Rikthehet në këtë sezon të ri televiziv emisioni "Një nga ne". Risi, profesione dhe histori të veçanta, përditshmëria e njerëzve të thjeshtë nga e gjithë Shqipëria në ekranin e Report Tv.
Emisioni nis me historinë e Natasha Çapës, një grua nga Korça që ruan me fanatizëm punimet e dorës, të cilat i ka prezantuar përmes ekspozitave në qytetin e saj.
“Që të ruash traditën është një gjë shumë e madhe sepse është bukur të qëndisësh, të punosh. Është frymëzim, është promovim. Që të gjitha janë të lidhura bashkë”, tregon Natasha teksa në duar ka punimin e radhës me grep.
“Thonë që është shoqëria e konsumit dhe o burra t’i marrim dhe t’i hedhim. Ne në ditët tona qepim dhe çorapen dhe pantallonat, nuk i hedhim”, thotë mes të tjerash.
Asgjë nuk ka ndryshuar në rutinën e saj pas daljes në pension. Kujdeset që çdo moment ta shfrytëzojë në maksimum.
“Puna e dorës ka filluar që e vogël, në klasën e 6-të. Punova një bluzë me shtiza shumë të bukur. Pastaj bëra pajën e më tej bluzat e fëmijëve, pantallonat dhe kështu kalon koha. Në fillim e kisha domosdoshmëri për të punuar, kurse tani më është bërë pasion. Nuk mund të qëndroj dot pa punuar, jo vetëm me shtiza, grep apo qëndisje, të gjitha punimet i bëj. Unë e kam të trashëguar nga nëna ime. Sot punimet janë të gatshme dhe njerëzit venë i marrin në pazar, pa u munduar fare. Mua më pëlqen që të ruaj akoma punët e bukura të dorës, ashtu siç i ruaj të mamasë sime”, tregon Natasha.
Refuzon t’i shesë punimet pasi në treg nuk vlerësohen sa duhet.
“Punoj me kohë të pjesshme në dyqan sepse jam pensioniste. Jo të gjithë njerëzit e njohin cilësinë e mallit, prandaj unë në dyqan mbaj copa me cilësi nga më të lirat tek më të shtrenjtat.
Nuk shes asnjë nga punimet e mia sepse puna e dorës ka shumë kohë dhe kosto dhe nuk vlerësohet aq sa duhet për t’i marrë lekët dikujt tjetër.
Puna e ekspozitës u nis duke filluar, duke punuar dhe më thotë im shoq: Po makineri të kishe qenë dhe jo kaq shumë. Pse nuk hap një ekspozitë?
Punova shumë dhe hapa ekspozitën e parë, pastaj të dytën dhe këtë radhë ekspozita e tretë që kishte punime të tjera nga ekspozitat e mëparshme.
22 ishin vetëm tablo, pastaj centrot, jastëkët ishin të panumërta. Qëndronin me gojëhapur dhe thonin: Ua Natasha i ke bërë vet të gjitha këto?! Paske pasur shumë durim”, rrëfen korçarja.
Nuk lodhet duke punuar me orë të tëra, madje ky moment i ditës është relaksues për të. Dëshiron që në shtëpinë e saj mos të mungojnë as kornizat me punimet kryq as jastëkët me çentro të mbivendosur.
“Është njësoj si puna e piktorit që e hedh në telajo, ashtu dhe unë e marr copën dhe e qendis aty dhe e vendos në një kornizë dhe kjo është punë me e vështirë se e një piktori sepse punohet syçkë më syçkë”, shprehet mes të tjerash.
“Dëshira është shumë e madhe. Do doja të mos kishte fare natë, vetëm ditë të ketë që unë të punoj. Aq e dashuroj këtë punë”, përfundon Natasha rrëfimin në emisionin “Një nga ne” duke u bërë frymëzim për të gjitha grupmoshat me historinë e saj.
Emisioni “Një nga ne” transmetohet çdo të shtunë, ora 13:00 në ekranin e Report Tv.
Komente
