TOKIO, Japoni - Boksieri japonez Jin Sasaki ka humbur kujtesën dhe nuk mban mend gjashtë javët e shkuara pas një nokauti (K.O.) të rëndë në përballjen për titullin botëror ndaj Brian Norman Jr, në Tokio.
Në përballjen e zhvilluar javën e kaluar, 23-vjeçari u rrëzua në raundin e pestë nga një goditje e fuqishme me të majtën e amerikanit Norman, që e goditi drejtpërdrejt në mjekër. Sasaki ra pa ndjenja në ring dhe qëndroi i palëvizshëm për disa minuta, përpara se të transportohej me barelë jashtë ringut nga personeli mjekësor.
Sipas presidentit të palestrës ku stërvitet Sasaki, Issei Nakaya, boksieri ka humbur kujtesën për një periudhë që përfshin pjesën më të madhe të muajit maj, përfshirë edhe vetë ditën e ndeshjes. "As nuk më kujtohet që kjo ishte një ndeshje për titull", thuhet se i ka thënë ai stafit të tij pas përballjes.
Skanimet mjekësore nuk kanë zbuluar dëmtime të brendshme serioze apo gjakderdhje në tru, por mjekët kanë konstatuar një traumë të fortë në pjesën e pasme të kokës, e cila ka sjellë humbje të përkohshme të kujtesës.
“Nuk kishte lëndime të dukshme fizike, por ai do të vazhdojë të mbahet nën vëzhgim dhe do t’i nënshtrohet kontrolleve të tjera mjekësore”, tha ekipi i tij në një reagim.
Dueli ishte i ashpër që nga fillimi dhe Sasaki u rrëzua dy herë që në raundin e parë, duke e pësuar rëndë nga forca e kundërshtarit, i cili mbrojti me sukses titullin.
Ngjarja ngre edhe njëherë alarmin mbi rreziqet shëndetësore të sportit të boksit, ndërsa e ardhmja e Jin Sasakit në ring mbetet e paqartë. Të gjithë sytë tani janë te rikuperimi i tij i plotë.
Komente
