Zv/ministrja e Turizmit, Ornela Çuçi

Një shqiptare, e para përfaqësuese në Ballkan/ Zv.ministrja e Turizmit zgjidhet anëtare e Bordit të Fondit të Gjelbër të Klimës

3 Korrik 2020, 19:29| Përditesimi: 3 Korrik 2020, 19:35

  • Share

Zv/ministrja e Turizmit, Ornela Çuçi është zgjedhur anëtare e Bordit të Fondit të Gjelbër të Klimës. Është hera e parë, që një përfaqësues nga Ballkani ngjitet si anëtar me të drejta të plota dhe të drejtë vote në bordin e GCF, i cili ka një vëllim të përgjithshëm financimi deri në 10 miliardë dollarë.

Çuçi do ta mbajë për dy vite pozicionin e anëtares së bordit prestigjioz, ndërsa prej 2019-s është pjesë e Bordit të GEF (Lehtësirat Globale të Mjedisit) që ka një vëllim të përgjithshëm financimi 32 miliardë dollarë.

“Prej disa muajsh jemi duke punuar ngushtë me kabinetin e Kryeministrit në mënyrë që të nxisim një iniciativë rajonale, të kryesuar nga Shqipëria, për një qasje rajonale në akselerimin e fondeve për vendet e Ballkanit Perëndimor”, shprehet Çuçi pas zgjedhjes në Bordin e Fondit të Gjelbër të Klimës.

Sipas saj, rajoni ofron shumë mundësi për luftën kundër ndryshimit të klimës, por për fat të keq, GCF ishte në gjendje të aprovojë vetëm tre projekte në vendet e Ballkanit Perëndimor deri më tani.

“Rajoni përballet me sfida të shumta për shkak të kapaciteteve të kufizuara institucionale dhe bashkëpunimit. Për më tepër, reagimi i vendeve ndaj efekteve të ndryshimit të klimës është sporadik, i drejtuar nga projekte sporadike dhe jo i bazuar në një qasje rajonale”, thekson Çuçi.

Fondi i Gjelbër i Klimës është i vetmi entitet financiar multilateral, mandati i vetëm i të cilit është t’i shërbejë Konventës së Ndryshimeve Klimatike dhe që synon të sigurojë shuma të barabarta fondesh për zbutjen dhe adaptimin.

GCF është një entitet kryesor operativ nën mekanizmin financiar të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimin e Klimës (UNFCCC) i cili përpiqet të japë një kontribut ambicioz në përpjekjet globale drejt arritjes së qëllimeve të përcaktuara nga bashkësia ndërkombëtare për të luftuar ndryshimin e klimës./ATA.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?