Sociale
Drejt Punës

'Një nga ne'/ Mes mësimdhënies dhe krijimtarisë, njihuni me artisten që ruan kujtimet në rezinë: Bashkëshorti, mbështetja ime më e madhe!

16 Korrik, 22:09| Përditesimi: 16 Korrik, 22:14

  • Share

E rritur në një familje artistësh, Ina Kadëna zgjodhi të ndjekë po të njëjtën rrugë, fillimisht në Universitetin e Arteve dhe më pas duke eksploruar rezinën, një material jo shumë i njohur për vendin tonë.

"Tirana është qyteti ku kam rritur jo vetëm fëmijët e mi, por edhe ëndrrat e mia. Çdo cep i Tiranës më kujton përpjekjet, momentet e lodhjes dhe fitoret e vogla që më kanë bërë të ndihem pjesë e këtij qyteti.

Erdha si studente në vitin 2010 në Universitetin e Tiranës dhe u diplomova në degën Kostumografi dhe Skenografi. U riktheva përsëri dhe dy vitet e tjera u diplomova për Mësuesi. Babai im më ka nxitur që të studioj për arte ndërsa motra ime më ka shoqëruar gjatë gjithë rrugëtimit tim artistik sepse ne jemi diplomuar vetëm me dy vite diferencë nga njera-tjetra në këtë Universitet", kujton Ina fillimet e saj.

Në këtë rrugëtim artistik nuk ka qenë vetëm. Bashkëshorti i saj ka qenë mbështetësi kryesor, duke e ndihmuar në çdo hap, nga përkujdesja për fëmijët dhe deri te ndihma për të hapur një studio të vogël ku punon me rezinën.

"Mbështetja ime më e madhe në këtë rrugëtim është bashkëshorti im. Me rezinën ti mund të përjetësosh gjithçka. Brenda saj mund të fusësh lule, objekte të dashura, gjithçka që do të kishe dëshirë ta ruaje përjetë.

Është një lloj materiali që nuk mund ta kontrollosh sepse është material shumë sfidues dhe këtu qëndron bukuria e saj. Jam e sigurt që krijimtaria ime do të më drejtojë në rrugën e duhur, prandaj nuk po bëj asnjë plan. E rëndësishme është që të bëj gjëra që të kenë kuptim, që të prekin dikë dhe të lënë një dritë diku", shprehet nëna e dy fëmijëve.

Ajo ka arritur te gjejë një ekuilibër mes përditshmerisë së vrullshme dhe qetësisë që të fal bota e ngjyrave në studio. Përveç kohës me fëmijët dhe krijimtarisë, momentin më magjik cilëson punën me nxënësit në shkollë.

Si është dita e saj mes mësimdhënies dhe punimeve me rezinë? Mund ta zbuloni duke klikuar videon e emisionit të plotë.

Një nga ne transmetohet çdo të mërkurë, në orën 20:00, në ekranin e Report Tv.

K.M/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Përplasja mes Lapajt e Shabanit për mandatin, kush mendoni se ka të drejtë?