Një përrallë me mbret…president

20 Maj 2022, 21:15| Përditesimi: 20 Maj 2022, 21:19

  • Share

Shekuj më parë, skocezët dëshironin të kishin një Mbret i cili të mos ishte anglez. Të lodhur nga sundimi i gjatë anglez, ata i kërkonin Mbretit të deri-atëhershëm të abdikonte dhe në vendin e tij të vendosej një mbret tjetër i cili të kishte një cilësi të vetme:

Të mos fliste gjuhën angleze.

Plotësimi i kësaj kërkese, sipas tyre, do të hiqte qafe sundimin e huaj.

Pas shumë kërkesash të pareshtura një ditë Mbreti anglez i njoftoj subjektet e veta skoceze se e kishte gjetur Mbretin e ri që kërkonin ata. Ky i fundit kishte bash atë cilësinë që kërkonte turma:

Nuk fliste asnjë fjalë anglisht.

Turma u mblodh e entusiazmuar. Përpara pallatit bëhej një zhurmë e madhe. Oborri gumëzhinte prej hamendjeve të tyre:

Qytetarët pyesnin njëri tjetrin:

• Cili do të jetë Mbreti ynë vallë?

• Si do të jetë, i gjatë, i hollë, i shkurtër?

• A do të shkëputej Mbreti i ri nga ndikimi i këtij Mbreti që kemi? thoshte një tjetër.

• Po ku e gjeti Mbreti që kemi tani, Mbretin që po na e vendos mbi krye?

• A do ta dëgjojë Mbreti i ri Mbretin që kemi sot, apo do të jetë kokë më vete?

• Ku e gjeti Mbreti ynë një Mbret që nuk flet anglisht, xhanëm?

Pas disa javësh pritje, një ditë, papritmas turma ra në një heshtje varri. Dikush njoftoi së Mbreti anglez, i deri-athershëm, do të paraqiste Mbretin e ri, që nuk dinte anglisht.

Mbreti, doli në ballkonin e ndërtesës së Mbretërisë. Në duar mbante një djep në të cilin koloviste të birin, një foshnje dhjetë muajshe. Ai e zgjidhi djepin, e nxori foshnjën e ngriti para duarsh në ajër dhe ia tregoi gjindjes. Pastaj iu drejtua atyre:

Deshët një mbret që nuk di të flasë anglisht?

Turma bërtiti me të madhe:

Poooooooooooooooooooooo!

Atëherë, ky do të jetë Mbreti juaj dhe Biri Im!

Ju siguroi se ende nuk flet asnjë fjalë anglisht.

Pllakosi heshtja!

Turma u shpërnda e zhgënjyer!

Pas disa ditësh edhe neve do të shpërndahemi të (zh)gënjyer, kur të mësojmë se Presidenti ynë i ardhshëm do të dijë të flasë vetëm fjalët që do t’ja diktojë Mbreti që do ta vendosë aty, dhe që e ka caktuar vetë prej kohësh.

Shënim: Ngjashmëria është rastësore dhe nuk ka për qëllim te fyejë askënd.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?