Kosova & Rajoni

'Njohët Kosovën shtet', Vuçiç heq dorë nga zhvendosja e ambasadës serbe në Jeruzalem

1 Korrik 2021, 14:53| Përditesimi: 1 Korrik 2021, 14:58

  • Share

Serbia ka shkelur një nga pikat e marrëveshjes së 4 shtatorit në SHBA, pasi sot është afati I fundit që ambasada e Serbisë të zhvendosej nga Tel Avivi në Jeruzalem . Me sa duket ata nuk kanë në plan të ndërmarrin një hap të tillë dhe për këtë presidenti serb Aleksandër Vuçiç fajëson Izraelin, pasi ata kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe kanë vendosur marrëdhënie diplomatike.

"Mos u shqetësoni për pozicionin e Serbisë. Ne do të qëndrojmë edhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, por edhe me interesat e Serbisë dhe këto interesa kanë ndryshuar që kur Izraeli njohu pavarësinë e Kosovës. Respektojmë miqësinë me Izraelin, por duke respektuar edhe veten. Ju nuk mund të na thoni - ne kemi njohur pavarësinë në një pjesë të territorit tuaj dhe tash ju urdhëroni", tha Vuçiç.

Afati përcaktohet në bazë të Marrëveshjes së Uashingtonit për normalizimin e raporteve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë e nënshkruar më 4 shtator të vitit 2020, nga presidenti Vuçiç dhe kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti.

Dokumenti kishte 15 pika të njëjta që Serbia dhe Kosova nënshkruan me Shtetet e Bashkuara, por pika e fundit e dokumentit ishte e ndryshme. Kosova nënshkroi për njohje të ndërsjellë me Izraelin ndërsa Serbia se do të zhvendoste ambasadën në Jeruzalem, deri më 1 korrik 2021. Statusi i Jerusalemit është një nga pikat qendrore të konfliktit të gjatë mes Izraelit dhe palestinezëve. Palestinezët e pretendojnë Jeruzalemin lindor si kryeqytetin e shtetit të tyre të ardhshëm.

Më 30 qershor, Shtetet e Bashkuara thanë se presin që Kosova dhe Serbia t’iu përmbahen detyrimeve të marra në Uashington më 4 shtator 2020.

"Shpresojmë që partnerët tanë të veprojnë me mirëbesim dhe të vazhdojnë t'iu përmbahen detyrimeve të marra përsipër në Uashington", thuhet në një përgjigje të Departamentit amerikan të Shtetit për Zërin e Amerikës.

Administrata e ish-presidentit amerikan Donald Trump pranoi Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit më 2017 dhe në maj 2018, ambasada amerikane u zhvendos nga Tel Avivi në Jerusalem. Bashkimi Evropian thotë se statusi i Jerusalemit nuk është i zgjidhur dhe kundërshton hapjen e ambasadave në atë qytet.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?