Zelensky, Von der Leyen dhe liderët e tjerë në videokonferencë

Bota

Një pritë e re për Zelenskyn? Si po përgatiten 7 udhëheqësit evropianë për 'ndeshjen' me Trumpin

18 Gusht, 09:53| Përditesimi: 18 Gusht, 10:18

  • Share

Kryeqyteti është 'braktisur'. Mbi Shtëpinë e Bardhë patrullon një dron i forcave të sigurisë. Turistët e paktë përpiqen të vënë re ushtarët e Gardës Kombëtare të sapoemëruar nga Donald Trump. Dhe pastaj minjtë: 'komandojnë' ata, presin rrugën dhe shfaqen pas çdo cepi, hyjnë të papenguar në bodrume, sundojnë në boshllëkun e mesit të gushtit. Heshtja ndërpritet vetëm nga ndonjë sirenë e eskortave të liderëve. Ata mbërrijnë vonë në mbrëmje. Ndër të parët, Giorgia Meloni. Shkel në St. Regis në mesnatë. E nxirë nga dielli, por e rraskapitur nga udhëtimi i papritur. Xhaketë e bardhë dhe pantallona të zeza, përshëndet shpejt gazetarët – “kënaqësi t’ju shoh…” – dhe ngjitet lart në dhomë. E presin orë të vështira, të rrezikshme. E njëjta gjë vlen për europianë e tjerë.

Ata që kanë rëndësi vërtet janë shtatë (plus Antonio Costa, që iu bashkua në sekondën e fundit). Jo të gjithë janë “të mrekullueshëm”, përkundrazi: dikush është politikisht në krizë. Gjashtë burra dhe një grua. Dy me armë atomike në dispozicion. Shpesh të ndarë nga mëritë, por të bashkuar nga domosdoshmëria. Një eskortë në fakt. Një mburojë njerëzore për Volodymyr Zelensky, alternativa do të ishte ta linin vetëm në mëshirën e Trump. Të gjithë e kanë ende në mendje pritën e disa muajve më parë në Zyrën Ovale ndaj presidentit ukrainas. Atëherë lojën e miliarderit e mbështeti sidomos J.D. Vance (ndërsa Marco Rubio shihte i habitur). Ishte shfaqje dhe teatër, por mbi të gjitha një përpjekje për varje politike publike të Zelensky-t. Historia është e çuditshme, ajo derë kurthi nuk u hap, presidenti me uniformë ushtarake u bë sërish i famshëm në atdhe, sondazhet vendosën: është ende në këmbë. Ka një problem, megjithatë: ukrainasi do të gjendet sot sërish, përballë me presidentin amerikan, pavarësisht pranisë së të mëdhenjve kontinentalë, të paktën sipas agjendës së shpërndarë natën: të gjithë në pallat në orën 18:00, pastaj në orën 19:00 një takim dypalësh mes amerikanit dhe ukrainasit, më pas në orën 20:15 darka e zgjeruar dhe në orën 21:00 mbledhja e hapur edhe për europianët. Në letër, pra, miliarderi mund të sajojë sërish një ofensivë kundër Zelensky-t, para kamerave dhe gazetarëve të akredituar në Shtëpinë e Bardhë. Dhe pikërisht për këtë, të shtatët dridhen: mund të takohen para se të hyjnë në Shtëpinë e Bardhë, të gjithë së bashku rreth orës 17:00, në selinë e ambasadës ukrainase në Uashington. Për të planifikuar lëvizjet, për t’u koordinuar. Mbi të gjitha për të shmangur përsëritjen e asaj skene, tani që Vladimir Putin është rikthyer në shoqëri nga dera e përparme dhe duke ecur mbi një tapet të gjatë të kuq. Të shtatë nuk mund t’ia lejojnë (dhe as vetes) që marshimi të vazhdojë me këtë ritëm. Askush, as ata më afër Trump-it, nuk dëshiron që plani rus i pranuar nga miliarderi t’i lejojë Moskës të shkelë Kievin. Të marrë territore që deri tani nuk ka mundur t’ua grabisë ukrainasve. Rrëzimi i Zelensky-t do të thoshte t’i dorëzohej carit të Rusisë një plaçkë e plotë. Kufiri pasues, ai që do të shkelet sërish, mund të bëhet kufiri europian.

