Iku një Papë i veçantë: Donte thjeshtësinë në kohën e luksit të shfrenuar. Donte butësinë, në kohën e arrogancës së pakufi, donte paqen kur luftërat janë në majë të gjuhës, adhuronte vëllazërinë dhe bukurinë mes racave, të ndryshmëve, të mirëve e të këqinjve. Lante këmbët e të burgosurve për të thënë se “askush nuk ka të drejtë të gjykojë ata që janë gjykuar” dhe se “gjithkush e ka të drejtën dhe shansin të rilindë pas gabimeve që ka bërë”. Iku një Papë i mirë, që ëmbëlsonte zemrat e trazuara të kujtdo.
Në mendjen e Papa Françeskut, dinjiteti dhe vlera e njeriut nuk maten sipas kritereve të pushtetit, suksesit apo pasurisë, por përmes aftësisë për të dashur, për të shërbyer dhe për të jetuar edhe në të vërtetën e Ungjillit. Njeriu është i çmuar sepse është bir apo bijë e Zotit, i krijuar sipas shëmbëlltyrës së Tij. Ky vizion pasqyrohet fuqimisht në forcën e butësisë, një virtyt që Papa e ka lartësuar shpesh si shenjë e madhështisë së vërtetë njerëzore.
“Butësia është aftësia për të qenë thellësisht i fortë, pa bërë zhurmë” — tha Papa Françesku gjatë një audience në vitin 2020, duke shpjeguar kuptimin e Lumturive ungjillore. Sipas tij, “personi i butë nuk është i dobët, por është në gjendje të vetëpërmbahet, të falë dhe të ndërtojë paqe. Ai ushtron një ndikim të heshtur por vendimtar në shoqëri, sepse është një shenjë e gjallë e mëshirës së Zotit”.
Në një botë të dominuar nga konkurrenca dhe agresiviteti, butësia shfaqet si një revolucion i heshtur. Papa e shpreh qartë këtë në nxitjen apostolike Gaudete et Exsultate të vitit 2018: “Të butët do të trashëgojnë tokën, sepse dinë të presin kohën e Zotit dhe nuk e shkatërrojnë vëllanë” (§74). Kjo sjellje e bën personin e butë një forcë pozitive për shoqërinë, të aftë për të shëruar plagë, për të shmangur konfliktet dhe për të frymëzuar besim.
Për Papën, vlera e vërtetë e një personi shfaqet në hapjen e tij ndaj tjetrit, sidomos ndaj të varfërve dhe atyre që janë lënë mënjanë. “Çdo person ka një vlerë të paçmuar, më të madhe se çdo gjë tjetër. Jeta e çdo njeriu duhet të ruhet, të respektohet dhe të dashurohet” — thonte ai në homelinë për “Ditën e Jetës” në vitin 2014. Këtu kuptohet thelbi i mësimit të tij: njeriu ka vlerë jo për atë që ka, por për atë që është.
Edhe në jetën politike dhe shoqërore, Papa Françesku ka theksuar shumë herë rëndësinë e rizbulimit të butësisë si qëndrim i zemrës. Por kjo nuk është një heshtje pasive, por një forcë aktive që “mposht të keqen me të mirën, që i shndërron konfliktet në mundësi takimi”. Një shoqëri e banuar nga njerëz të butë është një shoqëri më e drejtë, më njerëzore, më solidare.
Sipas Papa Françeskut, personi ka një vlerë të pamasë sepse është i dashur nga Zoti dhe i thirrur për shenjtëri. Butësia është një nga shprehjet më të larta të kësaj thirrjeje, sepse tregon pjekuri të brendshme, besim në Providencën dhe dashuri të sinqertë ndaj tjetrit. Sipas Tij, në një kulturë të indiferencës, butësia është një zgjedhje revolucionare që i jep peshë dhe kuptim pranisë së çdo njeriu në shoqëri.
Është e qartë që edhe në si shoqëri, do të kishim më shumë nevojë për... butësi.
Komente
