Foto nga Ukraina

Nje projdie… slava Ukraini, vendi ku rrëzohen mitet

3 Mars 2022, 20:13| Përditesimi: 3 Mars 2022, 20:14

  • Share

Sytë, zemra dhe ndjeshmëria e mbarë opinionit botëror është atje në Kiev, ku një popull po përballet me fuqinë më regresive të kohës. Lajmet nga lufta përplasen dhe vështirë të ndërtosh një panoramë të plotë. Ka shumë pyetje e dilema që vijnë nga fronti e ndoshta midis tyre :  Çfarë po ndodh në front; a ishte lufta një rastësi  dhe si po rrëzohen mitet e luftës?

Çfarë po ndodh?

 

Një ditë të ‘bukur’,  pa asnjë argument të besueshëm, Rusia sulmoi Ukrainën, duke derdhur gjithë arsenalin konvencional. Dhe si një përplasje e përgjakshme lufta krijon fronte. Në frontin e parë gjenden një ushtri agresive ruse dhe një popull në mbrojtje, me forcat e armatosura, territoriale, civile e vullnetare, me gra, fëmijë e të moshuar. Në thellësi, një Rusi tjetër, ku qeveria fsheh çdo informacion nga lufta dhe propaganda zyrtare nxit urrejtje, por që nuk arrijnë të krijojnë front. Në anën tjetër sa moral edhe inkurajues, e gjithë bota e qytetëruar në krah të një Ukraine martire.

Ukraina tashmë është kthyer në  ndërgjegjen e botës së civilizuar. SHBA, NATO  dhe Europa, por edhe mbarë komuniteti ndërkombëtar po e konsiderojnë Ukrainën si simbol për  vlerat më të larta humane. Është inkurajuese që Shqipëria dhe Kosova,  të vendosura në këtë front,  në mënyrë dinamike po tregojnë vlera serioze, me  kontribut të spikatur në Këshillin e Sigurimit (OKB), në NATO, por edhe  në një linjë  me Komunitetin Europian, gjenden në anën e duhur të historisë

Kasaphana e luftës ndjehet kudo. ‘Vorog nje projdie’-(armiku nuk do të kalojë)   në Kiev dhe gjithë Ukrainën, po përballen dhëmbë për dhëmbë me agresorin rus, duke sjellë në kujtesë të  famshmen ‘no pasarán’ të Spanjës së 1936. Duket sikur shkrimet  e Heminguejt të madh  në ‘Për kë bie kambana’ apo  ‘Kolona e Pestë’ janë për pamjet e sotme të Kievit, Kharkivit, Mariupolit e qyteteve të tjerë ukrainas…  Masakrat e falangistëve e fashistëve të rinj pak dallohen nga Spanja e 1936. Në analogji të plotë, Herminguej ynë – Petro Marko jep pamje të ngjashme në romanin e famshëm ‘Hasta la Vista’.

Dhe vërtetë ‘no pasarán’ legjendar po  shihet në qëndresën ukrainase ‘Vorog nje projdie’- armiku nuk do të kalojë. Kartat janë hapur…rusët mund të fitojnë mjaft beteja, ndoshta dhe më shumë,  por kurrë luftën. Siç u shpreh sot presidenti Biden : ‘..Putini mund të rrethojë Kievin me tanke, por ai kurrë nuk do të fitojë zemrat dhe shpirtin e popullit ukrainas..’  

Pesë  ditë janë të mjaftueshëm për të treguar një  shtet dhe popull me kapacitete dhe aftësi për të mbrojtur veten, në gjendje për të organizuar të gjitha modelet e mbrojtjes. Vetëm pak shtete janë në gjendje të shfaqen në përmasa të tilla dhe Ukraina është  midis tyre.

 A erdhi lufta për një ditë?

Në vështrim analitik, inteligjenca amerikane dhe ajo britanike treguan aftësinë dhe kapacitetet që të zbulonin dhe demaskonin shumë kohë më parë planin agresiv të Putinit, duke dhënë në këtë mënyrë goditjen fillestare armës e agresionit të befasishëm që synonte  Kremlini.

Para pak ditësh zbulohej nga dokumente të shumta se Putini kishte ngritur strategji 15-vjecare, me disa faza, për të arritur objektivin strategjik: rilindjen e Bashkimit Sovjetik.  Pas sulmit në Gjeorgji dhe aneksimit të Krimesë, Ukraina mbetej  pjesë e fazës së dytë në këtë strategji. Suksesi do ta inspironte Putinin për të shkuar më larg, shumë më larg, e shprehur në gjuhën prepotente – diplomatike në letrën që i dërgoi NATO-s dhe SHBA për tu rikthyer në pozicionet e vitit ’97.

Kancelarja  Merkel,  dha ‘alarmin’ në shtator 2018, kur i kërkoi  ministrave të vet  ‘të lexojnë’  urgjentisht  librin “Somnambulët : Si shkoi Evropa në luftë …”. Christopher Munro Clark, analizon fillimin e Luftës së Parë Botërore, kontekstin, shkaqet dhe dështimet politike ndërkombëtare,  që ndikuan në atë katastrofë.

