Sali Berisha dhe Endri Shabani

Një video që tregon thelbin e krizës

20 Maj 2023, 17:49| Përditesimi: 20 Maj 2023, 17:51

  • Share

Disa ditë para zgjedhjeve, në rrjete sociale qarkullonte një video e sponsorizuar nga Nisma Thurje. Video përmbante një debat mes kryetarit të saj, Endri Shabani dhe drejtuesit të Foltores, Sali Berisha.

"Ju duhet të ishit larguar që në vitin 2011", i thotë Shabani, Berishës. Dhe Berisha, i mësuar të jetë i pandikueshëm nga ndërhyrjet e të tjerëve për të vazhduar të thotë ato që dëshiron të thotë, kësaj here bëri përjashtim nga rregulli i tij.

"Si the, si the, iu kthye ai Endrit.

"Duhet të kishit ikur që në vitin 2011", përsëriti me vendosmëri Endri. "Dhe kush të vijë, të vish ti", iu kundërpërgjigj Berisha.

"Pse jo", vazhdoi Shabani.

"Provoje e votohu", tha Berisha.

Pavarësisht se një video e tillë është sponsorizuar nga kryetari i Nismës Thurja për të dëshmuar e faktuar me krenari, tek një numër sa më i madh njerëzish, "përplasjen" në fytyrën e Berishës të një vërtete të madhe, dialogu mes tyre tregon e ilustron më së miri krizën politike që ka mbërthyer opozitën në tërësi. Sali Berisha nuk dëshiron të ikë nga politika. 

As ka ikur e as do që të ikë. Provoi një herë t'a maskojë qënien e tij në politikë duke bërë sikur po ikte në 2013, por në realitet nuk ka ikur asnjë ditë prej saj. Ndërsa tani jemi në kushtet kur as nuk përpiqet fare t'a maskojë qëllimin dhe dëshirën e tij për të qenë se të ketë jetë e fuqi në politikë, në krye të opozitës. Kjo sjellje e tij është e kontestueshme në aspektin moral, pasi tashmë është e qartë për çdokënd se me këtë fizionomi që ka opozita shqiptare, ardhja e saj në pushtet është e pamundur. 

Qënia në krye të opozitës e Sali Berishës, aq më tepër në koalicion me Ilir Metën e ka mbyllur kapitullin e perspektivës së ardhjes në pushtet. Mirëpo nga ana tjetër, Sali Berisha vazhdon të mbetet një faktor elektoral. Madje një faktor i rëndësishëm elektoral. Dhe përsa kohë ka një status të tillë, ai mund të kritikohet, por nuk mund të detyrohet të heqë dorë vullnetarisht nga politika aktive. 

Dhe të gjithë ata që i'a kërkojnë diçka të tillë, pra ata që janë vetë në politikë apo kanë statusin e protagonistit publik nuk bëjnë gjë tjetër veçse marrin trajtën e qaramanit, të atij që pret akte mëshiruese. Të njëjtin gabim bën opozita në prag zgjedhjesh. Ajo kërkon largimin e Edi Ramës në emër të alternimit të pushtetit, ndonëse është e vetëdijshme që nuk e ka shkallën e besimit elektoral në atë nivel sa të marrë pushtetin. Ndaj operon me terma pa asnjë bazë logjike si "tre mandate janë shumë", "regjimi i Ramës", "demokracia e cënuar" e të tjera spekulime si këto. Por, siç ka thënë Margaret Thatcher, votat nuk bien nga pema si kumbulla të pjekura, ato duhen fituar. 

Dhe këtu dalim tek problemi kryesor që ka Shqipëria në përgjithësi dhe politika shqiptare në veçanti. Paaftësinë për të nxjerrë liderë në kuptimin e vërtetë të fjalës. Shterpësinë me njerëz konkurues e fitues. Ka shumë njerëz që vërtiten rreth e rrotull në mejdanin politik e publik, por njerëz liderë që të jenë "kërcënues" për këtë establishment të kalçifikuar prej vitesh nuk duken në horizont. Sepse lidershipi nuk është aq shumë teknikë dhe metodë, sa është të hapësh zemrën. 

Lidershipi është frymëzim, për veten dhe të tjerët. Lidershipi i suksesshëm është për jetesat njerëzore, jo për proceset. Lidershipi nuk është formulë apo program, por një aktivitet njerëzor që vjen nga zemra dhe merr parasysh zemrën e të tjerëve. Është një qëndrim dhe jo një rutinë. 

Mungesa e njerëzve të tillë në qarkullim ka bërë që ne të kemi këtë rreth vicioz, nga i cili vështirë se dalim. Kemi një mazhorancës të pathyeshme aktualisht, kemi një opozitë të pafuqishme për të konkuruar, e po kështu elita nuk përmban në gjirin e saj persona të spikatur karizmatike, që të mund të shërbejnë si katalizatorë të zhvillimeve të rën dësishme me sens pozitiv. Megjithatë të shohim e shpresojmë.

Komento

Komente

  • Arben: 21/05/2023 13:30

    Nga ato që thuhen né shkrim asgjë nuk dëgjohet në video (për dorëhejen) Ky e beri hero Saliun duke I thënë se jeni udhëheqësi me më shumë merita për 30 vjet; e quan Saliun fajtor pse nuk ka kriju kushte dhe organizmA me luftu krimin kur dihet që krimin në Shqipëri e ka krijuar, mbështetur dhe organizuar pikërisht ai, Babai I krimit, Saliu.

    Përgjigju
  • xhemal: 20/05/2023 20:00

    Po' ti shpetim ku po' e kerkon udheheqesin???? Vjen koha ,piqen kushtet e ata qe kryesojne levizjet me siguri dalin..dalin nga puna,idete per ta cuar shoqerine .,perpara..nuk behet vetem me kritika por edhe me pjesmarrje direkte ne levizjet politike...ne shqiperi eshte problem i madh shperndarja e pasurise,prodhimit qe per mua eshte shume i padrejte e le shumicen me pak mundesi shkollimi,mjekimi,edukimi,argetimi,strehimi.,financat,pasuria,Jane krijuar nga nje grup i Vogel njerezish duke shfrytezuar egersisht punen e papaguar te shumicesh,Pra nqs do kishte nje levizje politike duhet te udhehiqej nga parimet e drejtesise shoqerore,shperndarjes se drejte te punes,fitimit,te krijimit te mundesive per te gjithe per te jetuar me dinjitet ne paqe e siguri

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?