Politikë

'Non grata', dosjet mbi aferat e klanit Berisha! Privatizimi i 'Kompleksit Partizani', si Berisha eliminoi zyrtarët që s'firmosën në favor të Jamarbër Malltezit dhe ndëshkimi i gjeneralit që i rezistoi presionit

21 Maj 2021, 19:26| Përditesimi: 22 Maj 2021, 16:12

  • Share

Pas 30 vitesh jetë politike aktive, Departamenti Amerikan i Shtetit deklaroi Sali Berishën si person "non grata", duke akuzuar se ka përdorur institucionet publike për të pasuruar vetveten, aleatët e tij politikë dhe familjen e tij në vitet kur ishte kryeministër i vendit nga 2005 deri në 2013. Bashkë me të janë futur në listën e zezë edhe bashkëshortja Lirie, djali Shkëlzen dhe e bija Argita Berisha Malltezi.

Pikërisht disa prej aferave të shumta të ish-kryeministrit, Report TV i dedikoi dy investigime të gjata, duke zbuluar për herë të parë llogaritë e familjes: që nga klientët miliarderë të Argita Berishës, që i paguanin fatura të bijës në këmbim të favoreve të babait, në lumin e milionave të eurove që dhëndrri Jamarbër Malltezi ka investuar në ndërtimin e dhjetëra kullave në zemër të kryeqytetit pa treguar asnjëherë origjinën. Pesë emisione me akuza eksplozive dhe dokumente të pabotuara më parë që shpjegojnë vendimin e bujshëm të Departamentit të Shtetit, i destinuar të ndryshojë rrjedhën e historisë së politikës shqiptare. Nga 20 maji deri të hënën 25 maj, çdo ditë rreth orën 19.20, ekskluzivisht në Report TV.

Shqiptarja.com po risjell një nga investigimet e kryera nga Report Tv lidhur me të gjitha dosjet mbi privatizimin e '' Kompleksit sportiv Partizani ''  që Sali Berisha në 2009 ia dha dhëndrit të tij Jamarber Malltezi e një grupi ish pronarësh të pretenduar. Dje Report Tv risolli pjesën e parë të investigimit! Në pjesën e dytë të investigimit  tregohen gjithë lëvizjet dhe presionin që strukturat e qeverisë Berisha, edhe me firmën e vetë kryeministrit, bënë për ta dorëzuar më në fund atë truall tek Jamaber Malltezi dhe trashgimtarët e tjerë, duke ndëshkuar një gjeneral të Ushtrisë i cili me kurajo guxoi të denoncojë parregullsitë.

Investigimi II/ Privatizimi i 'Kompleksit Partizani', si Berisha nisi eliminimin e zyrtarëve që nuk firmosën në favor të Jamarbër Malltezit dhe ndëshkimi i gjeneralit të ndershëm që i rezistoi presionit

Parulla që Partia Demokratike përdori gjatë fushatës zgjedhore 2005 ishte "Koha për ndryshim". Por, sapo ata fituan zgjedhjet dhe u kthyen në pushtet, tetë vjet pas skandalit të përgjakshëm të piramidave financiare, qeveria e Sali Berishës nuk vuri ndër përparësitë e saj ndryshimet për vendin, që kishte premtuar, por privatizimin e Kompleksit Sportiv "Partizani '' i destinuar për familjen e tij. Për herë të parë, e gjithë dosja për privatizimin e '' Kompleksit sportiv Partizani '' ka dalë nga arkivat e ministrive me kërkesë të gazetarëve investigativë të Report TV, të cilët e studiuan atë për muaj me radhë. Falë punës kërkimore nëpër arkiva të ndryshme kemi gjetur edhe dokumentat e pabotuara përpara që hedhin dyshimet edhe mbi origjinën e vërtetë të pronës.

