Sociale
Drejt Punës

'Një nga ne'/ Nga skena në det, Llazar Pove tregon ditën plot aventura: Përveç publikut, kam peshqit spektatorë në Seman

4 Tetor, 14:23| Përditesimi: 4 Tetor, 14:45

  • Share

Është një nga themeluesit e këngës qytetare fierake, një emër i njohur për Fierin, pjesë e gëzimeve familjare dhe festave në këtë qytet. Bëhet fjalë për Llazar Poven, i cili sot ka dalë në pension, por nuk ka lënë pas dore as skenën dhe as pasionin për peshkimin.

"Kam martuar dy breza fierakësh", thotë me krenari artisti i cili ka lënë gjurmë në jetën kulturore të Fierit.

"Më njohin si Llazin e këngës qytetare, Llazin e peshkimit dhe të dasmave. Them që më njohin për mirë, ia lëmë në dorë atyre", tregon me buzëqeshje.

E presin provat për koncertin e radhës. Grupi ka pësuar transformime në 3 vitet e fundit. Llazi është më i vjetri që qëndron ende dhe jep kontributin e tij.

"Grupin e ri e kemi pagëzuar me emrin "Na bashkoi kënga qytetare fierake" sepse do performojmë nga të gjitha trevat e muzikës. Kemi marrë çmime shumë të rëndësishme si psh. në Elbasan kemi marrë çmim të parë në festivalin që bëhej në rang kombëtar, po ashtu morëm çmimin e parë në Prizren.

E mira e këtij grupi është që janë djem jashtëzakonisht të talentuar, të shkolluar dhe performojnë në mënyrë të shkëlqyer. Ndihem krenar që jam pjesë e këtij grupi, madje ndihem i privilegjuar. Nuk ka qenë e thjeshtë për ta mbledhur prap këtë grup sepse duhet të vinim në një balancë me grupin e parë që ka bërë goxha emër dhe këta çuna do të ishin pasuesit e tyre, sepse unë jam më i vjetri", tregon 71-vjeçari.

Nuk është shkëputur në asnjë moment nga muzika, por edhe nga peshkimi me pushkë, i cilësuar si sport ekstrem.

"Detin e zotëroj mirë. Ndjesia që të jep ky sport kur zhytesh është një relaks i paparë. Është antistres, një mrekulli e vërtetë. Po u zhyte njëherë dhe pe bukurinë e detit, nuk ke për t'u ndarë asnjëherë. Muzika dhe peshkimi kanë ecur paralel. Po t'i ndërlidhësh të dyja, adrenalinën këto e kanë të përbashkët. Kur ti performon në skenë del para publikut, të cilët të duartrokasin dhe të duket vetja person i rëndësishëm, të njëjtën adrenalinë e ka deti. Deti ta jep pa spektatorë këtë adrenalinë. Je ti, deti dhe peshqit", shprehet Llazi.

Po cilën do zgjedhë mes të dyjave? Ndiqeni emisionin e plotë në linkun e mësipërm.

Emisionin "Një nga ne" mund ta ndiqni çdo të shtunë, ora 13:00 në ekranin e Report Tv.

Xh.K/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë pa pritur Kushtetuesen për Veliajn, si ju duket?