‘Noe’ e Gaz Lekës për aleancën e prishur midis njeriut dhe mjedisit

16 Nëntor 2020, 16:05| Përditesimi: 16 Nëntor 2020, 16:28

  • Share

Piktori Gazmend Leka çel ekspozitën “Noe” në galerinë e Fakultetit të Arteve Pamore. Në 24 tablo artisti rrëfen aleancën e prishur mes njerëzve me natyrën, një realitet sa universal, por aq dhe shqiptar, ku në imazhet e errëta dhe të ujshme, vihen re figura që pulsojnë përhumbur mbi sipërfaqe, e që sipas kuratorit të ekspozitës Ermir Hoxha, ndjellin papritur rrugët e zbrazura, maskat asfiksuese dhe absurdin e një realiteti frike. Për Ermir Hoxhën përmes mjeshtërisë piktorike të Lekës, lagështira dhe drama e kësaj ekspozite, që reflekton në optikën e gjithkujt, pashmangmërisht realitetin që na vjen nga përmbytjet e përvitshme të qyteteve e fshatrave tona. Ekspozita “Noe” është një trilogji që paraprihet nga dy ekspozitat e mëhershme të Lekës, “Lutja”, që piktori ia dedikoi “heshtjes së madhe ” dhe “Dhoma e hapave të humbur”, që në vëmendje kishte pastrimin e shpirtit.

“’Noe’ është binjakëzim midis një realiteti shqiptar, veçmas të këtyre 30 viteve të fundit, përmbytja, por edhe me një rikujtim nga Testamenti i vjetër. Duke e ditur se njerëzit e njohin mirë personazhin e Noes nga Testamenti i vjetër, zgjodha që t’i vendos këtë titull ekspozitës. E nisa me përmbytjen dhe e vazhduar me shpëtimin, për të bërë një lloj kat’harsi të qenies”, rrëfen piktori Gazmend Leka.

Dhimbjet që ka përjetuar shoqëria shqiptare nga këto përmbytje, piktori i ka spostuar për të realizuar krijimet e tij, por ai nuk heziton të na thotë, se për këtë situatë, faji është edhe i vet shqiptarëve.

“Populli shqiptar i ka provuar në vet të parë këto lloj tmerresh. Ne që banojmë në kat të pestë nuk e ndjejmë këtë, por ai që banon në këto fshatra tronditet. Unë e ndiej shumë emocionalisht vuajtjen e tjetrit, por në pikturë e spostoj këtë dhimbje. Pavarësisht se mund të jetë edhe faji ynë si shqiptar, që kemi mbyll kanalet kulluese. Por, kur kjo ndodh ccdo vit, mendoj se shteti duhet që të jetë i kujdesshëm. Nuk ka përse të ndodhin këto lloj përmbytjesh. Ky tmerr ka qenë refren. Dëshira ime është që të mos ndodhin këto”, tregon Leka.

Piktori mendon se kur njeriu trajton natyrën si skllave të vetën, kjo herët a vonë do t’i kthehet mbrapsht.

“Njeriu përpiqet që të jetë Zot i natyrës, duke e trajtuar atë si skllav. Kjo gjë i është kthyer për keq. Kot nuk thonë, që “Pe-u këputet në të hollë, por zullumi në të trashë. Zullumin kam bërë unë”.

Ndryshe nga dy ekspozitat e mëparshme, ku Leka ishte dëshmitar, kësaj herë vjen vetëm si krijues, duke zgjedhur që njeriu të simbolizojë arsyen, që tenton të shpëtojë kafshën, instinktin.

“Unë nuk jam dëshmitar këtu. Jam krijuesi i diçkaje që dua të duket. Njeriu është simbol i arsyes, kafsha i instinktit. Njeriu edhe kafsha përbëjnë një qenie. Njeriu po shpëton kafshën. Po shpëton një qelizë, që duhet të shpëtojë klonet e tjera. Vë re se kur njerëzit ndodhen në situata të këqija, nisin dhe pendohen. Por, kur gjithçka mbaron, nuk bën asgjë për të mos përsëritur gabimin”, thotë Leka

E përpos sjelljes së njeriut në raport me natyrën, e pashmangshme tek shqiptarët, mbetet veçmas ruajtja e zakoneve edhe në ditët e tij më të vështira.

“Kam parë dhe foto që kur gazetarët shkojnë për të filmuar një fshatar u del një grua me një tabaka në duar, që t’u ofrojë raki. As në ato momente njeriu nuk i ndal zakonet e tij. Ka dhe një moment shakaje, një tallje me atë që u ka ndodh, se nuk dinë çfarë të bëjnë më”, përfundon Leka.

Ekspozita do të vazhdojë që të qëndrojë hapur deri në datë 30 nëntor në galerinë Fakultetit të Arteve Pamore.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?