Risqet dhe përfitimet e bujqësisë, Rrapi Arapi realizon ëndrrën në Lushnjë: Prodhoj tapete bari, pa djalin nuk do ia dilja

22 Maj, 22:13| Përditesimi: 23 Maj, 07:16

  • Share

LUSHNJE-  Që i biri të mos emigronte, Rrapi Arapi nga Lushnja vendosi të merrte toka me qira e së bashku të provonin të prodhonin tapete bari.

Ndryshe nga bashkëfshatarët e zonës të cilët kultivonin drithëra ose kultura të tjera bujqësore, ata e panë më të arsyeshme të investonin të ardhurat në këtë drejtim.

Në këtë rrugëtim 5 vjeçar, i biri ka qenë krahu i tij i djathtë.

“Më herët kam punuar tek dikush tjetër. Tani kam 5 vite që e kam nisur vet këtë punë. Me vështirësi, bashkë me djalin arritëm këtu ku jemi sot. Emigrova në ’94 në Greqi dhe Itali. Djali donte të ikte jashtë, u detyrova dhe hapa këtë punë. Tokat i mora me qira.”, tregon Rrapi për emisionin “Një nga ne”, në Report Tv.

Kjo punë është e ngjashme me bujqësinë dhe se duhet t’i rrish tek koka, në të kundërt i gjithë mundi mund të shkojë dëm.

“Kjo punë nuk të lë të lëvizësh. Në kohën që ti nuk je aty, nuk ecën asgjë. Një kalbëzim të bjerë, ikën brenda ditës gjithë tapeti, po nuk e spërkate. Këtu ka ngelur vetëm mosha e tretë. Të rinjtë kanë ikur të gjithë, për këtë arsye ka mungesë të fuqisë punëtore. Jam detyruar të ble makineri bujqësore”, shprehet ai.

Koha më e përshtatshme për mbjellje konsiderohet muaji shtator dhe duhen 7-8 muaj punë intensive për të marrë rezultatin e duhur të tapetit.

Nga punimi i tokës tek mbjellja, spërkatja dhe vaditja, Rrapi na i tregon hap pas hapi proceset për kamerën e ‘Report Tv’. Tashmë që ka fituar eksperiencën e duhur, dëmet janë më të pakta dhe situatat e vështira i përballon më me lehtësi.

“Djali më ka ndihmuar shumë, pa ndihmën e tij nuk do isha këtu ku jam. Kemi punuar të dy fortë. Prap kemi mungesa, por avash-avash do të arrihen të gjitha. Në fillim vështirësitë ishin më të mëdha sepse njohuritë ishin të pakta. Gjatë punës mësuam dhe tani i kemi më të lehta. Kur i nxjerr frytin, kënaqësia është më e madhe”, thotë mes të tjerash.

Emisionin “Një nga ne” mund ta ndiqni çdo të mërkurë, ora 20:00 në ekranin e Report Tv.

B.K//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Pet.: 22/05/2024 16:49

    Respekte punetorit te ndershem.

    Përgjigju
  • Agjenti: 22/05/2024 13:33

    Mbare ishalla. Pune e ndershme jo droge e llum!

    Përgjigju
    • Bureto: 22/05/2024 23:52

      "Puna të nxjerr në selamet"-thotë populli. Po të ishte ky një rast i shkëputur do ishte zhgënjyes, por fakte se rasti i këtyre, babë e bir, nuk është i izoluar, por i përhapur anë e kënd Shqipërisë, ku larmia e aktiviteteve është domethënëse, tregon se ky vend ka shpresë. Urime, dhe respekte, Rrapi Artapi, me krahë të lehta, dhe ia pafsh hajrin djersës tënde dhe të djalit.

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?