Një oficer jugosllav- informator i shtetit shqiptar në vitin 1933

12 Prill 2023, 07:08| Përditesimi: 12 Prill 2023, 07:11

  • Share

Një nga detyrat kryesore të përfaqësive diplomatike të shtetit shqiptar ishte mbledhja e informacionit mbi përpjekjet e vendeve fqinjë për të destabilizuar situatën politike. Prandaj legatat dhe konsullatat shqiptare kishin një fond sekret, i cili përdorej për rekrutimin e informatorëve. Për shkak të mundësive të kufizuara financiare, këto informacione vlerësoheshin me kujdes.

Pavarësisht vështirësive, duhet theksuar se, ashtu sikurse shtetet fqinjë kishin rrjetin e tyre të informatorëve brenda shtetit shqiptar, ashtu dhe shteti shqiptar kishte informatorët e tij brenda tyre. Kjo nuk duhet hiperbolizuar, por as nuk duhet nënvlerësuar. Për ta ilustruar këtë do t`i referohemi një dokumenti të kryekonsullatës shqiptare në Shkup, drejtuar Ministrisë së Jashtme më 17 gusht 1933. Ajo bën fjalë për një informacion që një Kapiten i klasit të I-rë në rezervë i ushtrisë jugosllave i kishte dorëzuar kundrejt pagesës kësaj kryekonsullate. Për këtë informacion, kjo e fundit kërkoi verifikimin nga autoritetet kompetente.

Sipas informacionit, disa ditë më parë kishte mbërritur nga Beogradi i quajturi (xxxxx) nga Ulqini i Malit të Zi dhe banues në Shkup, i cili, ishte informator i Ministrisë së Brendshme dhe të Financave të Jugosllavisë. Ai kishte sjellë një letër nga Oborri Mbretëror i Jugosllavisë, të vulosur me dyllë dhe mbi vulën e së cilës kishte inicialet N.P.A. që i drejtohej nëpunësit të legatës Jugosllave në Tiranë, Milutin P. Kjo letër përmbante një rekomandim të Oborrit Mbretëror që i biri i tij, të merrej në shërbim të konsullatës jugosllave në Shkodër.

Formalisht, ai do të ishte nëpunës. Nërsa në realitet ishte i ngarkuar që fshehurazi të mblidhte nënshkrimet e shumë personave nga paria e Shkodrës, të cilat do të përdoreshin në Lidhjen e Kombeve për të kërkuar bashkimin e Shkodrës dhe krahinave të saj me Jugosllavinë.

Pas disa ditësh ky oficer rezevë i ushtrisë Jugosllave, i ofroi kryekonsullatës shqiptare në Shkup edhe një informacion të rëndësishëm për shërbimin sekret shqiptar. Sipas tij, Kapiteni i klasit I-rë të këmbësorisë jugosllave, me qëndrim në Manastir, Vasil Zoziq, komitaxhi i vjetër kishte disa njerëz në Lushnjë dhe në qarkun e saj, të cilëve u dërgonte agjentët e tij nga Manastiri dhe Resnja, për të marrë informata mbi gjendjen e Shqipërisë, dhe në bazë të tyre i paraqiste raporte komandantit të Divizionit të Manastirit, i cili ia parashtronte ato Armatës jugosllave në Shkup dhe Beograd.

Legata shqiptare në Beograd dhe kryekosullata e Shkupit kishin një rëndësi strategjike për qeverinë shqiptare. Ato kishin prioritet kryesorë parandalimin e shpërnguljes së popullsisë shqiptare nga Kosova; zbulimin dhe rekrutimin e informatorëve me shtetësi jugosllave.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?