Me rastin e vdekjes së shkrimtarit Ismail Kadare. Një përkujtim.
1.
Ishte strukur në një kthinë të hotelit “Kindli” në Zürich, jo i humbur në mendime, por i thelluar në kujtime. Në gjermanisht vepra e tij ishte botuar së pari në Gjermaninë Lindore (komuniste), mandej në atë perëndimore, mandej në Austri. Në krahasim me Fayardin e famshëm të Parisit, në botën gjermane nuk pati aq fat me botuesit. Nuk ishin as të mëdhenj, as të famshëm. Por në fund, me fillimin e mijëvjeçarit të ri (rreth vitit 2000), e gjeti botuesin në Zürich: quhej Egon Ammann, një mjeshtër i bibliofilisë dhe themelues i Ammann Verlag. Përkthyesin e kishte gjetur ngaherë. Quhej Joachim Röhm, një njohës i shkëlqyer jo vetëm i gjuhës shqipe, por edhe i kulturës, mentalitetit, historisë, madje edhe i diktaturës shqiptare. Në vitet 70-të Röhm kishte vajtur në Shqipëri dhe, mes tjerash, punoi një kohë në seksionin gjerman të Radio Tiranës. Në atë kohë Radio Tirana e propagandonte versionin e komunizmit shqiptar në së paku 20 gjuhë.
2.
Në hotel “Kindli”, në zemër të Zürichut, aty ku dilema më e madhe e shumë kalimtarëve është të blejnë një palë këpucë për 2500 franga apo një orë për 18 mijë franga, Ismail Kadare u ndie mirë; jo për shkak të luksit, por kur kuptoi se ky hotel ishte hapur më 1474, vetëm 6 vite pas vdekjes së Skënderbeut. Pastaj një histori tjetër e ktheu shkrimtarin shqiptar në humnerat ballkanike: më 23 gusht 1981 dy burra hynë në hotelin “Kindli”. Recepsionisti Stanko Nizhiq, një aktivist për mëvetësinë e Kroacisë nga Jugosllavia, mbante në duar disa pemë, kur dy burrat hapën zjarr ndaj tij dhe e vranë. Ishte koha kur shërbimi sekret jugosllav vriste kroatë e shqiptarë në Gjermani e Zvicër dhe qeveritë në Bonn e Bern mjaftoheshin me qortime të buta në drejtim të Beogradit. Ose me heshtje.
3.
Kishte humor. Terri kishte mbuluar rrugët e Zürichut, binte shi i përzier me borë, dhe ne s’po e gjenim banesën e Egon Ammannit, botuesit të Ismail Kadaresë. Njëherë u shqetësova, pastaj më erdhi turp që po silleshim vërdallë. Befas u ndal dhe tha: “E gjeta”. Nxori dorën e djathtë nga xhepi dhe bëri me gishtin tregues drejt një dritareje diku lart në pallat, e cila lëshonte një dritë. “E pashë një spageti duke fluturuar aty, Egoni më ka thënë se do të përgatis spageti për ne sonte”. Ishte një mbrëmje e bukur. Nuk më kujtohet që nga magjja e Egonit fluturuan spageti. Vera franceze ishte e mirë. Egon Ammani vdiq në vitin 2017, më parë mbylli portat edhe shtëpia e tij botuese. Por vepra e Kadaresë vazhdoi e vazhdon të botohet, tani te S. Fischer Verlage, një ndër shtëpitë më prestigjioze botuese në Gjermani, themeluar më 1886 nga Samuel Fischer, një hebre i lindur në Sllovakinë e sotme.
4.
Martin Ebel, njëri nga kritikët më të njohur letrarë në Zvicër e Gjermani, nënvizon në gazetën zvicerane “Tages Anzeiger” se Ismail Kadare shkroi letërsi botërore pa iu nënshtruar direktivave estetike të komunizmit, të cilat i kishte mësuar në Moskë, në Institutin Maksim Gorki. Nuk ka finale optimiste në veprën e tij, përfundimet janë të hapura e tragjike. Nuk ka kolektivitet të bindur në fitore, por individë që dyshojnë. Nuk ka një të vërtetë, por versione të së vërtetës. Përkundër disa kompromiseve me regjimin stalinist, në fund artisti fitoi kundër diktatorit. Letërsia e diktatura, sipas Kadaresë, janë dy kafshë të tërbuara kundër njëra-tjetrës. Plagët që i merr shkrimtari nga kjo kacafytje janë të tmerrshme. Ato që shkrimtari ia shkakton diktaturës ndikojnë më ngadalë. Por nuk shërohen kurrë. Kështu, me këto fjalë, përfundon përkujtimi nga Martin Ebel.
