Drejt Punës

'Një nga ne'/ Habit studenti 71- vjeçar! Zbulon dietën që e mban larg ilaçeve: Nuk pi ujë, ha vetëm fruta dhe perime

9 Prill, 21:00| Përditesimi: 9 Prill, 21:19

  • Share

“Ushqimet tuaja duhet të jenë ilaçet tuaja”. Është pikërisht kjo thënie e Hipokratit që ka ndryshuar rrugëtimin e Ylli Gramatikut, 71 vjeçari që u shërua përmes ushqimit.

“Në vitin 2010 hapa një fermë në Petrelë me mendimin që do prodhoja ushqime bio. Unë ushqehesha bio deri në vitin 2015 me ushqime gjithçkangrënëse.

Pas disa vitesh unë përfundova i sëmurë me tension të lartë. Atëherë e kuptova që nuk është vetëm ushqimi bio, por edhe lloji tij. Nuk më pëlqeu ajo situatë që duhet të rrija gjithë jetën me ilaçe nëpër duar dhe fillova të kërkoj rrugët për të dalë nga kjo gjendje”, shprehet Ylli teksa shton se frutat dhe perimet ishin zgjidhja e duhur.

“Më para aplikoja dietë vegjetariane ku futeshin legume, fasulet dhe pak fruta. Nuk ishte optimale ajo lloj diete. Pas shumë lëvizjesh në dieta, duke ndërruar hap pas hapi mënyrën e të ushqyerjes zgjodha dietën frutariane. Kjo dietë përfshin një kombinim të frutave, agjërim periodik dhe shumë pak perime jeshile dhe pak arrore”, tha ai. 

Dieta që zgjodhi e mban larg ilaçeve.

“Në mirëmbajtjen e shëndetit rol kryesor ka ushqyerja jo ilaçi. Ky i fundit shërben për të kapërcyer situatën akute ose emergjente, por nuk mund të jetë një zgjidhje e vazhdueshme”, tha ai.

Rutina e tij nuk ngjason aspak me atë të bashkëmoshatarëve. Është në përfundim të masterit në UBT, punon në restorant dhe jep falas këshilla nutricioni.

“Kam mbaruar fakultetin e inxhinierisë mekanike në 1977. Punova rreth 16 vite në profesionin e inxhinierit dhe me hyrjen e demokracisë ndërrova profesion hapa një restorant. Kam 30 vite eksperiencë në fushën e ushqimit e cila më ka ngritur shumë edhe nga ana ekonomike, por edhe për shëndetin. Rastësisht mësova që ka dhe një fakultet Bioteknologji dhe Ushqimi që merret kryesisht me teknologjinë e ushqimit dhe me ushqyerjen në veçanti.

U interesova me një pedagoge dhe ajo më sugjeroi që kishte një master Nutricioni ndaj u regjistrova dhe fitova. Kur fillova fakultetin në moshën 69 vjeçare pata nostalgji për vitet e mia të rinisë”, tregon Ylli.

Librat e ndihmuan në rrugën drejt shërimit.

“Ndoshta mund të jem i vetmi që futem të studioj në këtë moshë, por për mua nuk ka rëndësi fare sepse moshën nuk e ndjej në kurriz. Në përgjithësi njerëzit i vënë kufizime vetes. Unë mendoj që derisa të jem në këtë botë, do të jem gjithmonë aktiv për veten time, për familjen, për biznesin tim.

Që në fëmijërinë time kam lexuar libra për shëndetin. Dijet e mia kanë ardhur gradualisht duke u përmirësuar. Duke u futur në fushën e ushqimit detyrimisht do mësoj diçka më tepër. Jam vazhdimisht në kërkim të më të mirës. Nuk i kam regjimet fikse, nuhas që diçka duhet ndryshuar dhe e ndryshoj”, tha ai.

Kërkon kohë zbatimi i një diete të tillë. Gjithashtu është e nevojshme konsulta me mjekë.

“Nuk e rekomandoj asnjëherë kalimin në një dietë frutariane në mënyrë të menjëhershme, do kohën e vet. Mund të dojë 6 muaj, por edhe një vit që ta kapërcesh këtë situatë. Çdo sëmundje shërohet në bazë të një ushqyerje të shëndetshme”, tha ai. 

Shumë nutricionistë rekomandojnë 2 litra ujë në ditë, por jo Ylli. Tregon se nuk e ndjen të nevojshme të pijë ujë për shkak të dietës frutariane.

“Ujin që ka nevojë organizmi e marr nga frutat dhe perimet jeshile. Nuk ndjej nevojë për ujë, kam vite pa pirë. Kush ndjek dietën frutariane, shumë rrallë mund të pijë ujë. Jam gjithë ditën aktiv nga mëngjesi deri në darkë. Zero problem shëndetësor, shumë aktivitet dhe shumë energji. Nuk di çfarë është gripi apo e ftohura, as dhimbja e kokës.”, thotë mes të tjerash.

Emisionin “Një nga ne”, mund ta ndiqni çdo të mërkurë, ora 20:00 në ekranin e Report Tv.

S.B/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet t'u jepet mundësia prokurorëve të SPAK të rikandidojnë?