Foto nga protesta për Klodian Rashën që u publikua nga Reuters

Një vit protesta dhe pandemi, a i 'mundi' Rama protestat apo i 'vrau' opozita

31 Dhjetor 2020, 14:21| Përditesimi: 31 Dhjetor 2020, 14:36

  • Share

TIRANË- Në shkurt të vitit që lamë pas, kur ende nuk ishte shënuar rasti i parë zyrtar me Covid-19, para Ministrisë së Arsimit protestohej mbi dy raste dhune ndaj fëmijëve. Në protestën e inicuar nga shoqëria civile u kërkua një proces gjithëpërfshirës i vlerësimit psikologjik të mësuesve, edukatorëve dhe çdo personi tjetër, që kishte kontakt me fëmijët në mjediset e institucioneve arsimore publike në vend.

Kjo ishte protesta e parë për 2020, por jo për Ministrinë e Arsimit që ishte çuar në këmbë qysh me Paktin për Universitetin.

Marsi shënoi fillimin zyrtar të rasteve me Covid-19 në Shqipëri. U morën një sërë masash shtrënguese dhe vendi hyri në karantine, po aq edhe protestat para Ministrisë së Arsimit.

Me lehtësimin e masave, protesta u ndez. Ajo vinte sërish nga të rinjtë, që u zgjerua më tej me kategori të tjera nisur nga një ngjarje e rëndë.  

Një 65 vjeçar, roje i një shkollë në zonën e Bregut të Lumit në Tiranë kishte abuzuar seksualisht me një 15 vjeçare, nxënëse në atë shkollë. Ngjarja mori përmasa të mëdha kur në media thuheshin dëshmi se rasti në fjalë dihej edhe nga mësuesit e shkollës.

Protesta marshim “Për Fëmijërinë e Vjedhur” mori tjetër rrjedhë, duke kërkuar dorëheqjen e ministres së Arsimit, atë kohë Besa Shahini. Ajo nuk u mor asnjëherë me rastin në fjalë, por në një dalje të mëvonshme në Kuvend, Shahini do të shprehej se raste të tilla abuzimi sa herë ishin zbuluar nga stafet e shkollës, u ishin përcjellë organeve të drejtësisë. Ajo nxiti nevojën për një hetim të thelluar të gjendjes së përgjithshme nëpër shkolla.

Foto nga protesta ‘Për fëmijerinë e vjedhur”

Se çfarë u bë me këtë hetim, a nisi apo mbeti thjesht një fjalë Kuvendi, askush nuk e di. Ajo që dihet është se Besa Shahini pak reagoi (të paktën publikisht) për protestat e njëpasnjëshme. Sepse një tjetër protestë e mëvonshme shpërtheu para zyrës së saj për testin e Letërsisë nga maturantët me argumentin se testi nuk kishte lidhje me materialet parapërgatitore.

Protesta në vetvete u simbolizua me personazhin “Turi”, pjesë e pyetjeve të kontestuara nga maturantet. Asaj iu kërkua sërish dorëheqja, u thyen do xhama, ndërsa Shahini nxitoi të akuzonte partitë politike se kishin ”vjedhur” protestën. Sepse sa herë kërkohej të shuhej një zemërate, sa herë ndizej një zjarr apo thyhej një xham përdorej gjithnjë karta e gatshme; protestë  politike. Por ajo që e kundërshtoi fort këtë tezë atë kohë nuk ishte një forcë politike, por një maturante, vajza e ministrit të emëruar nga Rama, si Ministër i Mbrojtjes, Niko Peleshi, qëndrimi i së cilës u bë virale nëpër media.

Besa Shahini heshti, por reagoi Komiteti i Maturës Shtetërore kur njoftoi se procesi i shpërndarjes së notave do të rishihej për provimet e maturës, duke u tërhequr dukshëm, e duke u treguar madje më “bujare” se ç’duhej me maturantët. Besa Shahini nuk dha dorëheqjen për asnjë nga arsyet e mësipërme, por kur protesta ishte shuar, në një ditë shtatori krejt befas lajmëroi se do largohej. Ishte lodhur nga impenjimet, kërkoi t’i përkushtohej më shumë familjes që kishte në Kosovë dhe se nuk do të angazhohej as në fushatën e ardhshme elektorale.

