Politikë

Non grata i mbetet në fuqi, por PD ‘feston’ pas deklaratës së gazetarit amerikan: Berisha mund të hyjë në SHBA

8 Maj, 14:50| Përditesimi: 8 Maj, 17:32

  • Share

Një postim në X i një gazetari amerikan Marc Caputo, ku ai pretendon se kishte pyetur Departamentin Amerikan të Shtetit për Berishën dhe dikush atje i kishte thënë se kryetari i opozitës shqiptare mund të udhëtonte drejt SHBA, në Tiranë PD e festoi me të madhe.

Në një deklaratë zyrtare Partia Demokratike e cilësoi kthim të legalitetit, një të drejtë të rivendosur dhe për këtë ka falënderuar administratën Trump për qëndrimin sipas tyre të drejtë dhe parimor.

PD nuk përmend në asnjë rresht termin ‘non grata’ të vendosur me vendim të Sekretarit të Shtetit, duke konfirmuar në të vërtetë se vendimi i Blinken mbetet në fuqi, por ai mund të marrë lejë për të udhëtuar në SHBA.

“Partia Demokratike vlerëson dhe përshëndet qëndrimin e Departamentit të Shtetit, të bërë publik nga media amerikane, si të drejtë dhe kthim të legalitetit, të marrë peng nga administrata Biden me lobimin e George Soros dhe Edi Ramës.

E drejta ka vonuar, por është vënë në vend, falë administratës së Presidentit Trump, fitorja e të cilit i ka shërbyer botës së lirë, me mesazhin e fortë dhe të drejtë, që u përsërit edhe në fjalën e zv. Presidentit Vance në Mynih.

Partia Demokratike, në emër të kryetarit të saj, Sali Berisha, të 26 partive të koalicionit, dhe të demokratëve, që mbajtën barrën e qëndresës, falenderon Deparatamentin e Shtetit për qëndrimin e drejte dhe parimor!

Nuk është liria për të udhëtuar e Sali Berishës, që është penguar këto vite, por është liria e popullit shqiptar për të zgjedhur udhëheqësit e vet, dhe për të pasur një opozitë që nuk e emëron pushteti.

Amerika nuk është e panjohur me këtë skenar, siç e ka dëshmuar katër vitet e fundit në gjuetinë e shtrigave kundër Presidentit Trump.

Sekretari i Shtetit, Republikani James Baker, e pat thënë, në Sheshin “Skënderbej”, 34 vite më pare: “liria funksionon”.

Ajo funksionoi edhe sot”,  thuhet në deklaratën e PD. 

Pikërisht kështu shkruhet postimin e gazetarit Caputo kur citon përgjigjen që sipas tij i kanë dhënë nga DASH: "Ne rregullisht japim përjashtime për të lehtësuar udhëtimin e individëve të caktuar në SHBA, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare dhe interesat tona kombëtare”

Pra, kontrata 6 milionë dollarëshe e Berishës me Continental Strategy rezultoi në një postim të tillë dhe PD u kënaq me kaq. Një tentativë për të shitur një realitet të gënjeshtërt, që e bën edhe më qesharake ‘luftën’ e Berishës për të zhbërë një damkë matanë oqeanit, si qëllim të vetëm të tij.

Mjafton një kërkim i thjeshtë në Facebook dhe kupton qartë se SHBA-të kanë dhënë shpesh viza hyrjeje edhe për politikanë të tjerë të shpallur persona non grata, për të marrë pjesë, për shembull, në mbledhjet e Këshillit të Kombeve të Bashkuara. Vendimmarrje kryesisht për diktatorë nga e gjithë bota, të cilët gjithsesi kanë mbetur persona non grata për Uashingtonin.  

Pra, postimi i gazetarit amerikan edhe pse qëllimin e kishte të ndryshëm, në thelb konfirmoi edhe një herë se Sali Berisha nuk mund të shkojë në SHBA si qytetar ui lirë, por me leje të posaçme pasi mbetet non grata.

Tentativën e Berishës për ta shitur këtë postim si heqje të ‘Non grata’ e komentoi me ironi edhe kryesocialisti Rama Rama.

“Thashë se ia hoqën vërtetë damkën të shpëtonte Shqipëria nga një turp i pashembullt, po aha, hiç, qenkej një tjetër nga ato talljet e Bufit me lukuninë e Kënetës, ku mbetet gjithnjë i palëkundur besimi se po e tha Bufi fluturon edhe gomari…”.

SI.E./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju është dukur fushata zgjedhore?