Ivan Rakitic

Sport

Një nga yjet e Kroacisë, Ivan Rakitic i jep lamtumirën futbollit të luajtur

8 Korrik, 12:01| Përditesimi: 8 Korrik, 12:03

  • Share

Ivan Rakitic ka njoftuar tërheqjen nga futbolli i luajtur në moshën 37-vjeçare, duke i dhënë fund një karriere që zgjati gati dy dekada në nivelet më të larta të futbollit evropian.

Ish-mesfushori i kombëtares kroate e ndau lajmin përmes një videoje emocionuese të publikuar në rrjetet sociale, ku përmblidheshin momentet më të bukura nga karriera e tij dhe klubet ku ka luajtur. Rakitic e nisi rrugëtimin e tij me futbollin në vitin 2005 me FC Basel në Zvicër, për të kaluar më pas te Schalke 04 në Bundesligë, ku filloi të bëhej i njohur në arenën ndërkombëtare.

Në vitin 2011, ai u transferua në Spanjë te Sevilla, klub me të cilin fitoi Europa League në vitin 2014. Performancat e tij në Andalusi i hapën dyert e Barcelonës, ku do të shkëlqente mes yjeve si Messi, Suarez dhe Neymar.

Gjatë periudhës së tij në "Camp Nou", Rakitic fitoi gjithçka; 4 tituj të La Ligas, 4 Kupa të Mbretit, një Champions League (2015), një Superkupë Europe dhe një Kupë Bote për Klube.

Pas largimit nga Barcelona në vitin 2020, ai u rikthye te Sevilla dhe shtoi në kabinetin e tij edhe një Europa League tjetër në vitin 2023. Më pas, karriera e tij vijoi në Arabinë Saudite me Al Shabab, ndërsa stacioni i fundit ishte Hajduk Split në Kroaci.

Në arenën ndërkombëtare Rakitic zhvilloi 106 ndeshje me kombëtaren kroate, duke qenë një nga figurat kryesore të brezit të artë që arriti në finalen e Botërorit 2018 në Rusi, ku Kroacia u rendit e dyta pas Francës.

Me këtë lamtumirë, përmbyllet një kapitull i rëndësishëm për futbollin kroat dhe atë evropian. Ivan Rakitic largohet nga fusha si një kampion, me një trashëgimi të pasur në historinë e këtij sporti.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    I kishin mbetur edhe 3 muaj burg, si e vlerësoni lirimin e Salianjit?