Ajo u largua pa shënuar gjurmë, e duke lënë pas disa periudha të ndezura protestash nga studentët që pak ose aspak pyetën për pandeminë…

Foto nga protesta e maturantwve

…Ishte radha për një tjetër protestë, por jo nga studentët. Kur rastet me Covid-19 rriteshin, kur grumbullimet, tubimet dhe çdo forme tjetër proteste në kuadër ta masave anti-Covid ishte e ndaluar, naftëtarët e Ballshit të ndihmuar edhe nga aktiviste të shoqërisë civile u derdhën në Tiranë pas një proteste të gjatë në forma nga më të ndryshme, për të kërkuar pagat e tyre të prapambetura dhe rifillimin e punës së rafinerisë.

Nga ajo protestë pati 8 të shoqëruar. Protesta u shtyp shpejt pas disa përplasjesh me policinë, por nuk përfundoi.

Ata u futën në  grevë urie ku burrat u këmbyen me gratë, gjendja u përkeqësua dhe vetëm pas 26 ditësh, u arrit një marrëveshje me kryeministrin Edi Rama. Ishte vetë Rama që bashkë me Ruçin takuan një grup përfaqësuesish të grevistëve me kushtin që këta të fundit të ndërprisnin grevën. Një grevë e gjatë, ku vizitore pati edhe nga opozita përfshi Monika Kryemadhin e Lulzim Bashën e ku secili prej tyre e hiqte fajin nga vetja dhe ia mvishte kryeministrit. Edi Rama, nga ana e tij, bëri një hap pas për një çështje që në fakt për herë të parë nuk i takonte shtetit, por privatit.

Protesta që nuk mori asnjë ditë karakter politik, pati impakt të gjere në vend e veçanërisht në Fier aty ku PS-ja gëzon një mbështetje të konsiderueshme.

Rezultati? Rama ofron një marrëveshje për pagat e naftëtarëve dhe gjithçka mbyllet edhe pse partia me e madhe në opozitë u rrek të thoshte se premtimi i Ramës ishte thjesht një mashtrim. Beteja e naftëtarëve të Ballshit u mbyll në muajin nëntor.

Foto nga protesta e naftëtarëve bashkë me aktiviste të shoqërisë civile në Tiranë

Edi Rama kishte arritur një pakt dhe në të njëjtën kohë kishte “mundur” një protestë. Por nuk bëri të njëjtën gjë me Teatrin, betejën e tij personale qysh se kishte hyrë në zyrën e parë të shtetit si Ministër i Kulturës. Mëngjesin e 17 Majit, ende pa gdhirë mirë, policia ndërhyri me forcë duke nxjerrë nga mjediset ata që qëndronin brenda në mbrojtje të Teatrit. Më pas fadromat bënë punën e tyre, pas disa hilesh ligjore që qeveria me Bashkinë kishin ndërmarrë më herët.

Zona përreth u kthye në arenë përplasjesh mes protestuesve dhe policisë. Vendi sapo kishte dalë nga karantina e gjatë. Masat kishin filluar të lehtësoheshin, por tubimet ende ndaloheshin. Artistët në mbrojte të Teatrit dhe një grup aktivistësh protestuan dite më radhe para ministrisë së Brendshme dhe një toke të rrafshuar kur s’kish më asnjë tullë nga Teatri i dikurshëm.

Ndryshe nga protestat e tjera, u vu re dukshëm një pjesëmarrje e madhe e politikës. Lulzim Basha qëndroi thuajse çdo ditë me ta, (jo në kohën kur Teatri u prish) pa u përfshirë me fjalime, por prania e tij dhe funksionarëve të tjerë të PD-së tregoi mjaft. Një përpjekje e sforcuar në fakt për një kauzë që nuk u bë kurrë e PD-së. Nuk mungoi as LSI dhe Monika Kryemadhi.

Protesta filloi të kishte me shumë karakter partiak sesa qytetar dhe e humbi rëndësinë e saj, duke përfunduar me një qerre padish që Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit depozitoi në SPAK dhe përfshirjen e Robert Budinës në listat e kandidatëve për deputet të PD-së.

Rasti i teatrit ndofta është nga ato rastet se si politika (në këtë rast opozita)  mund ta “vrasë” një protestë.

