Gratë iraniane me posterat e viktimës, Mahsa Amini

Një vit pas vdekjes së Mahsa Aminit, Perëndimi njofton sanksione të reja ndaj Iranit! Kush ishte 22-vjeçarja që u bë simboli i revoltës së grave në Iran

16 Shtator 2023, 07:36| Përditesimi: 16 Shtator 2023, 07:38

  • Share

Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Kanadaja vendosën të premten sanksione të reja ndaj Iranit në prag të përvjetorit të vdekjes së 22 vjeçares Mahsa Amini në duart e policisë morale të Iranit, ndërsa ajo ishte në burg. Vdekja e saj shkaktoi muaj protestash antiqeveritare, të cilat u shtypën me dhunë.

Mahsa Amini vdiq më 16 shtator të vitit të kaluar pasi u arrestua nën dyshimet se kishte shkelur kodin e veshjes së Republikës Islamike të Iranit. Vdekja e saj u pasua me një nga valët më të mëdha të protestave antiqeveritare ndër vite në Iran. Forcat iraniane të sigurisë janë dislokuar në qytetin e saj të lindjes në pritje të protestave të reja këtë fundjavë.

Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Kanadaja, së bashku me Bashkimin Evropian, kanë njoftuar raunde të shumta sanksionesh ndaj Iranit, duke përmendur shtypjen e përhapur dhe shpesh të dhunshme të protestave pas vdekjes së Mahsa Aminit.

"Vdekja tragjike dhe e pakuptimtë e Mahsa Aminit në burgun e të ashtuquajturës "Policia e Moralit" shkaktoi protesta në të gjithë Iranin që u pasuan me shtypje të dhunshme, arrestime masive, ndërprerje sistematike të internetit dhe censurë nga regjimi iranian", tha përmes një deklarate Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken.

"Ne do të vazhdojmë të ndërmarrim veprimet e duhura, së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, për të mbajtur përgjegjës ata që shkelin të drejtat e iranianëve", tha ai, duke shtuar se Kanadaja, Australia dhe partnerët e tjerë do të vendosin gjithashtu sanksione të reja ndaj Teheranit këtë javë.

Ligjvënësit amerikanë kujtojnë iranianen Mahsa Amini një vit pas vdekjes

Departamenti Amerikan i Thesarit përmes një deklarate të veçantë tha se kishte vendosur sanksione ndaj më shumë se 22 personave dhe subjekteve që tha se ishin të lidhur me "shtypjen e dhunshme" të protestave në Iran pas vdekjes së Mahsa Aminit, shtypjen e protestave dhe zërave kundërshtues dhe ndërprerjen e internetit.

Në shënjestër të sanksioneve janë 29 persona dhe grupe, duke përfshirë 18 anëtarë kyç të Gardës Revolucionare Islamike dhe Forcave iraniane të Zbatimit të Ligjit, si dhe kreu i Organizatave të Burgjeve të Iranit, tha përmes një deklarate Departamenti amerikan i Thesarit. Sanksionet prekin edhe zyrtarë iranianë të lidhur me bllokimin e internetit dhe të disa mediave./VOA

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?