Ata vijnë nga Korea e Jugut, dhe prej 4 vitesh jetojnë në Shqipëri. Gloria Park dhe David Kim në një intervistë në ‘’ Rreze Dielli’’ treguan për ushqimet e tyre tradicionale, si i gatuajnë ato dhe çfarë përbërësish përdorin. Tradita dhe kultura e tyre ndryshon shumë nga ajo shqiptare dhe këtë e tregojnë më së miri dhe ushqimet që përdorin e që në vendin tonë, as nuk mund t’i gjejmë përbërësit.
Gloria tregoi se ata e gatuajnë orizin si pjatën kryesore në vaktet e tyre, përfshirë mëngjesin, drekën dhe darkën dhe e shoqërojnë atë me pjata të tjera dytësore, por orizi për ta është pjata që nuk mungon kurrë në tavolinë, ndërsa jep dhe recetën se si mund ta gatuani:
‘’Nëse keni fasule ose ndonjë lloj tjetër drithëri ti mund t’ia hedhësh brenda ndërsa e gatuan dhe do të duket më e bukur dhe më e shëndetshme. ‘’
Në drekën e organizuar Gloria, vajza nga Korea e Jugut tregoi se si gatuhet një vakt i zakonshëm dreke: alga deti, oriz i thjeshtë, salcë soje dhe shumë perime, por gjithashtu ata konsumojnë edhe mishin.
Gloria tregoi se në traditën e tyre, kombinimi i ushqimeve është tepër i rëndësishëm, ata mund ta kombinojnë orizin me pjata të tjera dytësore si salcë soje me qepë, turshi lakër me pudër speci pikante.
Ndërsa Gloria tregoi edhe për rregullat që përdorin në tavolinë:
‘’ Ka një rregull kur ka pjesëtar kryetar të familjes ose më i madhi në moshë si babai apo gjyshi, presim të ulet ai i pari dhe pastaj nëna, fëmijët.’’
‘’ I pari më i madhi, në momentin që ka ngritur lugën dhe e ka futur në gojë atëherë mund të ngresh shkopinjtë apo lugën dhe të tjerët që janë në tavolinë. Në të kundërt duhet të presësh, sidomos më i vogli duhet gjithmonë të presë’’ shton më tej, Era Bogdani mikja e çiftit korean e cila njëkohësisht është mjaft e apasionuar pas kulturës koreane.