Rezistimi, pra, kanë thënë të shtatët edhe dje. Por kujdes të mos e irritojnë shumë amerikanin, duke ditur (dhe duke u trembur) se në samit mund të kërkojë një pretekst për t’u tërhequr, duke thënë: jeni ju europianët që nuk doni paqen. Në atë rast, prita do të ishte kolektive, ndaj një Bashkimi të mbetur pa mburojën amerikane. Sot duhet ekuilibër. Nevojitet përmbajtjeje.

Është misioni i kësaj eskorte të Volodymyr-it. Ja pra si do të përbëhet. Njëri pas tjetrit, nga më i largëti tek më i afërti me presidentin e Shteteve të Bashkuara, ose sidoqoftë: duke filluar nga ata që në këto muaj nuk janë tërhequr kur ka qenë fjala t’i thonë publikisht ‘jo’. Dhe sonte mund të ndodhë sërish.

Emmanuel Macron

Në fillim të mandatit të ri në Shtëpinë e Bardhë, sipas shumë raporteve të kancelarive perëndimore, Trump fliste në telefon me Macron çdo dy ditë. Pastaj diçka u prish, edhe sepse francezi, mysafir në Zyrën Ovale, i vendosi dorën mbi krah Donald-it duke i thënë: ‘Gabohesh’. Amerikani, që nuk e pëlqen të kundërshtohet, duket se megjithatë i njeh disa cilësi, “është një djalë simpatik dhe inteligjent”. Me rastin e G7-ës së fundit Donald e goditi fort aleatin, deri në atë pikë sa i tha se nuk vlen asgjë. Fjalë për fjalë, brutale. Macron ka vazhduar të reagojë dhe mbetet sidoqoftë më i denjë për t’i ruajtur shpinën Zelensky-t, sepse bashkë me britanikun Starmer zotëron diçka që të tjerët nuk e kanë, në atë dhomë: qasjen në butonin atomik. Dhe dihet, për Trump respekti matet kryesisht me kokat bërthamore që je në gjendje të lëshosh.

Keir Starmer

Ai, pra, tjetri me armë atomike. Lideri i ndarë mes dy dogmave të gjeopolitikës që gjithmonë kanë udhëhequr Mbretërinë e Bashkuar: me kauzën demokratike dhe me amerikanët. Nëse këta dy shtylla përplasen, duhet zgjedhur. Deri tani Starmer nuk i ka kthyer shpinën mikut ukrainas, megjithëse ka mbetur afër me kushërinjtë e Uashingtonit. Vështirë që pikërisht sot të ndryshojë mendim.

Friedrich Merz

Sapo u bë kancelar i dhuroi Trump-it, madje gjatë vizitës në Zyrën Ovale, një certifikatë lindjeje të të parëve të presidentit. Kujto se edhe ti je emigrant, dukej sikur donte t’i thoshte. Dhe kur ai u përgjigj “D-Day, ç’ditë e keqe për ju gjermanët”, nuk u tremb: në fakt na çliruat nga nazizmi, iu përgjigj, nuk doni të harroni tani Ukrainën? Ka një problem, megjithatë: frikësohet nga hakmarrjet me taksat doganore, Gjermania është më e ekspozuara (dhe edhe në frontin e mbrojtjes dhe bazave amerikane, varësia ndihet). shtë interesante të shihet se sa do të guxojë të tregojë fytyrën sonte. Ndërkohë Zelensky-t i ka garantuar raketa me rreze të gjatë. Nuk është pak.

Ursula von der Leyen

Nëse do të zbatohej parimi i distancës nga Trump, do të kishte gjetur vend në krye të listës. Nuk i pëlqen aspak Presidentit amerikan, i cili për muaj të tërë e ka poshtëruar, injoruar, delegjitimuar. Nuk e njeh sepse e ka shpallur objektiv simbolik të Europës së bashkuar. Ajo ka duruar, ka kërkuar ndihmë fillimisht te Meloni, pastaj te Merz e Macron. Ka zhgënjyer pothuajse të gjithë, ndërkohë është dobësuar, ka menaxhuar çështjen e tarifave duke nënshkruar një marrëveshje që nuk i ka pëlqyer kancelarive europiane. Dhe pikërisht atëherë Trump e priti, e njohu, e përcolli me buzëqeshje. Sidoqoftë, nuk do të jetë ajo që do të menaxhojë eskortën presidenciale.

