Drejtoria e Përgjithshme Detare ka lajmëruar ditën sotme se në datat 9, 10, 11 dhe 12 të këtij muaji do të ndalohet dhënia e leje – nisjes për të gjitha mjetet e vogla lundruese, anijeve të peshkimit që operojnë përgjatë bregdetit shqiptar.
Vendimi vjen si pasojë e motit të keq që pritet të pushtojë vendin përgjatë këtyre datave.
Ndër të tjera, Drejtoria e Përgjithshme Detare shprehet se anijet e transportit ndërkombëtar detar për pasagjerë dhe automjete momentalisht do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.
Po ashtu, në deklaratë thuhet se përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë mbas orës 06:00 të datës 12.02.2024.
"Njoftim për kushtet hidrometeorologjike të përkeqësura gjatë datave 09-10-11-12.02.2024 !
Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike të përkeqësuar përgjatë bregdetit Shqiptar gjatë datave 09-10-11-12.02.2024 duke filluar nga ora 14:00 datë 09.02.2024 në drejtimin Jug-Jug-Lindje, Jug-Jug-Perëndim në forcën deri 8-9 deri 10bft me shpejtësi ere deri 35-45m/s dhe lartësi dallge nga 3.50 deri 4.50 metra.
Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritje e gadishmerisë së ekuipazhit në mjetet lundruese.
TË NDALOHET DHËNIA E LEJE - NISJES GJATË DATAVE 09-10-11-12.02.2024 DUKE FILLUAR NGA ORA 14:00 DATË 09.02.2024 PËR TË GJITHA MJETET E VOGLA LUNDRUESE, ANIJEVE TË PESHKIMIT QË OPEROJNË PËRGJATË BREGDETIT SHQIPTAR DHE TË JENË NJOFTUAR PËR MARJEN E MASAVE PËR SIGURIMIN E TYRE.
Anijet e transportit ndërkombëtar detar për pasagjer dhe automjete momentalisht do të vazhdojnë të operojnë normalishtë sipas destinacioneve përkatëse,nese do te kete ndryshime oraresh apo nderprerje te lundrimit do te njoftojme .
Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë mbas orës 06:00 të datës 12.02.2024",-thuhet në njoftim.