Rrëfime të mbledhura nga të mbijetuar dhe pasardhës të familjeve të internuara, shërbyen për të rindërtuar një nga historitë e dhimbshme të diktaturës komuniste.
Pamjet dhe dëshmitë e tyre tregojnë realitetin e rëndë të kampit të punës së detyruar në Valias, ku sipas dokumenteve arkivore të vitit 1950, ndodheshin të internuar 820 persona, mes tyre 372 fëmijë dhe dhjetëra gra.
Ethem Fejzollari, një nga të mbijetuarit, i cili ishte fëmijë në kohën kur u internua në këtë kamp, nënvizoi rëndësinë që kanë dëshmitë personale si pjesë e kujtesës kolektive.
“Dëshmitë e të mbijetuarve janë një akt domethënës për të mos harruar të shkuarën dhe për të ndërgjegjësuar brezat e rinj mbi të”, thotë ai.
Kryetarja e Autoritetit, Gentiana Sula, theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike.
“Ky kamp, ku mbi gjysma e të internuarve ishin fëmijë, mbetet një simbol i ndëshkimit kolektiv dhe traumës së shoqërisë sonë”, shprehet Sula
Kampi i Valiasit u ngrit fillimisht në vitin 1945, si pjesë e rrjetit të kampeve ku u vendosën robërit gjermanë të luftës. Më pas, aty u internuan edhe familjarët e të arratisurve dhe të dënuarve politikë kryesisht gra dhe fëmijë.
Ky kamp funksionoi deri në vitin 1952, kur të internuarit u transferuan për të vuajtur dënimin në kampe të tjera të punës së detyruar.
Komente