Në pjesën e dytë të investigimit do të tregojmë gjithë lëvizjet dhe presionin që strukturat e qeverisë Berisha edhe me firmën e vetë kryeministrit bënë për t'i dorëzuar më në fund atë truall tek Jamaber Malltezi dhe trashëgimtarët e tjerë, duke ndëshkuar një gjeneral të Ushtrisë i cili me kurajo guxoi të denoncojë parregullsitë, pas një inspektimi skandaloz që njerëz të Berishës ja ngarkuan personalisht njërit nga ish-pronaret përfitues të pronës.

Në nëntori 2005, vetëm dy muaj pas marrjes së detyrës, Ministri i Ekonomisë Genc Ruli dhe ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu filluan procedurat e privatizimit të qendrës më të madhe sportive në zemër të kryeqytetit, me përmasa 26.000 metra katrorë, qe në fund u pagua vetëm 14.000 euro. Në atë tokë sot janë ndërtuar dhe po ndërtohen ende dhjetëra kulla të kompleksit Magnet 1 dhe Magnet 2 që vlejnë 4.000 herë më shumë, nga të cilat Jamarber Malltezi, dhëndri i ''doktorit", është bashkëpronar me mbi 40% të aksioneve. Një çështje e errët që prodhoi fitime prej dhjetëra miliona eurosh.

Ajo që del është një histori me një mijë pika të errëta, në të cilat shfaqen jo vetëm dyshime për korrupsion dhe abuzim, por që mbi të gjitha, tregojnë sjelljen e një sistemi të tërë shtetëror që, me përjashtime të rralla, pranoi të gjunjëzohej para Sali Berishës duke shkelur çdo normë etike dhe çdo procedurë vetëm që t'i shërbente shefit të tyre. Një mënyrë për të konceptuar pushtetin në shërbim të familjes dhe në konflikt të hapur interesi që klani i Berishës është gati ta ripërsërisë.  

Investigimi 1/ Një muaj pas marrjes së qeverisë Berisha filloi privatizimi duke shkelur ligjin

Privatizimi i Kompleksit sportiv Partizani nuk ka qene një operacion i shpejtë dhe i lehtë siç kishte planifikuar familja Berisha. Për ta realizuar atë, kryeministri u mor në të gjithë mandatin e tij të qeverisë së parë që filloi në shtatori 2005. Katër vjet, gjatë të cilave, ai përdori të gjitha levat e pushtetit të tij të pakufishëm, duke i vënë në dispozicion të dhëndrit të tij Jamarber Malltezi, i cili do të ishte një nga përfituesit kryesorë të privatizimit gjigant, 3 ministra të mbrojtjes (Fatmir Mediu, Gazmend Oketa dhe Arben Imami), e gjithë ministria e ekonomisë e udhëhequr nga Genc Ruli, Ministri I Financave Ridvan Bode, drejtoria e përgjithshme e hipotekës, drejtorët lokalë dhe të përgjithshëm të Agjencisë së kthimit dhe kompensimit të pronave, i gjithë këshilli i ministrave për të votuar të paktën tre VKM dhe nje akt normativ, disa gjeneralë dhe oficerë të lartë të forcave të armatosura dhe dhjetëra zyrtarë publikë, militantë partie, të cilëve Berisha u kishte deleguar postet kryesore të administratës së tij. Për të përfunduar procedurat, Sali Berisha jo vetëm që u përfshi personalisht duke nënshkruar disa dokumente, por gjithashtu përfshiu në një inspektim skandaloz zyrën anti-korrupsion të kryeministrisë të drejtuar në atë kohë nga Oerd Bylykbashi, i cili sot shfaqet përkrah Lulzim Bashës si figura më e re dhe më pastër e partisë së tij.  Vetë Lulzim Basha dha kontributin e tij bujar në procedurë, dhe sapo u bë kryetar i Bashkisë së Tiranës, dy vjet pas përfundimit të privatizimit të tokës prej 26,000 metrash katrorë të kompleksit Partizani, vuri vulën përfundimtare mbi affaire-n duke dhënë leje për të ndërtuar mbi ato toka nje seri kullasj prej 120.000 katrore, 35% e të cilave janë në pronësi të familjes Berisha.

