Një sipërmarrës shqiptar, që prej katër vjetësh drejton si president skuadrën e Piana degli Albanesi, qytet i banuar nga një komunitet arbëresh në Siçili.
40-vjeçari Evis Troka, ka mbërritur që prej dy dekadash në Itali dhe aktualisht,, bashkë me familjarët e tij merret me biznesin e mobilimit, si dhe përpunimin e kuarcit dhe gres porcelanatit.
Biznesmeni nga Kuçova ndjehet i lumtur për rezultatet e skuadrës “San Giorgio Piana” që ai drejton, dhe që sipas tij është pjesa kryesore e grupit të ekipeve në grupmoshat nga nga U-13 deri në U-19 vjeç.
“Sapo kemi fituar kampionatin përkates të kategorisë Promovuese, duke u ngjitur në Eccellenza (kategoria e fundit diletante) – tha Evis Troka.
Skuadra e komunitetit ka në gjirin e saj jo vetëm arbëreshë, por edhe djem të zonave përreth.
Piana degli Albanesi është një komunë me rreth 5.500 banorë, të cilën vendasit e quajnë Hora Arbëreshe, si pikë referimi për të gjithë arbëreshët e Siçilisë..
Më pas Troka flet për skuadrën dhe motivet që e shtyjnë në këtë sipërmarrje sportive: “Ngjyrat e bluzës “San Giorgio Piana” janë kuq e zi, dhe stema e skuadrës nuk mund të mos ishte shqiponja me dy krerë, qe mbajmë në gjoks si mirënjohës të prejardhjes së arbëreshëve”.
Sipas djaloshit nga Kuçova “Ngjyrat kuq e zi dhe shqiponja me dy krerë që mbajmë në gjoks mbeten motivi për të cilin investoj tek kjo skuadër, sepse mbi të gjitha unë jam shqiptar”.
Evisi nuk i fsheh synimet e tij për ekipin e arbëreshëve që drejton.
“Objektivi personal është që të çoj sa më lart ngjyrat kuq e zi, dhe pse jo në të ardhmen, me ndihmën dhe afrimin e biznesmenëve, patriotëve dhe të apasionuarit e futbollit, të jemi skuadra e vetme shqiptare që militon në futbollin profesionist Italian – shprehet presidenti i San Giorgio Piana.
Ai është i lumtur për rezultatet e futbollistëve shqiptarë në Itali.
“Jam krenar pasi në të ardhmen do të kemi një ekip kombëtar pjesëmarrës dhe kompetitive, edhe në kampionatet e kontinentit apo në atë botëror – tha Evisi.
“Jam shumë optimist dhe i kënaqur me punën dhe ecurinë e kombëtares sonë – shprehet Evis Troka. Shoh shumë cilësi dhe rivalitet në grup, çka rrit konkurrencën dhe nivelin e skuadrës tonë kombëtare”.