ELBASAN-Është 78 vjeç, por vijon ende të farkëtojë hekurin pasi pensioni nuk i mjafton.
Pas humbjes së të birit në aksident, zhurma e çekiçit është melodia e vetme që dëgjon në ofiçinën e Kostandin Qoses në Tregan të Elbasanit, ndonëse më herët nuk mungonte në asnjë aheng të fshatit.
“Nga ’70-’96 kam punuar në ahengje, ikja nëpër dasma, festivale. Nuk kam lënë cep pa shkuar në dasma: Berat, Durrës, Lushnje, në zonën e Shpatit. Ishte dasma 3 ditë në atë kohë. Në ’96 m’u vra një djalë në Greqi dhe e hoqa gërnetën. 18 vjeç djalë, ishte talent për çdo gjë. E shtypi treni, e zuri gjumi tek shinat e trenit në Patër.
Shumë e vështirë, derisa mblodha mendjen. Iku, iku! S’të bën zemra asnjë gjë tjetër, vetëm se kur punon, harron. E marrin dashurinë kalamajtë e tjerë, sidomos nipërit dhe mbesat”, tregon 78 vjeçari në emisionin “Një nga ne” teksa shton se më shumë se gjysmë shekulli punon si kovaç.
Kam 55 vite që nuk e kam ndërprerë punën. Të rrallë janë kovaçët. Në Elbasan ka, por këtej në Tregan jo. Kërkon forcë si zanat, por deri më tani e kam pasur forcën. Të mëson eksperienca. Zanatin duhet ta vjedhësh, nuk është me të mësuar”, thotë ai.
Persona të moshës së tretë po mbajnë gjallë zanatet e harruara.
“Pensioni më doli 140 mijë lekë. Po ilaçe, për të ngrënë dhe për të pirë... Vëllai i sëmurë 100 mijë lekë merr, nusja 150 mijë. Zanati më ka mbajtur, po të mos ishte ky nuk do ia dilja. Në punë ndjej kënaqësi, e kam pasur në gjak. Nuk kam kënaqësi të rri me pushime. Për mua nuk është e mundimshme kjo punë, më ngjan e ëmbël, e dashur. Më dhimbset shumë po ta lë. Vetëm po vdiqa, nuk e kap më. Po qeshë gjallë, jo nuk e lë.
Më parë nuk kishe kohë të haje bukë nga punët”, pohon Kostandini ndërsa sot puna është e pakët. Pa vegla nuk shkonte tek toka ai, pa sëpatë, pa kazmë, apo pa lopatë. Tani ka shumë rrallë kërkesa, është fukarallëk shumë fshati.
Kushedi sa fabrika, uzina, kombinate kishte në kohën e Enver Hoxhës. Pa bukë s’të linte, pa zanate dhe pa shkollë s’të linte. Ka qenë më i kujdesshëm ai sesa këta. E kanë çuar popullin këta në mjerim. Fitimi varet sipas njerëzve, nga 20 mijë lekë dita, 15 mijë, 5 mijë ose hiç fare si sot. Bëj edhe punë pa lekë për shoqërinë”, thotë Kostandini.
Historia e Kostandinit është kujtesë e fuqishme që edhe përballë tragjedisë mund të gjejmë mënyra për t’u shëruar dhe për të ecur përpara.
Emisionin “Një nga ne” mund ta ndiqni çdo të mërkurë, ora 20:00, në ekranin e Report Tv.
Komente
