Opinion

Një proces i hapur në kohë

19 Maj 2021, 10:50| Përditesimi: 19 Maj 2021, 10:56

  • Share

Ndërsa Komisioni hetimor ka evidentuar raste të cila i cilëson shkelje ligjore nga ana e presidentit në daljet e tij publike gjatë fushatës elektorale, çështja duket se ka mbetur në këto kufij. Presidenti është ftuar sërish të japë shpjegimet e tij në komision, por në vend të tij në Kryesinë e Kuvendit ka mbërritur letra e Presidentit. Qëndrimi mbetet i njëjtë. Meta e konsideron procesin e hetimit si puç konstitucional për të kapur institucionin e presidencës. Hetimi quhet i urdhëruar dhe si hakmarrje politike dhe më tej janë rreshtuar një sërë arsyesh që pas presidentit ky komision nuk duhet të funksionojë. Ndër argumentet e parë është ajo se ky parlament nuk ka në përbërjen e tij opozitën reale dhe si e tillë nuk ka moralin për të shqyrtuar hetimin ndaj tij.

Gjithsesi, ndonëse ky element mund të përbëjë nja kasus në arsyet që ngre presidenti, është fakt se edhe opozita që ndodhet në rrugë ende dhe jo në parlament, nuk ka pasur asnjë qëndrim lidhur me hetimin që po bëhet nga kuvendi aktual dhe po kryhet në kufijtë e fundit kohorë të legjitimitetit të vet. PD ka qenë shumë indiferente lidhur me presidentin, ku ndonëse po merret me çështjet e saj të brendshme lidhur me fatin e kreut të saj, nuk ka gjetur aspak kohë të shprehet me veprimtarinë e Kuvendit aktual dhe me Komisionin Hetimor të ngritur për shkarkimin e Metës. Edhe vetë LSI ka qëndruar në tërheqje, por jo pse e ka lënë të vetmuar ish-liderin historik të saj, por pse ndoshta nderin e mbrojtjes ua kërkonte ish-aleatëve të PD që ta luanin.

Gjithsesi, ajo çfarë bie në sy është se dhe vetë media e përcjell me përtesë çështjen e hetimit ndaj presidentit. Duket se vetë opinion publik nuk ka ndonjë interes si për çështjen e komisionit të hetimit ashtu dhe për vetë fatin e presidentit. Ndoshta për arsye se ky nuk është komisioni i parë i ngritur kundër tij, apo pse procedura e shkarkimit nuk i takon vetëm Kuvendit por dhe Gjykatës Kushtetuese. Në të gjitha rastet pra, duket një proces i hapur në kohë.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?