Në “Neue Zürcher Zeitung” veprën e Kadaresë e lartëson Karl Markus Gauss, edhe ky ndër kritikët më me ndikim të letërsisë në viset gjermanofone. Kritikët seriozë të letërsisë janë koprracë sa i përket superlativëve. Në rastin e Kadaresë, Gauss tregohet dorëlirë dhe zemërgjerë: “Ismail Kadare ishte padyshim një tregimtar epokal, i cili Shqipërinë, atdheun e tij të mallkuar dhe të dashur, i cili për ne ishte terra incognita, e vendosi në letërsinë botërore”. A ka kompliment më të madh se kur një gazetë e themeluar më 1780 të quan “tregimtar epokal”?
5.
Me largimin fizik të Ismail Kadaresë nga kjo botë, vepra e tij tani mund të bëjë rrugëtimin e saj pa e pasur roje të zotin. Jo vetëm në Shqipëri ka figura publike që nga perspektiva e rehatisë postdiktatoriale përpiqen ta reduktojnë Ismail Kadarenë në “autor të oborrit komunist”. Por kritikët e vërtetë letrarë nga bota perëndimore janë më të kujdesshëm. Karl Markus Gauss, për shembull, shkruan se është shumë lehtë ta drejtosh gishtin kundër të gjithë atyre, që kanë jetuar në rrethana pakrahasueshëm më të vështira dhe më të rrezikshme. Kjo është e vërtetë: në ferrin komunist shqiptar të shkruash e të mbijetosh nuk ishte luks, por betejë e përditshme. Kush s’e kupton këtë ende, duhet të lexojë Fatos Lubonjën e Maks Velon, të cilët vetë dhe familjarisht paguan një çmim të lartë si syrgjynë të diktaturës. Dënimi kolektiv i familjeve, ndëshkimi brutal i shtresave të caktuara, pushkatimi edhe i atyre që nuk ishin kritikë të regjimit, por të tillë i shpalli diktatori paranoik (rasti i Mehmet Shehut e të tjerëve nga byroja politike), tregojnë natyrën thellësisht mizore të nomenklaturës së kuqe antishqiptare. Se ku ishte kufiri mes talentit letrar dhe (keq)përdorimit të talentit për nevoja të politikës - kjo mbetet detyrë e studiuesve të ardhshëm. Me veprat si “Pallati i ëndrrave” Kadare përmes ecjes mbi tehun e shpatës arriti të rrezojë pak terrin e madh shqiptar. Kur kooperativa letrare e partisë prodhonte vetëm bërllok, çdo fjali e gjallë, çdo aludim, çdo zbërthim i metodave sunduese të sulltanëve osmanë ishte shkëndijë shprese që lejonte zëvendësimin e tyre, së paku në fantazi, me bartësit e terrorit komunist.
Me kujtimet e fëmijërisë te “Kronikë në gur” ai i ngriti një monument letrar Gjirokastrës, qytetit të tij të lindjes. Për mendimin tim ky është romani më i mirë i Ismail Kadaresë. Me “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” ai e ktheu letërsinë shqiptare në Perëndim duke tentuar ta shkëpusë nga stepat e realizmit socialist sovjetik dhe nga fillet e revolucionit kulturor kinez. Sa universale është vepra e tij e dëshmon romani “Prilli i thyer”: më 2001 regjisori brazilian Walter Salles e përjetësoi në shirit filmi. Tema e romanit është, në shikim të parë, thellësisht shqiptare dhe arkaike: gjakmarrja. Por letërsia e madhe e kapërcen çdo kufi e çdo pengesë. Në vitin 2022 erdhi në Zvicër regjisorja amerikane me origjinë iraniane Shirin Neshat. Erdhi për të prezantuar filmin e saj “Land of Dreams”. Dhe tha: “Jam inspiruar nga romani ‘Pallati i ëndrrave’ të autorit shqiptar Ismail Kadare”. “Land of Dreams” është shfaqur në Festivalin e Filmit në Venedik dhe në shumë kinema perëndimore. Më 1983 “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” u realizua si film me Marcello Mastroiannin e famshëm në rolin kryesor.
