Politikë

Një shkollë në Qytetin Studenti merr emrin e Bashkim Finos, Veliaj: Edhe një rruge në Njësinë 2 do i japim emrin e të ndjerit Sokol Olldashi

31 Mars 2021, 15:35| Përditesimi: 31 Mars 2021, 15:54

  • Share

Njësisë 2 në kryeqytet do i shtohet një kopësht dhe një shkollë e re 9-vjeçare e cila po ndërtohet nga e para dhe do jetë gati brenda këtij sezoni asrsimor për afro 1000 fëmijë. Shkolla e cila po ngrihet në afërsi të Qytetit Studenti, në zonën e njohur si ish-“Kaldaja e vjetër” do të marrë emrin e ish-kryeministrit Bashkim Fino, i cili u nda nga jeta këtë të hënë pasi e humbi betejën me Covid 19. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me kandidatin socialist për deputet Arben Pëllumbi vizituan kantierin e kësaj shkolle pjesë e projektit të 17 shkollave të reja në kryeqytet.

“Është një ditë shumë e mirë kjo për Njësinë 2. Ka qenë një kërkesë e administratorit, por edhe e banorëve të cilët shkojnë deri te shkolla “Mihal Grameno”, tek shkolla “Labinoti”, apo shkolla “Kosova” për të çuar fëmijët e tyre, duke harxhuar nga dy orë në ditë, ndaj unë besoj që jo vetëm iu kursejmë kohë, por i japim kësaj zone një nga shkollat më cilësore. Këtu ka qenë kaldaja e vjetër e Qytetit Studenti, kështu që ishte e vetmja hapësirë shtet që ne mund të shfrytëzonim për të ndërtuar një shkollë. Ndërkohë po ndërtohen edhe dy shkolla tek Fresku, aty ku ka qenë Shërbimi Informativ i Ushtrisë, projekt i 17 shkollave. Besoj se do hyjmë në histori si viti ku janë hapur më shumë shkolla se kurdoherë në qytetin e Tiranës,” tha Veliaj. 

Kryebashkiaku zbuloi se shkolla do marrë emrin e deputetit socialist, Bashkim Fino, ndërsa një rrugë në po këtë zonë do mbajë emrin e deputetit tjetër të ndjerë Sokol Olldashi. “Do të ketë një emër dinjitoz, emrin e  Bashkim Finos, të një kryeministri që na bashkoi në ditët më të vështira dhe në një zonë ku është bashkuar edhe veriu, edhe jugu, edhe Tropoja, edhe Tepelena, ku janë bashkuar edhe realitetet rurale edhe ato urbane emri i Bashkim Finos i bën realisht nder. Ne në fakt duam të vlerësojmë jo vetëm figura të majta, por edhe nga e djathta, për ata që kanë lënë një gjurmë në komunitetin tonë. Kemi marrë gjithashtu një propozim për një rrugë në këtë zonë, në Njësinë numër 2, me emrin Sokol Olldashi, ndaj duam që edhe atë koleg e mik ta respektojmë gjithashtu dhe besoj që Tirana do të jetë më dinjitoze me rrugë dhe shkolla cilësore, por edhe me emra dinjitozë të atyre që i kanë shërbyer këtij vendi. Përtej bindjeve politike, kush ka qenë shërbëtor publik i këtij atdheu dhe i këtij qyteti meriton të vlerësohet, si nga e majta, ashtu edhe nga e djathta,” tha Veliaj.

Edhe deputeti Pëllumbi vlerësoi faktin që kjo shkollë do marrë emrin e ish-kolegut Fino. “Dua t’ju falënderoj që kësaj shkolle do t’i vendosni emrin e mikut tonë Bashkim Fino i cili kontribuoi aq shumë në përbashkimin dhe në filozofinë e të qenit bashkë, që kjo zonë ka aq shumë nevojë edhe në zhvillimin e saj të vazhdueshëm. Të gjithë bashkë do bëjmë të mundur zhvillimin e saj të mëtejshëm dhe të mos mbyllen brenda kufijve dhe gardheve të gjithsecilit,” tha Pëllumbi.

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • kaos e rremuje: 01/04/2021 02:36

    Ore, po hiqni dore ore derdimene nga emertimi i rrugeve e rrugicave me emra gjoja 'njerez te shquar' e heronjsh. Nje bie e mijra ngrihen. Jane te pakte ata qe me te vertete e meritojne nje gje te tille. Tani ne keto kohrat e rrumpallave dhe gjoja demokracive e lloj lloj llogjeve pa fund, here vjen njeri e vendos 'te vetet' e here vjen tjetri e heq te paret e vendos te dytet e keshtu me rradhe, simbas rastit e si te vije rrumpalla e katrahura e rradhes... E per kete aresye, vendosni numra dhe germa alfabeti e jeni ne rregull dhe e hiqni kete siklet...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?