I vetmi zyrtar i Shteti i guximshëm që është përpjekur të kundërshtojë këtë makinë lufte të bërë nga arroganca dhe abuzimi është ky njeri: emri i tij është Vladimir Qirjazi, gjeneral brigade i forcave të armatosura shqiptare, me një curricul ushtarak në nivelin ndërkombëtar, i cili, në atë kohë patën "fatin e keq" ta gjejnë në rolin e komandantit të Komandës Mbështetëse që administron shumicën e pronave ushtarake dhe të cilat, Ministri i Mbrojtjes kishte urdhëruar të nënshkruajnë kontratën e privatizimit të kompleksit Partizani me ish-pronarët. Një gjeneral i ndershëm dhe skrupuloz i cili, megjithë presionet dhe kërcënimet e marra, nuk pranoi kurrë të vinte nënshkrimin e tij në procedurat e gjykuara të paligjshme, dhe për këtë arsye, në fund, Sali Berisha e largoi, duke e zëvendësua me një oficer tjetër të gatshëm për t'u bindur urdhrave dhe për të nënshkruar menjëherë dhe pa asnjë kundërshtim kontratën e privatizimit në favor të dhëndrit të tij. Një gjest që do ta ndihmojë atë të arrijë një karrierë të shkëlqyer dhe që do ta bëjë atë të marrë edhe një vend në parlament si deputet i Partisë Demokratike.

E mësuar me lakimin e procedurave dhe ligjeve sipas interesave të saj, në tetor 2005 qeveria Berisha e sapo emeruar,  nxitoi të fillojë procedurën e privatizimit të Kompleksit Partizani, por veprimi i parë ka qenë në  kundërshtim me ligjin. Siç thuhet në këtë dokument, që nga 31 tetori 2005 me shkresën nr 280/1 ministri i ekonomisë Genc Ruli propozon privatizimin e Kompleksit Partizani dhe Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu me shkresën nr 9549, datë 14.11. 2005, pranon propozimin edhe nëse Kompleksi Partizani në atë moment ishte akoma pjesë e të ashtuquajturit ''plani i përhapjes''.

Plani i përhapjes është lista e pasurive dhe pronave ushtarake që Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura, me miratimin e presidentit të republikës, ende konsiderojnë asete strategjike dhe privatizimi i të cilave është i ndaluar absolutisht. Fatmir Mediu, për të kënaqur Sali Berishën bën sikur nuk e di, dhe si ai edhe shume zyrtarë të tjerë të ministrisë së ekonomisë që insistojnë me procedurat për një privatizim që është ende i ndaluar ligjërisht.

Në atë moment presidenti i republikës, i cili ka të drejtën ekskluzive të autorizojë çdo modifikim të "Planit të përhapjes"  për të përjashtuar Kompleksin Partizani, është Alfred Moisiu i cili me sa duket nuk bie dakord të nënshkruajë. Eshtë pikërisht për shkak të këtij bllokimi që procedura fillon të ngadalësohet dhe familja Berisha detyrohet të presë për gati dy vjet deri në ardhjen e presidentit të ri të Republikës, Baimir Topi, i cili me shkresë nr 638/2 dhe nr 638 / 4 më 29.08.2007 heq Kompleksin Partizani nga "Plani i përhapjes" duke rihapur kështu rrugën për privatizim.

