Itali- Dy vëllezër shqiptarë janë arrestuar në Itali me qëllim ekstradimin drejt Tiranës, pasi ishin në kërkim nga drejtësia për aktivitet kriminal në fushën e grabitjes dhe të kultivimit të bimëve narkotike, në ngjarje të ndryshme.
Policia e Shtetit konfirmoi sot prangosjen në kuadër të operacionit të koduar “The Ëanted”, të
Erion Hotit, alias Erion Lamallari dhe Klodjan Hotit.
“Si rezultat i sigurimit të informacionit nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe i shkëmbimit të tij, në kohë reale nëpërmjet Interpol Tiranës, me Policinë italiane, janë lokalizuar dhe kapur në Itali dhe janë arrestuar me qëllim ekstradimin në Shqipëri, 2 shtetas shqiptarë (vëllezër) të shpallur në kërkim ndërkombëtar”, thanë burime zyrtare.
Sipas dosjes hetimore, Erion Hoti ka qenë i shpallur në kërkim me masë sigurie nga Gjykata e Durrësit, pasi në muajin janar 2022, i ka dhënë “arrest në burg”, për veprat penale “vjedhja me dhunë” dhe “përkrahja e autorit të krimit”.
Ai akuzohet se në bashkëpunim me persona të tjerë, më datë 7 shkurt 2021, ka vjedhur me dhunë një automjet, një shumë parash dhe një celular, në ambientet e një fabrike qumështi.
Gjithashtu, ka ndihmuar të fshihej shtetasin H.H, i shpallur në kërkim për veprën penale “ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve";
Kurse Klodjan Hoti, 31 vjeç, ka pasur dënim në mungesë nga Gjykata e Dibrës, që në muajin korrik 2020, e ka dënuar me 4 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale "kultivimi i bimëve narkotike".
Në vitin 2019, ai është kapur në flagrancë brenda një sere në Martanesh, ku kishte kultivuar fidanë narkotikë në 1324 gota plastike. Nga dënimi, i kanë mbetur për të vuajtur dhe 1 vit, 6 muaj e 15 ditë.
“Interpol Tirana dhe Interpol Roma po kryejnë procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve, në Shqipëri”, përfundon njoftimi i policisë.
Komente
