Një tjetër tërmet i fuqishëm godet Afganistanin

11 Tetor 2023, 08:10| Përditesimi: 11 Tetor 2023, 08:19

  • Share

Një tjetër tërmet i fuqishëm ka goditur Afganistanin perëndimor të mërkurën në mëngjes, vetëm pak ditë pasi një tërmet paraprak vrau më shumë se 2.000 njerëz dhe rrënoi fshatra të tëra.

Tërmeti më i fundit, 6.3 ballësh, goditi rreth 28 kilometra larg Heratit, kryeqytetit të provincës Herat, sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara.

Rreth 80 njerëz u lënduan nga tërmeti i mëngjesit të sotëm, ndërsa autostrada kryesore në Herat u bllokua si pasojë e rrëshqitjes së dheut, tha të mërkurën zëdhënësi i Ministrisë për Informim të Afganistanit, Abdul Wahid Rayan.

Të gjitha 700 shtëpitë në fshatin Chahak, i cili nuk ishte prekur nga tërmeti i kaluar, u shembën të mërkurën.

Në Chahak nuk u raportua për të vdekur, pasi banorët janë strehuar nëpër tenda këtë javë, nga frika se tërmetet do të vazhdojnë ta godasin Heratin.

Zyrtarët talibanë thanë se më shumë se 2.000 njerëz u vranë në Herat si pasojë e tërmetit të fundjavës.

Në fshatrat e këtij rajoni nuk ka mbetur pothuajse asgjë, përveç rrënojave dhe funeraleve pas tërmetit të së shtunës.

Në Naib Rafi, një fshat i cili i kishte rreth 2.500 banorë, nuk ka mbetur pothuajse askush i gjallë, përveç burrave që kishin qenë duke punuar jashtë kur tërmeti goditi, sipas dëshmitarëve./REL

S.S/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?