Kultura

Një vit pa Ismail Kadarenë, Pirro Misha: Vepra e tij, identitet kombëtar! Fat që patëm një nga shkrimtarët më të mëdhenj të kohës

1 Korrik, 12:13| Përditesimi: 1 Korrik, 12:20

  • Share

Një vit pa ‘zërin’ më të fuqishëm të letrave shqipe. Në këtë përvjetor të parë të ndarjes nga jeta të kolosit të letërsisë, Ismail Kadare, Akademia e Shkencave dhe Kuvendi bashkuan personalitete për të kujtuar trashëgiminë e një shkrimtari që i dha gjuhës sonë përmasat e botës.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Pirro Misha në një intervistë për Report Tv ndalet në vlerësimin e figurës së Kadaresë, jo vetëm si shkrimtar, por si shtyllë e identitetit tonë kombëtar. “Është një fat që një popull i vogël si Shqipëria, me historinë e tij, pati një nga shkrimtarët më të mëdhenj të kohës tonë”, shprehet Misha.

Por, si po e ruajmë trashëgiminë e Kadaresë? A po ia transmetojmë brezave të rinj? Dhe mbi të gjitha, a po bëjmë mjaftueshëm?

Misha e cilëson veprën e Kadaresë si një monument të pazëvendësueshëm për kulturën shqiptare. Jo vetëm për përmasat letrare, por për rolin e saj si një formë e heshtur disidence, një kundërzë ndaj ideologjisë së regjimit të kohës.

Misha thekson se shoqëria shqiptare nuk mund të mjaftohet me përvjetorë dhe aktivitete simbolike. “Ne duhet të bëjmë më shumë,” thotë ai, “veçanërisht në shkolla, aty ku formohen vlerat.”  

Intervista e plotë dhënë për Report Tv

Blerina Goce: Çfarë mund të themi së pari edhe për kontributin e Kadaresë në letrat shqipe dhe interesin që kanë këto botimet e hershme, mbase që po ekspozohen edhe në shtëpinë studio Kadare.

Pirro Misha: Për botimet e hershme është e rëndësishme gjithmonë të njohësh rrugëtimin e një shkrimtari, kështu që është një kuriozitet. Por, tërësia e veprës së Ismail Kadaresë është një monument i pazëvendësueshëm për kulturën tonë. Tashmë mund të quhet një vit pas humbjes, mund të quhet pjesë e identitetit tonë kombëtar. Është një fat që një popull i vogël si Shqipëria, me historinë e tij, pati një nga shkrimtarët më të mëdhenj të kohës tonë.

Nuk është e thënë që gjithmonë mund të dalin në një popull shkrimtarët lloj të mëdhenj. Një popull i vogël që në atë moment ishte fare pak i njohur në botë, i izoluar nga bota, me një gjuhë të vogël që gjithmonë ka vështirësi të çajë në botë, papritur bëhet nga shkrimtarët më të përkthyer dhe më të njohur, dhe më të vlerësuar në botë, për të cilin edhe kur vdiq, shkruajtën të gjithë gazetat botës. Ne duhet të jemi krenarë e ta quajmë veten fat të lumtë që ishim bashkëkohës të Ismail Kadaresë.

Blerina Goce: Ndërkohë u prek disidenca e Kadaresë. Ishte një shkrimtar disident ose jo? Do të donim mendimin tuaj...

Ka mjaft ligësi në ajo kur flet për këto ka dhe një diskutim të natyrshëm. Në radhë të parë, duhet kuptuar që Shqipëria e kohës së Enver Hoxhës nuk ishte Çekia e Václav Havel apo Polonia e kohës. Në Shqipëri ishte e pamundur të kishte disident politik të tillë si Václav Havel që ishte në burg. Ismail Kadareja nuk mund të ishte disident politik i tillë, se ishte e pamundur në atë kontekst, por vepra e Ismail Kadaresë, për të gjithë ata që kanë jetuar atë kohë, kishte komponentë të qartë disidence ndaj vizionit të regjimit për botën, ishte një lloj kundër kulture e narrativës që kishte regjimi për letërsinë. Është një vepër e cila nuk mund të quhet disidencë politike, por që kishte element të qartë politik. Sa kontestonte, vinte në dyshim gjithë narrativën me të cilën ngrihej ideologjia e regjimit.

Blerina Goce: A duhet bërë më tepër për një figurë të tillë si Kadareja, sidomos në ditë të shënuara dhe në përvjetore që brezi i ri të mos harrojë vepra, veprat e Kadaresë, por edhe figurave të tjera?

Pirro Misha: Kjo është një gjë afatgjatë. Ne duhet të bëjmë më shumë, sidomos që në shkolla, se aty është çerdhja ku mësohet dhe krijohen vlerat, ato që kemi më të çmuar, më të rëndësishme, të përcillet te brezat e rinj. Në çdo vend, përçimi i asaj që është vlera nga një brez në tjetrin është një sfidë. Nuk është fjala vetëm për ca ngjarje të tilla të cilat janë elitare, shërbejnë për televizionet, por nuk shërbejnë më tej se kaq. Problemi është që në vazhdimësi të kemi programe të qarta që vlerat tona të përçohen.

Unë pata një ekspozitë para pak kohësh në ekspozitë kombëtare për koleksione veneciane, dhe më bëri shumë përshtypje nxënësit e një prej gjimnazeve të Tiranës, që duke i shpjeguar për Buzukun dhe Bogdanin, meqë se ishin botuar në Venecia, i thanë mësueses: pse këto gjëra nuk na thonë në shkollë?

Domethënë kjo është shumë e rëndësishme. Është një mesazh që ata vetë e kuptojnë, që në shkollë duhet të jetë orientimi, duhet të tregohen ato gjëra, të ndahet e mira nga e keqja, mediokra nga vlerat. Kështu që është një sfidë e madhe, e cila për të cilën bëhet shumë pak, sidomos duke parë mënyrën se si trajtohet letërsia në shkolla. Ka ardhur koha që Kadareja, jo vetëm Kadareja, por të gjitha ato gjëra që ne kemi, vlera që është tradita jonë, duhet të zërë vendin e duhur.

SI.E./I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nis gjyqi për aferën Partizani, a besoni se do ketë drejtësi?