Libraria Rizzoli ne Galerine Vittorio Emanuele ne Milano

Periferi

Një si Ismail Kadare vjen njëherë në 500 vjet

2 Mars 2021, 10:57| Përditesimi: 2 Mars 2021, 11:09

  • Share

Dhe nuk do të thotë të ketë shansin të shkëlqejë në mbarë globin!

Libraria Rizzoli në Galerinë Vittorio Emmanuele II në Milano është një kryevepër. Bukuria e arkitekturës shkëlqen ndërsa mbledh brenda saj më të mirën e më të bukurën nga Italia dhe gjithë bota. Mes këtij universi pa fund e të përzgjedhur, është edhe Ismail Kadare. Shtëpia botuese “La nave di Teseo” sapo ka publikuar “Mëngjest në Kafe’ Rostand” të përkthyer në italisht nga Liljana Cuka. Mes rafteve të pafundme të librarisë, djali që ndihmon për informacionet, e di përmendësh vendin ku ndodhet. “Kadare? Ju çoj menjeherë ta shihni!” Për libra të tjerë e autorë të tjerë, konsulton kompjuterin, por jo për Kadarenë. E njeh symbullurazi!

E ndërsa shkrimtari ynë më i mirë do të lexohet nëpër shtëpi qindravjeçare milaneze e të mbarë Italisë, do të takojë me fjalitë, historitë, rrëfimet e tij befasuese e gjeniale lexues me shije të rafinuar e të stërvitur nga Dante, Manzoni, Sciascia, Pirandello, Ungaretti, Levi, Merini, Eco etj. etj. në rrjet lexoj shqiptarë që vazhdojnë të flasin keq e me mllef. Dikush flet keq për përkthimin, dikush për Kadarenë në diktaturë, dikush për çka dëgjuar poshtë e lart, dikush për jetën e tij personale, dikush… flet keq se nuk është mësuar të flasë mirë për askënd. Liljana Cuka nuk është Jusuf Vrioni, por as Petro Zheji nuk ishte Fan Noli. Kur Zheji përktheu pjesën e dytë të Don Kishotit, dukej një tjetër libër, e megjithatë, Don Kishoti ishte ai që të gjithë dimë se është. Pastaj, një shkrimtar i mirë i kapërcen vështirësitë e përkthimeve në planet. Një shkrimtar i mirë është i tillë, pasi fillimisht, lexuesit e përthithin si gjeni e më pas e lexojnë. Të folurit keq është tashmë një “sport” i përhapur, por të vazhdohet e të hidhet mllef për shkrimtarin tonë të vetëm kandidat për çmimin Nobel, është një “sport” që na dëmton të gjithë bashkë dhe akoma nuk po e kuptojmë. Vazhdojmë të gabojmë dhe vazhdojmë të mos kuptojmë. Nuk di sa zgjuarsi tregohet të hidhet baltë mbi punën e shtëpive më prestigjoze franceze që e botuan dhe e botojnë për dekada, të hidhet baltë edhe në inteligjencën e shtëpive botuese italiane, të cilat përzgjedhin me shumë kujdes autorët nga Italia dhe mbarë bota për t’ua ofruar lexuesve italianë. E tillë është “La Nave di Teseo”, drejtuar nga Elisabetta Sgarbi dhe themeluar nga Umberto Eco. Thënë kjo, besoj se të gjithë mund ta shohim se nga anon e drejta, nëse vendosim në një kandar logjike punën kërkimore dhe intelektuale të shtëpive botuese botërore dhe nga ana tjetër, dy tre fjalë të thëna në facebook apo të shkruara si artikuj a si letra kundër shkrimtarit tonë.

Ndërsa e keqja që i bëjmë vetes është akoma më e madhe. Ndërsa sot kemi dy medalje si shqiptarë, me të cilat krenohemi botërisht: Skënderbeu dhe Nënë Tereza, Ismail Kadare do të ishte e treta, nëse do të arrinte të fitonte çmimin Nobel për Letërsinë. Por, që ta fitojë duhet ta duam me forcë të gjithë. Një fitore arrihet, nëse fillimisht është në mendjet dhe dëshirat tona, pastaj realizohet. Tamam si ftesa imagjinare për në Paris, të cilën askush nuk e kishte parë, askush nuk e kishte lexuar, por që e çoi shkrimtarin si një një teletransport fantashkence, në djepin e kulturës botërore, në kohën tonë më të izoluar.

Ne, shqiptarët bashkëkohorë, nuk duhet ta humbim këtë mundësi epokale, (institucione e individë bashkë), për të pasur një shqiptar me Nobel në letërsi. Ismail Kadare e ka nisur rrugën. Të gjithë duhet ta dëshirojmë, ta themi, të lutemi që ta marrë. 500 vjet të tjera për të prodhuar një tjetër Kadare, për një vend të vogël si i yni, janë vërtetë shumë.

a.m./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?