skulptorë që lëvizin në Shqipëri edhe kërkojnë punime druri. Punët e mia kanë vajtur në Kanada, SHBA, Greqi.  Më ka bërë përshtypje një francez. Ka blerë 3 herë tek unë. Herën e 3-të më tha që duhet të punoj më shumë, që jam pak dembel. Kjo sepse më ka blerë 13 punë herën e parë, 7 herën e dytë ndërsa herën e fundit 3 punë. Kërkonte edhe punime të tjera”, thotë mes të tjerash.

Zanatin e ka trashëguar tek të dy djemtë. Sipas tij duhet një periudhë e gjatë për t’u quajtur profesionist në këtë drejtim.

“Unë e dalloj cilësinë e drurit me të trokitur. Me një përvojë 5 vjeçare nuk bëhesh marangoz. Nuk është kollaj dhe habitem me ata të rinj që marrin përsipër punë të vështira.”, shprehet Ziso.

Emisionin “Një nga ne”, mund ta ndiqni çdo të mërkurë, ora 20:00 në ekranin e Report Tv.

K.M/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se rinumërimi i pothuajse gjysmës së votave është farsë e kotë?