Investigimi2/ Gjeneral Qirjazi vihet kundër Berishës dhe presionet ndaj tij për të firmosur në kundërshtim me ligjin

Baimir Topi u zgjodh Kryetar i Shtetit në 24 Korrik 2007 me votat e Partisë Demokratike dhe në 29 Gusht, vetëm një muaj pas marrjes së detyrës, ai nënshkroi "Planin e përhapjes" të ri për vitet 2007-2010 nga i cili Kompleksi sportiv Partizani u hoq. Është  akoma larg koha kur Berisha do ta konsideronte Topin si pucist, dhe, edhe presidenti, pasi ministri Mediu sapo kishte marrë detyrën, nuk duket se ka përparësi të tjera në atë moment. Edhe kryetari më të lartë të Shtetit po lehtëson kështu planin miliarder të familjes Berisha.

Pengesa e parë procedurale më në fund është zgjidhur, dhe procesi i privatizimit mund të rifillojë me shpejtësinë maksimale për të kompensuar kohën e humbur. Në fakt, më 19 shtator 2007 (dmth vetëm 21 ditë pas nënshkrimit të Bamir Topit), Ministri i Ekonomisë Genc Ruli me shkrese 50/1 miratoi kërkesën e privatizimit dërguar nga Fatmir Mediu dy vjet më parë. Sidoqoftë, Fatmir Mediu nuk do ta përfundojë procesin sepse disa muaj më vonë ai do të zhytet në skandalin e Gërdecit, edhe një herë për t'i shërbyer familjes Berisha dhe me 26 vdekjet mbi supe, këtë herë do të detyrohet të japë dorëheqjen. Gazmend Oketa arrin në vendin e tij, por gjen një mal tjetër përballë tij të vështirë për t.u ngjitur: Gjeneralin Vladimir Qirjazi.

Dosja që Report Tv ishte në gjendje të lexonte, prej dhjetëra faqe, përbëhej nga shkëmbimet e letrave që zgjatën shumë muaj midis Ministrit Genc Ruli, Ministrit Gazmend Oketa, Shtabit të përgjitshëm dhe forcave të armatosura dhe gjeneralit Vladimir Qjriazi që i ka të gjitha insititucionet politike kundër. Që nga viti 2006, Komanda Mbeshtetëse kishte marrë urdhrin për të marrë përsipër administrimin dhe regjistrimin pranë hipotekës të tokës dhe ndërtesat që përbëjnë Kompleksin Partizani, një urdhër që nuk u zbatua kurrë për shkak të mungesës së dokumentacionit të nevojshëm, duke filluar nga problemet e mbivendosjes me pronat.

I emëruar komandant i Komandës Mbështetëse në Gusht 2008, Gjeneral Qirjazi mori në Mars 2009 urdhrin për t'u përgatitur nënshkrimi i kontratës dhe për t'i dorëzuar komplesin Partizani  Jamarber Malltezit dhe trashëgimtarëve të tjerë si akti i fundit i procesit të privatizimit. Qirjazi fillimisht u tregua i gatshëm të respektojë urdhërin, por komisioni që ai ka ngritur për këtë qëllim e informon atë se nuk është e mundur të procedohet. Qirjazi konsultohet me dokumentat dhe me njerëzit e tij dhe zbulon një sërë parregullsish, duke filluar me faktin se ai nuk mund të dorëzojë një pronë që nuk është përfshirë kurrë në inventarin dhe kontabilitetin e Komandës së tij.

Qirjazi beson se i takon Ministrisë së Mbrojtjes, që administronte struktura ushtarake, që të nënshkruajë kontratën dhe jo atij, dhe gjithashtu kujton se Komanda Mbeshtetëse gjithmonë është mbajtur jashtë të gjitha procedurave të privatizimit të ndjekura deri në atë moment, dhe hipoteka refuzoi të regjistrojë pronat sepse ka probleme mbivendosje. Për më tepër, asnjë pronar nuk është në gjendje të tregojë ndonjë certifikatë pronësie mbi tokën.

