Ogerta Manastirliu

Politikë

Një vit nga zbatimi i rolit të Koordinatorit të Cilësisë, Manastirliu: Vlerësim për çdo mësues, bazuar në performancë

7 Korrik, 12:41| Përditesimi: 7 Korrik, 12:44

  • Share

Në kuadër të strategjisë “Shkolla 2030”, Ministria e Arsimit dhe Sportit zhvilloi aktivitetin kombëtar për vlerësimin e rolit të Mësuesit Koordinator të Sigurimit të Cilësisë, një vit pas përfshirjes së këtij roli si në ciklin 9-vjeçar dhe atë të mesëm.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, theksoi rëndësinë që ka ky rol për përmirësimin e cilësisë në sistemin arsimor.

“Ju jeni një pjesë shumë e rëndësishme e vlerësimit, monitorimit dhe matjes së cilësisë së arsimit në shkollat tona në rang vendi. Ky takim është jo vetëm një bilanc i punëve të mësuesit koordinator të cilësisë në të gjithë vendin, por edhe një reflektim mbi punën e mësuesve të cilët kanë marrë një rol të rëndësishëm brenda strukturës së shkollës”, tha Ogerta Manastirliu.

Ministrja Manastirliu vlerësoi përfshirjen e mbi 320 mësuesve koordinatorë në shkolla.

“Roli i mësuesve, të cilët realizojnë këtë funksion të rëndësishëm brenda shkollës është njësoj si roli i një audituesi performance brenda strukturave apo institucioneve. Ne kemi parë të arsyeshme, pas gjithë vlerësimeve që kemi bërë në këto vite, që përveç inspektimit të jashtëm që kryhet nga zyrat arsimore dhe drejtoritë rajonale, i cili është i rëndësishëm sepse krijon bazat për të përmirësuar më tej cilësinë në rang vendi, ajo që na duhet është pikërisht mundësia që ne të kemi edhe një lloj tjetër inspektimi, që është ai i brendshëm”, shtoi ajo.

Duke folur për mënyrën e ushtrimit të këtij roli, Ministrja Manastirliu theksoi se roli i mësuesit koordinator për cilësinë ka pikërisht këtë detyrë parësore: të mundet që, përmes instrumenteve standard, pyetësorëve, sondazheve, mësimit aktiv dhe vlerësimit aktiv, takimeve në departamentin e lëndëve, përmes rrjeteve profesionale, shkëmbimit të shumëfishtë, përmes takimeve me prindërit, me nxënësit dhe stafin, të nxjerrë pikat e forta dhe pikat e dobëta të performancës së shkollës në raport me mësimdhënien, cilësinë, metodologjitë e përdorura me një vlerësim që është kapilar, mbi bazë individuale.”

Më tej Ministrja Manastirliu foli për ndikimin dhe rëndësinë e punës së mësuesit koordinator të cilësisë në formimin profesional të çdo mësuesi në shkollë.

“Ju si mësues koordinator të cilësisë duhet të keni një panoramë të qartë të shkollës tuaj në raport me mësimdhënien. Për çdo mësues ju duhet të keni një pasqyrë të qartë të mënyrës së mësimdhënies, të performancës, të arritjeve të klasës në lëndë të caktuara, të ecurisë së arritjeve, të mënyrës sesi mësuesi përdor teknologjinë në zhvillimin e orëve mësimore, sesi zhvillon të gjithë ato parametra që duhen sot për të nxitur mendimin kritik, kreativitetin, për të stimuluar punën në grup. Të gjitha këto janë të rëndësishme në punën tuaj, sepse na duhen që të realizojmë për çdo mësues brenda shkollës një plan individual trajnimi dhe formimi profesional”, shtoi ajo.

Në përfundim, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu foli për nevojën e krijimit të rrjetit të mësuesve koordinatorë të cilësisë, për të siguruar shkëmbim përvojash dhe unifikim praktikash të mira në shkallë kombëtare.

Sipas një sondazhi të kryer nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar, 85% e mësuesve dhe drejtuesve të shkollave vlerësojnë se roli i Koordinatorit të Cilësisë ka pasur ndikim pozitiv në shkollë. Ky rol është perceptuar si nxitës i përgjegjshmërisë, reflektimit profesional, por edhe si një mbështetje dhe motivim për stafin arsimor.

Ndër përmirësimet konkrete të raportuara nga institucionet arsimore përfshihen: Ndihmesa në planifikimin lëndor, kualifikimi dhe zhvillimi profesional i mësuesve, përdorimi më efektiv i të dhënave për vlerësimin e nxënësve, rritje të reflektimit profesional pas vëzhgimit, si dhe nxitja e metodave aktive të të nxënit.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nis aksioni për lirimin e hapësirave publike, si e vlerësoni?