Foto nga shembja e Teatrit dhe protestat

Dhe ja ku vijmë tek protesta e fundit. Kur shifrat në vend arritën majën e te infektuarve, rastet e vdekjeve u shtuan, e kur kryeministri Edi Rama ndodhej në SHBA për të negociuar për një marrëveshje të drejtpërdrejtë për të siguruar vaksinën me kompaninë amerikane Pfizer, në Tiranë, një punonjës policie qëlloi në orët e vona të natës, gjatë kohës së ndalim qarkulllimit,  25 vjeçarin, Klodian Rasha, pranë banesës së tij në Tiranë. Një ngjarje e rëndë që i vuri kapakun protestave të deritashme.

Sepse protesta shtate ditore për Klodian Rashën, e fokusuar kryesisht në Tiranë, ishte një protestë e pazakontë e iniciuar vetëm përmes rrjetesh sociale.

Drejtimin e protestës si asnjëherë tjetër e marrin grupe të rinjsh ndër ta edhe minorenë, me qëndrime dhe veprime të mllefosura. Ata kundër të gjithëve, qëlluan me gurë dhe sende të forta policinë, mësynë do zyra të institucioneve publike, dogjën kosha plehrash, shkulën pllaka, bllokuan trafikun, thyen xhamat, ndërsa Policia u përgjigjej me ujëhedhësa dhe gaz lotsjellës.

Tirana ngrysej në një atmosfere të ndezur dhe të tensionuar për disa ditë më radhë. Ministri i Brendshëm, Sander Lleshaj, ende pa shkelur Rama në Tiranë dha dorëheqjen.  Me tu kthyer ngas SHBA, Rama përcolli një videomesazh me fjalë të mirëmenduara si rrallë herë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës në anën tjetër nuk u nxitua  t’i cilësonte veprimet si “huligane” siç e kish zakon, kur i “prishej” ndonjë pllakë apo i digjej ndonjë kosh. Jo dhe jo. Kësaj here ata mbajtën një qëndrim mbrojtës, për vetë natyrën e ngjarjes dhe llojin e protestës.

Foto nga protestat për Klodian Rashën në Tiranë

Por kur politika filloi të përfshihej dukshëm (edhe pse nuk u pranua zyrtarisht) përmes protestash të organizuara kryesisht në rrethe, së fundmi rasti i Shkodrës i dha Ramës një “arme” të fortë për të drejtuar gishtin tek opozita dhe Ilir Meta se ishin ata që po bënin zallamahinë dhe jo qytetarët, se ishin ata që po përdornin minorenët si asnjë vit tjetër, se “vrasja ishte një episod i shkëputur, fatal e i dënueshëm, por pa asnjë lidhje me punën e policisë”.

Nuk mungoi as një reagim i fortë i Ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim, për të gjitha palët pa përjashtim, për ata që janë sot në pushtet dhe ata që ishin më parë.

Drejtuesit politikë e morën mesazhin, protesta po shkonte drejt zhbërjes, ndërsa Rama me kartën se politika kishte futur hundët (por edhe me reagimin represiv të Policisë ndaj kujtdo që bënte thirrje në rrjetet sociale për protesta) do të mburrej më vonë me punën e Drejtorit te Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu, duke u shprehur madje me nota euforike se edhe 500 mijë të ngriheshin në shesh ai nuk do ta largonte, siç po kërkohej nga protestuesit.

Në fakt, Edi Rama bëri shumë më shumë se aq. Vetëm me dy ditë protesta që trazoi Tiranën një moshë fare e re, e pa kontrolluar dhe krejt moskokëçarëse ndaj politikës, Edi Rama largoi ministrin e Brendshëm.

Vetëm kur politika ndërhyri, Rama ndaloi së bëri “marrëveshje”…/SI

B.K./ReportTv.al
Komento

Komente

  • edi: 31/12/2020 17:55

    Opozita qe u ngrit ne Shqiperi iste ne Pozite Por cfare mbolli e korri per vehten e saje mashtroi Popullin dhe Kombin me nje thes mielli cdo 4 vitesh dhe resultati punuan sebashku tomtilerat qe u linden e rriten dhe edukuar ne Komunizem Berisha Meta .Lulushi dhe disa qe i fryjne kavadhit demokratk qe seshte gje vetem Komuniste te ardhur nga Rregjimi Diktatorial Qe Vodhen Mashtruan dhe lane Kombin Troke U pasuruan me Vila moderne ku kane Banjo personale Qente dhe Macet SPAK ka nisur punen ne kete vit qe na erdhi Besojme dhe Kerkojm Drejtesi

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?