Blendi Gonxhja

Ekonomi

Njihen automatikisht periudhat e punësimit para vitit ’94, Gonxhja: Përfitojnë rreth 30.000 qytetarë

3 Shkurt, 16:17| Përditesimi: 3 Shkurt, 16:21

  • Share

Me miratimin nga Kuvendi të ligjit për njohjen e viteve të punës në institucionet shtetërore në kooperative apo ndërmarrjet bujqësore do të njihen automatikisht të gjitha vitet e punës edhe nëse nuk janë të dokumentuara nëpër regjistrat shtetërorë. 

Janë 30 mijë qytetarë që përfitojnë çdo vit nga njohja e viteve të punës edhe pse nuk disponojnë dokumente. 

Ministri i Ekonomisë Blendi Gonxhja thotë se vetëm prej këtij ligji të miratuar, shmange 3 mijë procese gjyqësore në vit, si dhe rritet vlera e pensionit për qytetarët.

Postimi i plotë: 
Parlamenti miratoi Ligjin “Për njohjen e periudhave të punësimit në institucionet shtetërore, në ish-ndërmarrjet shtetërore, në ish-ndërmarrjet bujqësore dhe në ish-kooperativat bujqësore”, një nismë e MEKI dhe ISSH, që me mbështetjen e Qeverisë sjell një zgjidhje të shumëpritur dhe përfundimtare për mijëra qytetarë të cilët, për shkak të mungesës së dokumentacionit të vjetër, janë përballur me vështirësi të mëdha në njohjen e viteve të punës për efekt pensioni.

Ky ligj:

Eliminon burokracitë dhe shpenzimet që mijëra qytetarë janë detyruar të përballojnë për të provuar vjetërsinë në punë;

Njeh automatikisht periudhat e punësimit para vitit 1994, duke shmangur proceset e gjata gjyqësore;

Përmirëson jetën e mbi 30 mijë qytetarëve që lidhin pensionin çdo vit, duke i siguruar atyre të drejtat e plota që u takojnë;

Përfaqëson një tjetër angazhim konkret për të ndarë frytet e rritjes ekonomike me të gjithë, veçanërisht me qytetarët në moshë pensioni.

Për shumë vite, një problematikë e trashëguar ka rënduar mbi qytetarët që, për shkak të keqmenaxhimit të dokumenteve shtetërore, nuk kanë mundur të dëshmojnë vitet e punës dhe kanë marrë pensione më të ulëta nga sa u takonte. Mijëra prej tyre janë detyruar të ndjekin rrugë të gjata ligjore për të fituar të drejtën e tyre, ndërsa shumë të tjerë nuk kanë pasur mundësi të kërkojnë atë që u takon.

Me këtë ligj, ky kapitull i kalvareve burokratike me mbi 3,000 procese gjyqësore në vit, e i padrejtësisë mbyllet përfundimisht!

Ky është një tjetër hap në përpjekjen tonë të vazhdueshme për të garantuar një sistem pensionesh më të drejtë dhe më të qëndrueshëm, duke i dhënë dinjitetin që meritojnë qytetarëve tanë në moshë pensioni!

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni gjendjen e sigurisë në vend?