6.
Ismail Kadare ishte ndër mbrojtësit më të mëdhenj të Kosovës. Aq i pakompromis ishte në këtë betejë, saqë kritikët e tij edhe në Perëndim shpesh e akuzuan si nacionalist shqiptar. Nuk u hutua nga këto goditje. Pothuaj nuk ka intervistë nga fundi i viteve 1980-të deri në ditën e çlirimit të Kosovës, në të cilën ai nuk ngriti zërin kundër padrejtësive, propagandës e represionit të regjimeve serbe ndaj Kosovës. Në takime, darka, forume, konferenca me personalitete të rëndësishme nga politika e arti, ai ishte avokati më gjuhëbrisk i Kosovës. Kur politikani serb Vuk Jeremiq si kryetar i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së tha se “Kosova mund të hyjë në OKB vetëm mbi kufomën time”, Ismail Kadare i dha një përgjigje monumentale: “Zotëri, ju si tepër i jepni rëndësi kufomës suaj”.
Vizita e Kadaresë në Kosovë në vitin 1980 ishte ngjarje e madhe kulturore. Botimi i kompletit të veprave të tij nga “Rilindja” po atë vit ishte gjest fisnik e mesazh i fuqishëm kulturor e patriotik nga Kosova e asokohshme, e cila, përkundër të gjitha kufizimeve, pas autonomisë së vitit 1974 arriti një përparim të paparë më herët në historinë e saj. Në një fotografi të shkrepur me rastin e pritjes së Kadaresë në shtëpinë botuese “Rilindja” shihen, krahas shkrimtarit të madh, edhe këto figura të jetës publike kosovare: Hasan Mekuli, Ibrahim Rugova, Enver Gjergjeku, Esad Mekuli, Fadil Bujari, Ismail Berisha, Rexhep Zogaj, Nazmi Rrahmani, Azem Shkreli, Helena Kadare, Sanije Gashi.
Kur në vitet 80-të u sulmua nga qarqet nacionaliste serbe pas një paraqitjeje në një takim shkrimtarësh të Ballkanit në Bor të Serbisë, në gazetën “Rilindja” Ismail Kadarenë e mbrojti me guxim Xhemail Mustafa, atëbotë kritik letrar e publicist, pas luftës i vrarë në hyrje të pallatit ku banonte nga kriminelë që nuk u arrestuan kurrë.
Një episod (dhe vetëm një episod) mbetet kritika e pabazë e shpesh edhe cinike që Ismail Kadare ia bëri Ibrahim Rugovës te vepra e tij e shkruar shpejt e shpejt me titullin “Ra ky mort e u pamë”. Më vonë, pas luftës, Kadare shprehu keqardhje e kërkoi falje për këtë çalim. E bëri në të gjallë të Ibrahim Rugovës dhe kjo ia shton vlerën kërkimfaljes.
Në ditët vendimtare të konferencës në Rambouillet, kur delegacioni i Kosovës gati ishte paralizuar si pasojë e mospajtimeve dhe për pak nuk fluturuan taketuket kundër njëri-tjetrit, Ismail Kadare ndërhyri me takt e me fjalë të matura. Si në letërsi edhe në jetën politike Kadare ishte i aftë të përimtoj honet dhe humnerat shqiptare dhe të tregojë një shtegdalje.
7.
Besimi i tij në vlerat perëndimore, dëshira e tij që kombi shqiptar të bëhet e të jetë pjesë e pandashme e civilizimit perëndimor, e bënin Ismail Kadarenë nganjëherë paralajmërues të pareshtur rreziqesh - një nga këto rreziqe ai e shihte te neoosmanizmi, te përpjekja e Turqisë erdoganiste për ta paraqitur Perandorinë Osmane si një parajsë popujsh dhe te ndikimet negative fetare. Përkundër këtyre polemikave, që buronin nga shqetësimi se identiteti nacional shqiptar mund të tjetërsohet - kush e ka menduar, ta zëmë, se nga Kosova e çliruar nga NATO-ja dhe nga Shqipëria anëtare e NATO-s do të shkojnë në Siri për të luftuar për “Shtetin Islamik” qindra të ashtuquajtur shqiptarë? - cilësia e veprës së Ismail Kadaresë mbetet e pamohueshme. “Hero kombëtar i Shqipërisë” - kështu e cilëson gazeta konservatore gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” Ismail Kadarenë në një shkrim përkujtimor. A ka lavd më të madh? Epitete të tilla ruhen vetëm për personalitete që lidhin shekujt dhe bashkojnë epokat.
