Një sinjal shprese? Vazhdojnë bisedimet për Ukrainën pavarësisht paralajmërimit rus

5 Shkurt 2022, 07:33| Përditesimi: 5 Shkurt 2022, 07:36

  • Share

Javën e kaluar, kur Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja hodhën poshtë kërkesat e sigurisë të Kremlinit në lidhje me Ukrainën, frika e një sulmi të afërt rus kundër Kievit u rrit.

Por në vend që të dërgonte blindat brenda territorit ukrainas, mes rritjes së shqetësimeve nga Perëndimi, Moska ‘bombardoi’ kryeqytetet perëndimore me letra diplomatike ku citonte një marrëveshje ndërkombëtare të cilën Kremlini e sheh si një argument të fortë lidhur me qëndrimin e tij në përballje.

Pavarësisht se Presidenti Vladimir Putin tha një muaj më parë se dëshironte një përgjigje të shpejtë ndaj kërkesave ruse dhe paralajmëroi se Moksa nuk do të pranonte “bisedime boshe”, në fillim të javës ai shfaqi një gatishmëri të dukshme për më shumë bisedime me Uashingtonin dhe NATO-n.

Ky lloj qëndrimi po ofron një farë shprese. Edhe pse mbi 100,000 trupa ruse janë stacionuar në kufi me Ukrainën dhe bisedimet disa javore nuk kanë dhënë fryte, të paktën Rusia dhe Perëndimi po vazhdojnë të komunikojnë. Faktin se bisedimet vazhdojnë, disa e ekspertë e shohin me optimizëm, por thonë se duhet treguar kujdes.

Ish-diplomati amerikan Jeff Rathke, president i Institutit Amerikan për Studime Bashkëkohore Gjermane në Universitetin Johns Hopkins, thotë se pavarësisht retorikës së zotit Putin, ai ka lënë të hapur mundësinë për të diskutuar në detaje për të paktën disa çështje ku Perëndimi ka qënë i gatshëm të angazhohet.

“Jemi pak a shumë aty ku kemi qënë disa javë më parë. Putini u ka lënë shteg të hapur alternativave të tij. Ai nuk ka përjashtuar bisedimet por gjithashtu nuk ka zbutur retorikën e tij të ashpër.”

Ekziston një hendek i thellë mes Rusisë dhe Perëndimit kur flitet për çështjet kritike dhe vazhdon të jetë e paqartë se mund të arrihet një kompromis.

Por vënia e theksit tek diplomacia, nga ana e Kremlinit, duket se reflekton aspiratat e Presidentit Putin për të arritur synimet e tij përmes negociatave duke përdorur dislokimin e trupave për të ushtruar trysni.

Fyodor Lukyanov, i cili drejton Këshillin për Politikat e Jashtme dhe Mbrojtëse me qendër në Moskë dhe ndjek nga afër politikën e Kremlinit, thotë se ekziston një farë shprese.

“Rusia do të vazhdojë të mbajë një qëndrim të ashpër duke lënë të kuptohet se nuk po u mbyll derën bisedimeve. Marrëveshje të tilla komplekse nuk arrihen lehtësisht. Ndaj po përdoren të gjitha metodat e bindjes, përfshirë demonstrimin e forcës.”

Rusia vazhdon të thotë se nuk ka plane të sulmojë fqinjin e saj, por kërkon që NATO-ja të ndalojë anëtarësimin e Ukrainës dhe vendeve të tjera ish-sovjetike dhe të zotohet që të mos vendosë armë atje. Kremlini gjithashtu dëshiron që NATO-ja të tërheqë trupat dhe pajisjet e dislokuara në Evropën Lindore.

Perëndimi i hodhi menjëherë poshtë kërkesat gjatë një serie bisedimesh muajin e kaluar. Por Moska kërkoi një përgjigje me shkrim, duke nxitur dyshimet se donte një refuzim zyrtar të kërkesave të saj për t'u përdorur si argument për dërgimin e trupave në Ukrainë.

Uashingtoni dhe Brukseli i dorëzuan Moskës përgjigjen e tyre më 26 janar, duke përjashtuar çdo kërkesë themelore të Rusisë, por duke mbajtur hapur mundësinë për bisedime për çështje të tjera. Mes tyre janë edhe kufizimet për dislokimin e raketave sulmuese, transparenca më e madhe për manovrat ushtarake dhe masa të tjera për ndërtimin e besimit.

Deri më tani, Presidenti Putin nuk ka dhënë përgjigjen e tij ndaj propozimeve të Perëndimit, por diplomatët rusë kanë paralajmëruar se do të jetë e vështirë të arrihet ndonjë përparim për këto çështje nëse Perëndimi vazhdon të kundërshtojë kërkesat kryesore të Moskës.

Bllokimi ka nxitur frikën e përplasjeve të afërta dhe në një telefonatë javën e kaluar, Presidenti Joe Biden e paralajmëroi presidentin e Ukrainës se ekzistonte një "mundësi e qartë" që Rusia ta pushtonte atë vend në shkurt.

