Dikur pjesë e “Forcave Shqiponja”, sot e gjejmë në punishten e tij në Tiranë duke punuar me lëkurën, materiali që i dha formë pasionit të tij.
Nga aksionet policore dhe ditët e mbushura me tension dhe adrenalinë, Vilson Skuka ka gjetur qetësinë në punimin e çantave dhe portofolave. Pamundësia kohore për t’i bërë të dyja e detyroi të merrte një vendim.
“Që i vogël kam qenë shumë i mirë në punimet e dorës dhe në vizatim. Duke ndjekur leksione të ndryshme online, fillova ta mësoja si punë. Në uniformën time më duhej një këllëf prangash, gjeta dyqanin ku shitej lëkurë dhe fillova avash avash e bëra. Më pas eksperimentova me këllëf pistoletash. Ishte një punë që të jep adrenalinë, të mëson në marrëdhënie me njerëzit, si të menaxhosh një situatë. Të dyja punët ishte shumë e vështirë për t’i mbajtur.
U shkëputa nga policia për t’i dhënë prioritet hobit që sot po mundohem ta kthej në një biznes fitimprurës”, tregon 31 vjeçari për emisionin “Një nga ne” në Report Tv.
“Puna fillon me marrjen e modelit të cilin e modifikojmë në varësi të kërkesës së klientit. Me këtë pjesë merret Dori që është inxhiniere tekstike”, shpjegon ai.
Kujdeset për çdo detaj, nga modeli fillestar e deri te produkti final.
“Është e vështirë për ta mësuar vet, por duke qenë se është punë që bëhet me qejf dhe pasion, ka qenë e lehtë për mua për të mësuar të gjitha etapat e punës.
Dikur cantat i qepja me dorë. Më shumë kam parë artizanët e tjerë nëpër botë. Është e vështirë për të qepur me dy gjilpëra, madje në fillim i kam shpuar të gjitha gishtat. U bënë 7-8 vite në këtë punë, nuk janë pak për të arritur aty ku unë dua.”
Synimet e tij shkojnë përtej Shqipërisë.
“Ideja është që jetë brand ndërkombëtar, por është shumë e vështirë. Unë dua të kap majat.”
Në një kohë kur shumica e sendeve prodhohen në masë, Vilsoni i jep rëndësi aksesorëve që kompletojnë pamjen tonë. Madje disa prej tyre kanë çmime të kripura.
“Lëkura më e shtrenjtë është e krokodilit. Çanta më e shtrenjtë që kam shitur ka qenë me lëkurë krokodili diku 2500-3000 euro.”, thotë ndër të tjera.
Emisionin “Një nga ne” mund ta ndiqni çdo të mërkurë, ora 20:00 në ekranin e Report Tv.
Komente
