Gjyqtari i Tiranës Artan Gjermeni, i cili liroi nga qelia grupin e skandalit të publikimit të pagave dhe të dhënave personale të 694 mijë shqiptarëve, ka më shumë se dy vite që është nën verifikim nga Komisioni i Vetingut për ligjshmërinë e pasurisë, aftësitë profesionale dhe pastërtinë e figurës. Procesi i Vetingut për gjyqtarin e Tiranës ka nisur që në dhjetor të vitit 2019. Duket e dyshimtë se si ka mundësi që 26 muaj nuk kanë mjaftuar për organin e Vetingut për të thirrur në seancë dëshmore gjyqtarin Gjermeni, për të njohur me rezultatin e hetimit dhe për t’i hapur rrugë vendimmarrjes nëse ky gjyqtar duhet të vijojë të marrë vendime të diskutueshme apo duhet të shkarkohet nga detyra.
Gjatë muajt janar 2022, janë thirrur në KPK për t’u njohur me dosjen gjyqtarë, për të cilët procesi i Vetingut ka nisur në qershor të vitit 2021, ndërsa Artan Gjermeni vijon prej më shumë se dy vitesh të marrë vendime të diskutueshme. Teksa liroi nga qelia protagonistët e një prej skandaleve më të rënda të viteve të fundit, siç ishte vjedhja dhe publikimi i listës së pagave, nga ana tjetër, Artan Gjermeni, dy vite më parë, ka dënuar profesorin Ilir Ciko për një koment në Facebook, duke dalë edhe kundër prokurorisë, e cila kërkonte pafajësi për profesorin.
Gjyqtari Artan Gjermeni i ka shpëtuar disa herë veprimit ligjor. Më 22 maj 2007, ish ministri i Drejtësisë, Ilir Rusmali, i propozoi KLD+së shkarkimin e Artan Gjermenit. Gjyqtari shpëtoi për një votë, pasi kërkesa e Rusmalit u rrëzua me 6 vota kundra dhe 5 pro. Gjermeni akuzohej për parregullsi në gjykimin e anëtarëve të bandës së Aldo Bares. Në janar të vitit 2016, Gjermeni u paraqit i plagosur në QSUT, ndërsa në makinën e tij tip SMART u gjetën rreth 20 mijë euro. Gjyqtari tha që ishte prerë me një llamarinë në garazhin e tij, ndërsa për paratë se ishin kursime.
Edhe pse të dyja alibitë ishin të dobëta, Gjermeni ia hodhi edhe këtë herë pa u ndëshkuar. Ka dyshime të forta se Gjermeni është përleshur dhe plagosur nga një gjyqtar tjetër, për motive të dobëta. Artan Gjermeni ka marrë pjesë dhe ka vendosur për dosje të bujshme. Gjermeni ishte pjesë e trupës gjykuese, e cila shpëtoi nga burgimi i përjetshëm Konstandin Xhuvani, i cili vrau 4 persona.
Gjermeni ka qenë pjesë e trupës gjykues për çështjen e ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili i shpëtoi ndëshkimit ligjor, madje mori mbi 500 mijë USD dëmshpërblim. Në maj të 2019, Gjermeni la të lirë Ervis Martinajn, një nga personat e përfshirë në përplasjen e ndodhur në ish-Bllok, më 4 tetor të vitit 2018, ku mbeti i vrarë Fabjol Gaxha. Në vitin 2018, Gjermani ka marrë pjesë në procesin kur u shpallën të pafajshëm Alma Radovicka, Gazmend dhe Gëzim Radovicka, të akuzuar nga prokuroria për vjedhjen e 2 mijë m2 tokë të disa shtetasve austriakë.
Në 2017, Gjermeni ka qenë pjesë trupës gjykuese që liroi nga qelia Muhamet Licin, i arrestuar si kreu i një grupi kriminal që gjobiste tregtarët e Shkodrës. Në vitin 2016, Artan Gjermeni shpalli të pafajshëm ish-drejtorin e Tatimeve në Tiranë Ismail Muça i akuzuar se në bashkëpunim me 7 persona të tjerë nëpërmjet skemës së mashtrimeve të tatimit mbi vlerën e shtuar kanë përfituar 6 milionë euro nga buxheti i shtetit.