A ka në të vërtetë ngjashmëri konteksti aktual me Europën e viteve 1914- 1918?! –  Kancelaria besonte se Europa sot, më shumë se më parë përafron me periudhën e vështirë të Luftës së Parë Botërore,  ku rritja e nacionalizmit populist dhe një krizë migruese sfidonte kontinentin duke shënuar fundin e një epoke.  Libri u shpërnda me një tirazh të kufizuar, ndërkohë që për atë, si po provon koha ka pasur nevojë gjithë Europa.

A pati Rusia një alibi për të nisur luftën në Ukrainë?

– Aspak. Tipologji të njëjtë me Milloshevicin,  kur nisi luftën në ish-Jugosllavi e specifikisht në Kosovë. Një morfologji që  i ka mbetur në fyt Putinit dhe Lavrovit,  sa në çdo psalm për luftën kujtojnë Kosovën…Alibia e Kremlinit lidhet me dogmën  për ‘dezanifikimin’ dhe ‘demilitarizimin’.

A qëndron sadopak kjo alibi? – Jo.  Ukraina është një shtet që udhëhiqet nga një president i kthyer nw model,  me origjinë hebre,  ku asnjë lidhje natyrale apo morale  nuk e afron me nazizmin. Është e lehtë për këdo të gjej fakte për historinë e Ukrainës në Luftën e Dytë Botërore. Me mbrojtjen e  Kievit ku u vranë rreth 600 mijë ushtarë dhe u shpall ‘qytet hero’ . Më tej me rreth 6 milionë ukrainas të vrarë, që përbëjnë jo më pak se 40% të viktimave në B. Sovjetik. Dhe në radhitjen në Ushtrinë e Kuqe ku nga 8 milion që numëronte rreth 2 milionë ishin ukrainas etnikë. As në të tashmen dhe as në histori nuk gjenden alibi që ta quash një popull të inkriminua. Veç dashakeqësisë së Putin, asgjë nuk e lidh Ukrainën me nazizmin.

Edhe alibia e ‘demilitarizimit’ ra që në ditët e parë kur vetë ushtria ruse po demonstron se nuk po lufton vetëm kundër forcave të armatosura të Ukrainës,  por po vret qindra civilë, fëmijë e gra, po godet spitale, maternitete, pallate banimi apo stacione televizive,  që në asnjë kohë nuk klasifikohen si subjekte dhe  objekte militare.

 A është Ukraina vendi ku po rrëzohen mitet? – Po. Lufta në Ukrainë po rrëzon mjaft mitet ku midis tyre:

‘Ukraina nuk është shtet…’!! –  Gabim fatal.  Ukraina provoi se ‘ ..lufta bën shtetet dhe shtetet bëjnë luftë’. (Charles Tilly dhe Samuel Huntigton). Askush nuk ka më tej dyshim se Ukraina është një shtet me ne ndërgjegje dhe kohezion kombëtar. Ndoshta tani ajo po ndodhet në fazën më të lartë të shtet-komb ‘nation-state’.

‘Ukraina është vetëm një pjesë e mëmës Rusi’ … Tashmë jo edhe më tej.  Putin ju desh vite për të ngritur dhe paraqitur botës një mit të tillë, duke hartuar strategji dhe zbërthyer doktrina… Por miti u rrëzua brenda pesë ditëve. Mëma Rusi e humbi shpresën përgjithmonë. Merita më tepër i takon Putinit…

‘Lufta midis shteteve nuk është edhe më tej një opsion në marrëdhëniet ndërkombëtare’!! – Gabim me pasoja fatale. Lufta e Rusisë provoi se është opsion dhe mbetet vazhdim i politikës me mjetet e tjera (Klausevitz).

‘Shtetet e fuqishme gjithmonë fitojnë’!! – Gabim me pasoja të rënda. Rusia kish krijuar mitin e ushtrisë më të fortë në botë që mund të shkatërronte çdo ushtri tjetër. Ajo mund të fitoj një, disa apo të gjitha betejat frontale, por lufta ka edhe ligje të tjera ku vullneti dhe mobilizimi i popullit për të luftuar zhvleftëson betejat e fituara. Lufta popullore e tret luftën frontale. Ukraina e rrëzoi këtë mit, kjo e tërbon edhe më shumë Putinin.

Miti i ‘luftës së shkurtër…’ !!! – Gabim i liderëve aventurierë. Edhe vetë fillimi i luftës është i vështirë. Dalja prej saj edhe më e vështirë.. Rusia do ta vuajë luftën e nisur…

Miti i ‘ luftës si përplasje vetëm midis forcave të armatosura’?!! –  Gabim i madh. Forcat tokësore, ajrore, detare nuk shkojnë në luftë. Shtetet dhe popujt shkojnë në luftë. Ukraina është dëshmi e gjallë.

Mitet e rreme do të bien përditë edhe në Ukrainë. Përherë e më shumë vullneti dhe koha do të jenë në krah të popullit ukrainas, të cilët nuk janë të  vetëm. I izoluar gjithmonë e më shumë do të mbetet agresori rus. Fitorja do të jetë e Ukrainës. Slava Ukraini!

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?