Të guximshmet e fushës së blertë! Vajzat e futbollit që nuk njohin pengesa (VIDEO)

3 Mars 2019, 15:56| Përditesimi: 3 Mars 2019, 16:56

  • Share

Eriola, Esi, Mesuare dhe Riselda janë 4 vajza të guximshme që luajnë për skuadrën Tirana A.S, të cilat ëndrrën e tyre e kanë kthyer në profesion. Edhe pse të vogla në moshë, ato kanë bërë një rrugë të gjatë për të promovuar futbollin, që iu përket dhe atyre, vajzave.

Disa prej tyre kanë luajtur edhe në skuadra mjaft të rëndësishme. Ato tregojnë se përveç pasionit, shtysë e madhe për ta vazhduar këtë rrugë ka qenë dhe dëshira për t'i bërë më të dukshme vajzat në futboll dhe për të thënë “Na llogaritni edhe ne!”

Le të njihemi më mirë me disa prej vajzave të skuadrës Tirana A.S.

Intervistën e nisim me Erjola Memën. Ajo është 23-vjeç dhe është kapitene e skuadrës Tirana A.S. Pavarësisht se ka  mbaruar studimet për Inxhinieri matematike, pasioni i saj është futbolli, dhe këtë pasion e ushtron më së mirë.

Erjola Mema, kapitene e skuadrës Tirana A.S: “Kam mbaruar bachelor dhe master për këtë degë. Pasioni për futbollin ka nisur nga babai im, sepse ka qenë futbollist dikur, dhe kjo pjesa e shkollës që është në veçanti, ka qenë kusht nga babai im, që edhe duhet të mësoja por edhe të luaja sport. Për këtë arsye i kam vazhduar të dyja. Në fillim kam luajtur vetëm për djem, nuk kishte vajza. Më ka dërguar babi te një ekip aty afër shtëpisë dhe gjithmonë shoqërohesha me babin që shkoja në stërvitje se më shikonin të tjerët çuditshëm që isha vajzë. Në fillim ka qenë pak e vështirë, por duke qenë se kisha babin, thoja rëndësi ka që më mbështet ai. Do i zgjidhja edhe punën si inxhiniere dhe sportin. E kam nisur me të dyja, dhe do e përfundoj me të dyja”.

Esi Lufo, sulmuese në skuadrën Tirana A.S: “E kam nisur në moshën 5-vjeçare duke luajtur me shokët e lagjes. Ka qenë një passion qe në fëmijëri për të luajtur futboll. E3 kam trashëguar nga babi. Duke luajtur që e vogël, pasi u rrita qartësova dhe idetë e mia se çfarë duhet të behesha dhe kuptova që sporti që më pëlqen është futbolli. Përpara se të luaja me Tirana A.S, unë kam luajtur me skuadrën e Kinostudios si sulmuese, ka qenë ndeshja ime e parë që luaja në Fier, në gjysëmfinale Kupe, duke u future nga stoli si rezervë duke qenë se isha më e re. Shënova dy gola, fatkeqësisht humbëm por jam e lumtur që bëra një performancë shumë të mirë. Ka ndodhur që jam paragjykuar, pasi disa njerëz të mi të afërt nuk u ka pëlqyer zgjedhja ime, cilësohej si sport për meshkuj. Kam ndjekur rrugën time pa dëgjuar shumë kritikat apo mospëlqimet e të tjerëve, duke qenë këtu ku jam sot. Babi ka qenë përkrahja më e madhe, kam pasur pak mamin kundër por tani mami është fanse më e zjarrtë e imja. Kam qejf të luaj në Europë, për tu bërë futbolliste profesioniste, pse jo të bëj karrierë”.

Riselda Lebaj, mesfushore në skuadrën Tirana A.S: “Futboll kam nisur të luaj që në vitin 2011, fillimisht pjesë e ekipit të djemve dhe më pas pjesë e vajzave. Më shumë e paragjykuar kam qenë e mbështetur, sepse në rrugët kur shkoja për stërvitje që më shihnin gjithmonë kisha mbështetje dhe më njihnin, ja kjo goca që luan më thonin. Edhe për mua babi ka qenë mbështetja ime më e madh, pastaj mami e gjithë të tjerat. Moment më emocionues do konsideroja atë të finales së kupës së vjetshme me Vllazninë dhe ndeshjen e kaluar me kombëtaren se e nisa si titullare”.

Mesuare Begallo është vetëm 19-vjeç. Ajo sot feston ditëlindjen dhe një ditë e veçantë për të nuk mund ta gjente veçse në fushë, duke u përgatitur për derbin e radhës.

Mesuare Begallo, sulmuese e skuadrës Tirana A.S: “Hapat e mia të parat fare kanë qenë në moshën 5-vjeçare. Unë jam nga Fieri dhe e kam nisur atje futbollin, në një fushë afër shtëpisë sime. Kam luajtur me çuna fillimisht të grupmoshave të ndryshme.Jam ndarë nga familja në moshën 12-vjeçare për të ndjekur futbollin në Tiranë, pasi Fieri nuk kishte ekip femrash. Familja më ka mbështetur gjithmonë, tani më mbështet edhe më shumë. Gjithçka më pëlqen te futbolli, duke filluar nga momentet më të bukura, emocionet që të jep. Dëmtimet janë të pashmangshme, çdo javë dëmtohemi dhe mami si gjithmonë më thotë të kam thënë 100 herë. Ëndrra është shumë e madhe për të qenë profesioniste nëpër botë por kjo mbetet për tu parë. Nuk e kam pasur problem opinionet e ndryshme.

Për trajnerin Kol Kamshi i cili ka më shumë se 5 vite në këtë profesion është kënaqësi e madhe të punosh vetëm me vajza. Ai na tregon përkushtimin që kanë vajzat në fushë, duke mos pasur asnjë dallim nga djemtë.

Trajneri i skuadrës Tirana A.S: “Të punosh me femra ka mbi të gjitha një qetësi. Nuk ka asnjë vështirësi pune. Unë kam 22 femra në ekip dhe jam trajner me fat se për çdo gjë më dëgjojnë, nga fillimi i stërvitjes deri në fund, kështu që nuk është fare e vështirë. Kemi përfunduar edhe kupën ku dolëm gjysëmfinalistë, tani kemi fazën e dytë, kemi një ndeshje me ekipin kampion që është Vllaznia dhe po bëjmë përgatitje intensive. Futbolli është për djemtë, por u bënë 10 vite në Shqipëri që  kjo hipotezë ka rënë dhe ka shumë interesim nga femrat. Që nga viti 2007 është ekipi Tirana A.S dhe ekipe të tjera, ekipi kombëtar etj. Kjo tregon që ka shumë interesim nga femrat.

Të reja dhe mjaft të talentuara, këto vajza na dhanë të gjithëve mesazhin se për të arritur atë që do në jetë nuk mjafton vetëm talenti, por edhe guximi për ta kaluar çdo vështirësi dhe paragjykim.

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?