Ministria e Mbrojties, nga ana tjetër, këmbëngul se i takon pikërisht Qirjazit të nënshkruajë. Dhe këtu fillon ping-pongu i pafund i shkresave zyrtare në të cilat ne  kuptojmë se askush nuk ka ndërmend të nënshkruajë kontatën sepse, padyshim, që të gjithë e dinë, dhe jo vetëm gjeneral Qirjzi, që ajo dosje fsheh diçka të paqartë.

Investigimi 3/Si ministri Gazmend Oketa kërcënoi Gjeneral Qirjazin për të firmosur privatizimin e ish kompleksit Partizani

I lodhur nga oponenca e gjeneralit dhe i trysnuar nga insistimi dhe presionet e forta të Berishës, ministri Gazmend Oketa thërret Vladimir Qirjazin në zyrën e tij në 1 Prill 2009 për një përballje përfundimtare. Ne mund ta dimë përmbajtjen e këtij takimi konfidencial sepse Qirjazi i dërgon një raport me shkrim eprorit të tij të drejtpërdrejtë, Gjeneral Brigade Maksim Malaj, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të cilit ai përshkruan se çfarë ka ndodhur. Takimi me ministrin fillon në prani të sekretarit të përgjithshëm të ministrisë së mbrojtjes, Fiqiri Kupe, shefit të kabinetit Bensik Dervishi dhe tre zyrtarëve të tjerë të ministrisë, por siç raporton vetë Qirjazi, debati nxehet dhe në fund ministri i nxjerr të gjithë jashtë dhe qëndrojnë sy me sy me Qirjazin. Dhe këtu janë ato që ata i thanë njëri-tjetrit sipas asaj që gjenerali i referohet komandantit të tij:

''Ministri me kërkoi që unë duhej të firmosja pasi kjo gjë i kërkohej edhe atij. Unë i thashë se nuk mund të firmosja pa plotësuar praktikën përkatëse dhe se nuk e di pse duhet ta bëjmë me urgjencë. Më tha se kjo punë mund të shkojë deri në masë, dhe unë ju përgjigja se mund të bëni si të doni, por kjo nuk është aspak e drejtë. E mbyllëm bisedën duke i thënë se si do ndjeheshit ju zoti ministër nëse nesër për shkak të problemeve ligjore të praktikës, përsëri një gjeneral i ushtrisë të jetë dëshmitar në gjyq për problemet që mund të kenë privatët që pretendojnë blerjen e kësaj prone. Ja përsërita se kjo nuk ka aspak sens zoti ministër, ndaj dhe dua që edhe ju të rishikoni urdhrin tuaj''. 

Kur Qirjazi përmend se ''gjenerali i ushtrisë që mund të jetë përsëri dëshmitar në gjyq'' i referohet me sa duket skandalit të Gerdecit të ndodhur pak muaj përpara, kur kupola e ushtrisë dhe të Ministrisë së Mbrojtjes u përfshi në hetime për një seri abuzimesh që kanë përfshirë prape edhe njerëz afër familjes Berisha dhe djalin e tij Shklezenin.

Pavarësisht kërcënimit të hapur të marrë nga Ministri Gazmend Oketa, Gjenerali Qirjazi,  nuk dorëzohet. Karriera e tij ushtarake që filloi në 1981 e bën atë një nga oficerët me kurrikula profesionale  më prestigjioze brenda forcave të armatosura shqiptare, me misione të gjata jashtë vendit, oficeri i parë shqiptar i emëruar si vëzhgues i OKB në Gjeorgji, me kurse trajnimi në Shtetet e Bashkuara dhe emëruar në vende të rëndësishme komanduese. Një histori profesionale që së bashku me ndjenjën e tij personale per ligjshmërinë e pengojnë atë të komprometojë veten duke nënshkruar një kontratë që ai e konsideron të paligjshme.