Duket se për momentin Moska ka zgjedhur një rrugë diplomatike dhe ditët e fundit zyrtarët amerikanë e kanë zbutur retorikën e tyre lidhur me kohët se kur mund të ndërhyjë Rusia. Por Uashingtoni nuk është tërhequr nga urgjenca e shqetësimeve të tij.

Një javë më parë, kryediplomati rus Sergej Lavrov u dërgoi letra të reja homologëve të tij perëndimorë, duke kundërshtuar argumentin e NATO-s se çdo vend ka të drejtë të zgjedhë aleancat. Ai tha se zgjerimi i aleancës bie ndesh me detyrimet e saj për të mos forcuar sigurinë në kurriz të Rusisë.

Zoti Lavrov tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj janë zotuar të respektojnë dispozitat e sigurisë në bazë të dokumentave të nënshkruara në samitet e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, dega kryesore transatlantike për sigurinë.

“Duhet të ketë siguri për të gjithë ose nuk do të ketë siguri për askënd”, shkruan në letrën e tij kryediplomati Lavrov, duke vënë në dukje se ministria e tij do të presë përgjigjet zyrtare përpara se të këshillojë Presidentin Putin për lëvizjet e ardhshme.

Shkëmbimi i letrave mund të çojë në një fazë për një seri të gjatë argumentash enigmatikë rreth interpretimeve kontradiktore të dokumenteve të OSBE-së ndërsa Presidenti Putin ka shprehur gatishmërinë për diskutime të tilla.

Në komentet e tij të para publike që nga thellimi i tensioneve për Ukrainën, udhëheqësi rus vuri në dukje të martën se ndërsa Perëndimi refuzon kërkesat kryesore të Rusisë, përpjekjet diplomatike duhet të vazhdojnë. “Shpresoj që përfundimisht do të gjejmë një zgjidhje, megjithëse e kuptojmë se nuk do të jetë e lehtë”, tha Presidenti Putin.

Toni i qetë i zotit Putin bie në kontrast me deklaratën e tij të dhjetorit kur kërkonte një përgjigje të shpejtë perëndimore dhe se mund të urdhëronte "masa ushtarako-teknike" të paspecifikuara nëse SHBA-ja dhe aleatët e saj vazhdojnë të mospërfillin shqetësimet e Moskës.

Gjatë komenteve të kësaj jave, Presidenti Putin nuk përmendi asnjë masë të tillë, duke thënë se, “ne duhet të gjejmë një mënyrë për të garantuar interesat dhe sigurinë e të gjitha palëve, duke përfshirë Ukrainën, vendet evropiane dhe Rusinë”.

Përveç bisedimeve me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, Rusia gjithashtu u angazhua në negociata të veçanta për një marrëveshje të ngecur paqeje të vitit 2015 për Ukrainën lindore. Një takim katërpalësh në Paris midis të dërguarve presidencialë nga Rusia, Ukraina, Franca dhe Gjermania nuk solli përparim të menjëhershëm, por ata do të takohen përsëri në Berlin këtë muaj.

Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili ka folur tre herë me Presidentin Putin që nga e premtja e kaluar, do të vizitojë Moskën dhe Kievin të hënën dhe të martën në një përpjekje për të ndihmuar në zbutjen e tensioneve. Kancelari gjerman Olaf Scholz gjithashtu do të shkojë në Ukrainë dhe Rusi më 14 dhe 15 shkurt

Fyodor Lukyanov, i cili drejton Këshillin për Politikat e Jashtme dhe Mbrojtëse me qendër në Moskë, thotë se Rusia ka të ngjarë të vazhdojë të tregojë muskujt e saj ushtarakë për të demonstruar vendosmërinë. Ai vuri në dukje se Rusia mund ta përballojë lehtësisht mbajtjen e trupave pranë Ukrainës për një kohë të gjatë dhe do të vazhdojë një seri stërvitjesh për të mbajtur trysninë ndaj Perëndimit.

“Trupat mund të lëvizin pa pra probleme dhe kostro të lirë, brenda fondeve të përcaktuara për manorvra ushtarake”.

Stërvitjet përfshijnë manovra të përbashkëta luftarake gjithëpërfshirëse me aleaten e Rusisë, Bjellorusinë, e cila kufizohet në veri me Ukrainën. Zoti Lukyanov parashikon se Rusia mund të forcojë më tej lidhjet e saj me Bjellorusinë në fushën e mbrojtjes.

Presidenti autoritar i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, i cili është afruar më shumë me Moskën pasi u godit nga sanksionet perëndimore pas shtypjes së kundërshtarëve politikë, i ka ofruar Kremlinit që Bjellorusia të bëhet strehë e armëve bërthamore ruse.

"Bjellorusia do të jetë një element i rëndësishëm në lojë," tha zoti Lukyanov./ VOA

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?