Një ‘testament’ për diversitetin kulturor! “Rrëfime të endura” nga artistit i komunitetit egjiptian

15 Tetor, 15:38| Përditesimi: 15 Tetor, 15:47

  • Share

Janë rrëfime të sjella mbi elemente të veshjeve tradicionale të zonës së Elbasanit dhe mbi vargje poezish. Ato vijnë për publikun në formën e një ekspozite të veçantë të artistit Francesko Berati nga pakica egjiptiane.

“Këto elemente janë marrë kryesisht nga sako, nga xhybja me dragua, nga jeleku i grave të zonës dhe janë punuar me teknikë të re, që quhet taftingan dhe punohet me fije leshi dhe krijon volume të ngritura. Duke marrë këto motive mendova që të fusja edhe këngët e qytetit, sepse ne kemi pasur kompozitorë të shquar, si: Mustafa Bodini dhe Isuf Myzyri. Kam zgjedhur këngë të vjetra me shkrimin e tyre dhe i kam punuar me serigrafi”, thotë Françesko Berati.

“Rrëfime të endura” është çelur mbrëmjen e së hënës në “Parking Art Gallery” në Tiranë dhe sipas kuratorëve të saj, Armela Lamajt dhe Sead Kazanxhiu, ekspozita është një ftesë për të parë qëndrueshmërinë kulturore dhe një testament artistik i diversitetit kulturor në vendin tonë.

“Kjo ekspozitë e Françesko Beratit vjen në një moment për të provokuar edhe stilistët e tjerë, të cilët janë marrë me veshjet tradicionale të pakicave, por njëkohësisht edhe për të sjellë elementë të trashëgimisë kulturore vendase.”, shprehet Sead Kazanxhiu, kurator, nënkryetar i komitetit për pakicat kombëtare.

“Elementët që përbëjnë ekspozitën janë të ndryshëm, si në formën e atyre skulpturave të buta, që i kemi quajtur në bisedat tona, përpara se të arrinim në konceptin e punës, deri te punimet që nuk kishin një formë, por kishin brenda të  gjithë rrëfimin dhe historinë e mbartur”, thotë Armela Lamaj, kuratore

‘Skulpturat e buta’ të Françesko Beratit janë vepra që risjellin tradicionalen në një formë moderne.  Instalimet e artistit i ftojnë shikuesit të përjetojnë pasurinë prekëse dhe simbolike të tekstilit më shumë sesa thjesht pëlhurë. Duke përzier teknikat tradicionale të thurjes me format moderne artistike, ai ofron një reflektim prekës mbi rolin e artit në ruajtjen dhe transformimin e trashëgimisë kulturore.

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?