Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska

Një shuplakë shqiptare, ndaj shqiptarëve!

22 Prill 2019, 21:26| Përditesimi: 22 Prill 2019, 21:31

  • Share

Maqedonia e Veriut, po shkon në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale me sytë nga shqiptarët. Në raundin e parë kandidati shqiptar Blerim Reka, i pambështetur nga BDI, si forca kryesore e shqiptarëve në pushtet, arriti të sigurojë 79.921, një pakicë e artë votash, të cilat janë vendimtare për kandidatin fitues në raundin e dytë. Stevo Pendarovski I LSDM, ka marrë 323.892 vota, Gordana Siljanovska-Daavkova, e partisë së Gruevskit, ka marrë 319.364 vota, ndërsa shqiptari Blerim Reka 79.921 vota.

Fitorja më e madhe e zgjedhjeve të kaluara parlamentare në Maqedoninë e Veriut, që çmontoi pushtetin e Gruevskit, ishte krijimi i frymës së bashkëjetesës mes shqiptarëve e maqedonasve, nxitur me kurajo nga kryeministri Zaev. Përveçse ai futi dy shqiptarë në listat e kandidatëve të partisë së tij, bashkëpunoi fort me faktorin shqiptar dhe ja doli të çmontojë një regjim nacionalist, i cili po nxiste ndarjen mes shqiptarëve dhe maqedonasve, duke i humbur vendit perspektivën europiane.

Në pak më shumë se një vit, Zaev arriti të mbyllë konfliktin me Greqinë, të dërgojë para drejtësisë ish- funksionarët e regjimit të shkuar dhe të hedhë një hap përpara në integrimin e shqiptarëve në politikë.

Por duket se brenda koalicionit të tij, shqiptarët vazhdojnë të zemërojnë shqiptarët.

Blerim Reka është një intelektual i pavarur shqiptar, i cili ka kandiduar pa pasur mbështetjen e shumicës së faktorëve politik shqiptar në pushtet, përveç dy partive të vogla, por ia ka dalë të marrë një numër impresionues votash, aq sa të shërbejë si faktor vendimtar në raundin e dytë.

E gjitha kjo ngjan si një shuplakë e shqiptarëve, ndaj shqiptarëve në qeveri, më shumë se sa një frymë kundër bashkëjetesës së shqiptarëve me maqedonasit.

Edhe pse fushata e tij u bazua shumë tek simbolet etnike shqiptare dhe përpjekja për të ndarë votën e shqiptarëve të pakënaqur nga vota e shqiptarëve pro qeverisë, ajo është më shumë një shuplakë për Ali Ahmetin, se sa një rrezik për qeverinë e kryeministrit Zaev.

Në këtë pike, raundi i dytë, i cili është vendimtar për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut dhe rrugës së saj europiane, interesi i shqiptarëve është të ndalë rikthimin e kursit të vjetër nacionalist të Gruevskit, i cili i ka diskriminuar dyfish shqiptarët, së pari si etni dhe së dyti si qytetarë të Maqedonisë së Veriut. Ai i ka persekutuar si etni, pasi i ka margjinalizuar ata, duke i përçarë dhe duke i vënë në rresht, se kush do të qeveriste me të. Më tej ai i ka persekutuar si qytetarë të shtetit të tij, të cilin po e izolonte nga Perëndimi dhe po e çonte drejt internacionales autokrate të liderëve ish komunistë lindorë, me sy nga Moska.

Shqiptarët në Maqedoni e kanë parakusht të jenë qytetarë të një vendi demokratik, për të qenë qytetarë të lirë. Shqiptarë të lirë, nën një regjim nacionalist dhe të korruptuar nuk mund të ketë, pasi ata bëhen viktimë e parë e këtij regjimi.

Shuplaka e zgjedhjeve presidenciale të raundit të parë, është një leksion i hidhur për shqiptarët që qeverisin bashkë me Zaevin, dhe një mundësi për të reflektuar.

E vërteta e hidhur është se shqiptarët në këto zgjedhje kanë qenë të zemëruar me shqiptarët e qeverisë dhe jo me qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Garancia që ata të jenë qytetarë të respektuar dhe me ndikim në Maqedoni, është të ruajnë kursin Perëndimor të Maqedonisë së Veriut, e cila i bën ata edhe shqiptarë, edhe qytetarë të sigurtë.

Shuplaka ndaj shqiptarëve në qeveri, nuk duhet të kthehet në shuplakë ndaj kursit Perëndimor të Maqedonisë së Veriut, pasi ai shtet nisi të bëhet Perëndimor, falë edhe shqiptarëve./ TEMA

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?