Kultura

Një varr, monedha dhe mure antike, çfarë fshihet në zonën ‘Shën Gjergjit’ në Divjakë? Flasin arkeologët e ekspeditës

17 Qershor, 16:01| Përditesimi: 17 Qershor, 16:20

  • Share

Një grup arkeologësh janë duke gërmuar prej disa ditësh në atë që njihet si zona e ‘Shën Gjergjit’ në fshatin Biçukas të Divjakës. Sipas specialistit të institutit të monumenteve të Kulturës, Mateo Profka, në këtë sit janë zbuluar struktura muresh rrethuese që i përkasin një kishe të vjetër, në brendësi të së cilës janë gjetur monedha të periudhave të ndryshme, një varr, si dhe kollona që dëshmojnë për ndërtime të hershme. Këto objekte arkeologjike pritet t’i nënshtrohen analizave të thelluara për të përcaktuar me saktësi periudhën e tyre.

Mateo Profka, specialist në Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore tha se “zbulimet në Biçukas janë prova konkrete të një qendre të rëndësishme banimi dhe besimi në kohët ilire. Objektet që kemi nxjerrë do t’i nënshtrohen një procesi të detajuar studimi për të ndriçuar më tej historinë e zonës.”

Një pjesë e konsiderueshme e këtyre zbulimeve tashmë janë pjesë e pavijonit arkeologjik në Muzeun Historik të Lushnjës.  Arkeologu Niko Ferro thotë se kjo është një nga zonat me potencial të lartë arkeologjik në Shqipëri. Ai përmend edhe lidhjet e kësaj zone me qytetin antik të Arnisës në Babunjë.

“Biçukasi dhe zona përreth kanë një pasuri të jashtëzakonshme arkeologjike. Objektet e ekspozuara në muze dëshmojnë për një zhvillim të hershëm urban dhe fetar, që lidhet ngushtë me qytetërimet ilire dhe ato më pas.”

Kodra e ‘Shën Gjergjit’, midis Lushnjes dhe Divjakës, mendohet të jetë zona më e rëndësishme për zbulimet arkeologjike, e cila mbart thesare të fshehura të historisë shqiptare të periudha mijëra vjeçare.  Pjesë e ekspeditës janë edhe studentë të arkeologjisë, për të cilët kjo përvojë në terren është një mundësi e artë për të mësuar përmes praktikës.

R.D/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se rinumërimi i 44% të kutive të votimit do ndryshojë rezultatin?