Një vit më parë i vranë të vëllanë pas konfliktit për drogën, por për Olsion Çutajn, 35-vjeç, ky nuk ka qenë një motiv për të hequr dorë nga kultivimi i kanabisi. Ai u arrestua sot, pasi në banesën e tij në fshatin Bajzë të Malësisë së Madhe u gjetën të mbjella 326 rrënjë kanabisi. Në pranga për shpërdorim detyre ra edhe kryeplaku i fshatit Bajzë, Tonin Curaj.
Vëllai i 35-vjeçarit, Vilson Çutaj u vra në malet e Dukagjinit në tetor të vitit të kaluar, bashkë me Klement Pepajn. Ata u qëlluan për vdekje nga Danjel Pepaj, i cili vazhdon të jetë ende në kërkim.
Si ndodhi ngjarja një vit më parë
Vilsoni dhe Klementi, u gjetur të pajetë në mesditën e 8 tetorit, pranë një parcele me drogë, të ekzekutuar me kallashnikov. Fillimisht Danjeli ka qëlluar mbi Vilsonin trupi i të cilit ishte bërë shoshë nga plumbat dhe më pas kishte qëlluar nga frika kushëririn e tij Klementin pas shpine. Danjel Pepaj e mbante armën të fshehur në parcelën me kanabis në afërsi të fshatit Vrith, ku ndodhi dhe ekzekutimi i dy të rinjve.
Shkaku i ngjarjes ishte parcela me kanabis sativa që Danieli u kishte grabitur Vilsonit dhe Klemedit. Danieli u rrah nga Klementi dhe Vilsoni një ish-dënuar për prodhim dhe shitje të drogës, ndërsa një ditë më pas ai i thirri dy shokët në mal, me preteksin se do t'i jepte lëndën narkotike, por aty i qëlloi për vdekje me armë zjarri