Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Një zgjidhje për opozitën!

20 Janar 2022, 11:01| Përditesimi: 20 Janar 2022, 11:05

  • Share

Zhvillimet e sotme në opozitë kanë brengosur jo vetëm anëtarët, simpatizantët dhe votuesit e opozitës, por mbi të gjitha kryeministrin e vendit! Shqetësimin e madh, kryeministri e bëri publik pa i mbushur 24 orë nga 8 janari i zhurmshëm ku të “dy palët” edhe sot e kësaj ditë janë të palëkundur në pozicionin e tyre! Ata që ishin jashtë thonë se nuk pati kurrfarë dhune dhe ata që ishin brenda betohen për qiell e për dhé se selia qendrore e PD nuk ka patur dyer të blinduara!

Prokurorët që po hetojnë çështjen kanë konstatuar me kënaqësi se ata që ishin jashtë i njohin të gjithë ata që ishin brenda dhe ata që ishin brenda njohin vetëm ata që ishin jashtë!

Në këto kushte ishte ndërhyrja vendimtare e Kryeministrit që sakrifikoi edhe ditën e dielë për një bashkëbisedim të sinqertë me demokratët! Ndërhyrja e kryeministrit çmohet shumë në opinionin publik sepse që nga ajo ditë ka një ulje të tensionit dhe përjashto dy – tri incidente të vogla demokratët nuk kanë sulmuar më njeri – tjetrin!

Duke qenë i ndërgjegjshëm se një qeveri pa një opozitë të fortë i ngjan njeriut që zgjohet çdo mëngjes për në pune, por nuk shkon në punë se i mungon pasqyra për t’u parë, kryeministri ka vendosur si qëllim parësor forcimin e opozitës dhe për një kohë të pacaktuar të merret me drejtimin e opozitës, pavarësisht se është votuar për të qeverisur! Kryeministri nuk do t’a braktisë qeverisjen se ky akt do të ishte i barasvlershëm me konsumimin e një tradhtie të lartë. Në kushtet kur SPAK është në përgjim dhe një gjë të vogël pret të bëjnë zyrtarët e ministrat dhe është gati t’i vere prangat, kryeministri nuk ka ndërmend të konsumojë nenin 258 të kodit penal për shpërdorim detyrë, por në anën tjetër nuk i bën zemra të lerë opozitën pa kryetar!

Kështu që për të qenë në rregull me ligjin drejtimin e opozitës do t’a bëj nga e premtja në drekë, të shtunën dhe të dielën! Kryeministri gjithashtu zotohet që çdo ditë tjetër pushimi do t’ia kushtojë opozitës! Riorganizimi, një program i mirë, premtime të besueshme dhe protesta masive ndaj keqqeverisjes janë disa nga piketat që ka fiksuar kryeministri!

Nga e premtja deri të hënën janë dy ditë të plota ndërsa nga e hëna në të premte janë 5 ditë dhe në dukje ka një zhbalancim në raportin qeverisje- opozitë!

Por duke pasur parasysh se kryeministri të hënën dhe te martën merret me çështje globale si ngrohja e klimës, terrorizmi, afganët, holokausti, pandemia, përplasja Rusi- Ukraine etj – opozita del më e avantazhuar në vëmendjen e kryeministrit! Avantazhi thellohet kur llogarit se të mërkurën Kryeministri e ka pushim dhe qeverinë (e mërkura është dita e mbledhjes së qeverisë) në mungesë dhe porosi e drejton Arben Ahmetaj!

Mbetet e enjtja dhe e premtja paradite! Dy ditë në javë kryeministri ja kushton çështjeve globale, një ditë (zakonisht të enjten) ja kushton problemeve rajonale si Ballkani Hapur dhe ndonjëherë dhe problemeve me fuqitë rajonale si Turqia! Pra kryeministrit i mbetet për qeverisjen vetëm gjysëm dite! Kështu që kritikët nuk kanë argument për të thënë se me shumë kohë i kushton qeverisë se opozitës!

Afërmendsh që vëmendja e kryeministrit ndaj opozitës do të vij duke u ulur! Por ky është një proces dhe varet sa shpejt do të forcohet opozita!

E sigurt është se në momentin që opozita bëhet një alternativë e besueshme qeverisëse, kryeministri do të heqë dorë nga parulla: opozita nuk po na qeveris mirë, parullë kjo që ka zënë rrënjë në jo vetëm në mendjen e votuesve, por edhe të protestuesve!

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?