SHKUP - Shkëndija e Tetovës pësoi një humbje të ngushtë 0-1 përballë Qarabag në ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues të Champions League. Në stadiumin e Shkupit, shqiptarët e Tetovës ishin vendas.
Pavarësisht një fillimi të mirë, momenti vendimtar erdhi në minutën e 18-të, kur mbrojtësi Webster bëri një ndërhyrje të gabuar në kufijtë e zonës. Arbitri akordoi penallti dhe Bayramov realizoi saktë nga pika e bardhë, duke kaluar miqtë azerbajxhanas në epërsi.
Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0-1, ndërsa në fillim të fraksionit të dytë trajneri Jeton Beqiri kërkoi të ndryshonte rrjedhën e lojës duke futur në fushë Arbin Zejnullain, ish-lojtar i Egnatias dhe Kamer Qakën, ish-mesfushor i kombëtares shqiptare. Megjithatë, ndryshimet nuk sollën efektin e dëshiruar. Shkëndija krijoi disa raste, por nuk arriti të gjente golin e barazimit, duke i lënë miqtë me një avantazh të vlefshëm për ndeshjen e kthimit.
Sfida e dytë do të luhet pas një jave në Azerbajxhan, ku Shkëndija do të kërkojë përmbysjen për të vazhduar ëndrrën e grupeve në Champions League. Nëse eliminohet, ekipi nga Tetova do të ketë mundësinë të vazhdojë garën në raundin play-off të Europa League. Në rast të një tjetër eliminimi, kuqezinjtë do të sigurojnë pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Conference League.
Komente