8.
Në fillim të vitit 2022 zëdhënësi shumëvjeçar i Angela Merkelit, Steffen Seibert, i dha një intervistë gazetës “Süddeutsche Zeitung”. Në pyetjen se cilat janë planet e tij për javët dhe muajt e ardhshëm, Seibert u përgjigj: “Planet e mia janë të vagullta, por edhe ato ndryshojnë vazhdimisht. Me siguri do të bëj një udhëtim me gruan time. Dhe në pranverë dua të shkoj në Ballkan, gjithsesi në Shqipëri. Kam një adhurim të madh për shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare, në gjurmët e të cilit dua të shtegtoj. Diçka më tërheq atje, nuk mund ta them çka, por jo gjithçka duhet të jetë e shpjegueshme. Tashmë kam shikuar në Airbnb”. Kjo është fuqia e letërsisë cilësore: depërton lehtësisht edhe nëpër portat e mëdha të kancelarive me pushtet. Steffen Seibert aktualisht është ambasador i Gjermanisë në Izrael.
9.
Në vitin 2022 një ndër fjalitë më të mençura mbi letërsinë e ka thënë Dua Lipa. Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Booker Prize, mirënjohjes më të lartë britanike për letërsi, Dua Lipa tha: “Të shkruash mirë domethënë: duhet të rrëfesh tregime që i ka injoruar jeta”. Dua Lipa nuk mbajti koncert, por fjalim në ceremoninë e përmendur dhe tregoi se përmes romaneve të Ismail Kadaresë kishte njohur gjuhën dhe kulturën e atdheut të saj. Vepra e Ismail Kadaresë në shumë aspekte tërheq vëmendjen e lexuesit me tregime që i ka injoruar jeta. Supozohet se Gjirokastra ka qenë e banuar që në shekullin e 3-të para Erës së Re. Shumë shekuj më vonë, më 1971, ishte romani i Ismail Kadaresë “Kronikë në gurë” që i ngriti monumentin më mahnitës artistik këtij qyteti. Kur një vepër letrare arrin të entuziazmojë edhe yje globalë të pop-muzikës si Dua Lipa, atëherë s’duhet të bëhemi merak për fatin e asaj vepre. As për amnezinë e jurisë së Nobelit. Edhe pa mirënjohjen më të lartë letrare në botë, të cilën e meritoi, gjithsesi, Ismail Kadare i përket kanonit dhe panteonit të letërsisë botërore. Ai ishte dhurata më e qëndrueshme që populli shqiptar i dha kësaj bote.
10.
Në pallatin e ëndrrave ishte fort i zgjuar. Kur thyhej prilli, fantazia e tij s’kishte kufi: skena kur i përshkruan vijat e tirqve si gjarpërinj të gjallë që nga njëra këmbë në tjetrën qëndrojnë gati për t’u kacafytur është e papërsëritshme. Hynte si minator nëpër piramidat e Egjiptit dhe nxirrte në sipërfaqe metodat e lashta të sundimit që nuk dallonin nga ato moderne. Ndihej i sigurt kur futej në kamare të turpit po aq sa kur kalonte urën me tri harqe. Dhuntia e tij krijuese gufonte si në krye të komisionit të festës po aq edhe mes krushqve të ngrirë.
Që në rininë e tij, atëherë kur njeriu ka në kokë më shumë buzëqeshjen e vajzave se historinë e largët, Ismail Kadare më 1957 e niste një poezi për një mike të tij duke i kërkuar falje Buzukut, Budit, Bardhit dhe Bogdanit: “Më falni, o të vjetër famullitarë, / Tani që shndriti hëna plot mendime; / Në shqip, un’ nipi juaj, disa radhë / Do të shkruaj për të parën miken time”. Tani trupi i tij do të niset drejt një perandorie tjetër. Dhe drita e hënës do shndris përherë mbi perandorinë e tij letrare. Për fatin e letësisë shqipe, nuk ishte uragan i ndërprerë si Migjeni. Ismail Kadare vdiq më 1 korrik 2024, në ditën e 182 të kalendarit gregorian, në moshën 88-vjeçare.