Në zemër të natyrës dhe historisë, Zogaj priti vizitorë dhe dashamirës të trashëgimisë kulturore që u njohën nga afër me jetën, traditat dhe mjeshtërinë e banorëve të zonës. Programi përfshiu një seri aktivitetesh që sollën në vëmendje bukuritë natyrore, jetën e përditshme dhe pasuritë shpirtërore të komunitetit: guida lokale në rrugicat e fshatit dhe në pikat karakteristike pranë liqenit të Shkodres, rrëfime historike, kinema në natyrë, punëtori artizanale, degustime të gatimeve tradicionale.
“Është bërë aplikimi për fshatin më të mirë turistik në botë. Shqipëria kunkuron me 6 fshatra dhe Zogaj është një ndër to”, tha Gent Fetahaj nga “GIZ Albania”.
Për banoret liqeni i Shkodrës është konsideruar si pjesë e identiterit të tyre ndaj ata e ruajnë me fanatizem nga peshkimi i paligjshem dhe pa kriter.
“Ne e kemi konsideru liqenin tonin, nuk kemi gjuajtur me dinamit e gjenerator për të mos dëmtuar krapin”, tha Jup Rilla, banor i zonës.
Përmes një panairi artizanati të kuruar me shumë kujdes, fshati tregoi mjeshtërinë e dorës shqiptare, ku rolin kryesor e zunë qilimat , një trashëgimi e vyer që përcillet brez pas brezi dhe që përfaqëson identitetin dhe artin vendas në formën më autentike. Të endur me ngjyra dhe motive karakteristike, qilimat e Zogajt ishin simbol i një kulture të gjallë që ruhet me krenari në çdo familje të zonës.
Atmosfera u gjallërua me tingujt e muzikës pranë bregut të liqenit. Ndërkohë, xhirot me varka mbi ujërat e qeta të liqenit ofruan një përjetim të rrallë të natyrës dhe reflektuan harmoninë që ky fshat ofron mes traditës dhe qetësisë.
Zogaj, fshati piktoresk buzë liqenit të Shkodrës, u kthye për dy ditë në një qendër të gjallë të kulturës, turizmit dhe trashëgimisë shqiptare përmes eventit “Tregime Fshati”, që u zhvillua më 13 dhe 14 Qershor. Ky aktivitet është pjesë e iniciativës “N’Fshat”, e ndërmarrë nga GIZ Albania dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, që prej vitit 2022 synon të krijojë modele të qëndrueshme të zhvillimit rural duke fuqizuar komunitetet lokale dhe vlerat e tyre autoktone.
Komente