Giorgia Meloni

Dëshironte të bëhej urë mes Brukselit dhe Uashingtonit, jo gjithmonë ia ka dalë. Ishte e vetmja lidere europiane e pranishme në Ditën e Inaugurimit, deri tani rreziku nuk ka dhënë fryte. Megjithatë shfrytëzoi momentin e fundit të mundshëm për t’u rikthyer në tavolinën e europianëve pas disa përjashtimesh, duke pritur Macron në Romë për të vulosur një aleancë emergjente, të detyruar. Për tarifat doganore ka qenë ndoshta më e kujdesshmja në kontinentin e vjetër, për të mos e zemëruar shumë Uashingtonin. Me Trumpin vazhdon të mbajë një fije. Për Ukrainën, megjithatë, nuk ka hequr dorë nga kauza e Kievit. Edhe pardje ka luajtur me krahun e presidentit amerikan, të cilit i ka sugjeruar idenë e garancive të sigurisë të frymëzuara nga neni pesë i NATO-s. Në të njëjtën kohë, megjithatë, ka nënshkruar një komunikatë shumë të ashpër me partnerët europianë. Nëse në Zyrën Ovale situata do të dilte jashtë kontrollit, dihet tashmë çfarë do të thotë, duke ngritur dorën: duke ndarë Perëndimin do të ishim të gjithë më të dobët, ju lutem ndaluni. Më e dobët do të ishte edhe ajo, e detyruar të qëndrojë në ekuilibër mes Uashingtonit dhe Brukselit. Nëse, përkundrazi, Trump do të hapej ndaj trupave europiane në terren, ky do të ishte një problem: ka thënë jo, të paktën deri tani, pa çadrën e NATO-s. Por është e qartë se Roma nuk mund të mbetet jashtë asaj loje.

Alexander Stubb

Pak i njohur për publikun e gjerë, presidenti finlandez po fiton hapësirë në tavolinën e të mëdhenjve për dy arsye themelore: i pëlqen Trump-it dhe drejton një vend që ka mijëra km kufi të ekspozuar ndaj rrezikut të një pushtimi nga Rusia. Kjo është arsyeja pse paraardhësi i tij si udhëheqës i Finlandës vendosi të bashkohej me NATO-n disa muaj pas agresionit të Rusisë në Ukrainë. Ai shkon aq mirq me miliarderin sa e ka pritur në klubet e tij të dashura të golfit. Është një metodë që jo gjithmonë funksionon (për shembull, kryeministrit kanadez nuk i mjaftoi të organizonte një G7 në fushat e gjelbra për të shmangur dështimin e samitit të qershorit), por sidoqoftë ia vlen të provohet. Në një moment, pardje, europianët menduan ta dërgonin vetëm atë për të mbrojtur Zelensky-n. Pak për të përmirësuar humorin e Trump-it, pak për të qëndruar larg telasheve. Sigurisht nuk do të mjaftonte, duke parë peshën gjeopolitike të Finlandës, prandaj opsioni u hodh poshtë. Por gjithsesi kanë zgjedhur ta përfshijnë në misionin e eskortës.

Mark Rutte

Për të, muajt e fundit ka qenë në vëmendje pas deklaratave lakatuese për Trump-in: ‘’Kur babi…’’. Presidenti amerikan gjithashtu zbuloi mesazhet me të cilat sekretari i përgjithshëm i NATO-s e falënderonte duke lavdëruar grushtin e hekurt, të dobishëm për të detyruar europianët të paguajnë 5% të shpenzimeve ushtarake. Me këto performanca nuk ka fituar simpatitë e shokëve të eskortës. Sigurisht, për nga roli është në krah të Zelensky-t dhe do të jetë deri në fund. Por për nga prirja nuk mbeten më dyshime: ka fituar zemrën e presidentit amerikan, tashmë është në zemrën e Donald-it./La Repubblica

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • redi: 18/08/2025 11:50

    Konkluzioni i takimit eshte we pawja te arrihet duhen plotesuar disa kushte Rusise ndryshe nuk behet. Lideret europiane para Tramfit jane te humbur se ai ka nje objektiv qe eshte ndalimi i vrasjeve ne lufte. Nese europianet do dalin kunder propozimit te Tramfit, anerikanet largohen nga mbeshtetja jo vetem per Ukrahinen por dhe per Europen. Pra thjesht dopjo gjashta i ngel Makronit me shoke qe Rusine se perballojne dot pa ndihmen e amerikaneve

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se takimet e Trump me Putin e Zelenskyn do sjellin paqen në Ukrainë?