I acaruar nga vonesat, dhe mbi të gjitha i shqetësuar nga zgjedhjet e reja politike të qershorit 2009, të cilat po afrohen së bashku me rrezikun që në rast të disfatës edhe privatizimi miliarder për dhëndrin dhe vajzën e tij t’i shpëtojë nga duart, Sali Berisha ndërhyn personalisht duke i dhënë jetë së bashku me bashkëpunëtorët më të ngushtë një seri abuzimeve të tjera, në konflikt të hapur interesi, që tregojnë panikun dhe zemërimin që kanë filluar ta pushtojnë kreun e qeverisë.

Investigimi 4/Qëndresa e Gjeneral Qirjazit ndaj aferave të qeverisë Berisha

Më 3 Prill 2009, dy ditë pas takimit të dështuar midis Ministrit Oketa dhe Gjeneralit Qirjazi, Gjergji Lezha, sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, i shkroi Ministrisë së Mbrojtjes duke u ankuar zyrtarisht për vonesën në dorëzimin e Kompleksit Partizani tek trashëgimtarët e ish-pronarët dhe vendos një ultimatum prej 10 ditësh për të mbaruar procedurat e dorëzimit. Me një cinizëm të  pa shembullt Gjergji Lezha në letrën e tij shkruan se '''pranë departamentit të kontrollit të brendshëm administrativ dhe antikorrupsionit në Keshillin e ministrave eshte kryer denoncimi nga familjet Alimehmeti, Vaqarri, Saljaga, Begeja dhe Llagami aktualisht pronarë të ligjishëm të truallit të klubit të Futbollit Partizani''. Në praktikë, sekretari i përgjithshëm i qeverisë së Sali Berishës pranon se ai veproi me kërkesë (ose me mirë, me urdhër) të Jamarbër Malltezit, dhëndrit të Sali Berishës, i cili përfaqëson me prokurë zyrtare shumicën e atyre familjeve në garë për privatizim. Por kjo nuk mjafton.

Gjenerali Qirjazi prapë nuk dorëzohet as përballë kërcënimit të hapur të një inspektimi, dhe komunikon zyrtarisht që nuk mund ta nenshkruajë kontratën sepse nuk plotësohen kushtet ligjore.

Në fund të dhjetë ditëve të shënuara në ultimatum, Sali Berisha ndërhyn personalisht me gjithë peshën e tij institucionale dhe nënshkruan këtë urdhër kontrolli anti-korrupsion që do të zbatohet në Ministrinë e Mbrojtjes për të zbuluar pse procedura e privatizimit të ‘’objektit numeri 11’’ (pra ish kompleksi Partizani) nuk është ende e përfunduar në favor të dhëndrit të tij.

Çështja familjare tregon kështu konfliktin e madh të interesit që përfaqëson. Tani kabineti i Berishës është në panik, ''Doktori'' është totalisht jashtë kontrollit dhe shërbëtorët e tij vepronin përtej çdo limiti e turpi. Drejtori i Departamentit Antikorrupsion të Këshillit të Ministrave, Oerd Bylykbashi, vendos menjëherë ekipin e dy inspektorë për të çuar tek gjeneral Qirjazi, pranë Komandës Mbështetëse.

Investigimi 5/ Inspektimi anti-korrupsion i nisur nga Bylykbashi, çështja iu delegua për 'hetim' një pronari përfitues qe i premtoi Jamarbër Malltezit 5 % të tokës së tij

Gjenerali ende sot nuk e di çfarë skandali tjetër fshihej pas atij inspektimi. Në fakt, një nga dy inspektorët e emëruar nga Oerd Bylykbashi është pikërisht një nga ish-pronarët. Pra, inspektimi qeveritar mbi procedurën e privatizimit, realizohet nga një zyrtar që do të përfitonte nga privatizimi. Siç mund të shihet nga ky dokument i nënshkruar nga Bylykbashi, një nga dy inspektorët quhet Ilir Kadiu. Ilir Kadiu atëherë 32 vjeçar me origjinë nga Durrësi, është njëkohësisht një nga 27 trashëgimtarët e familjes Begeja që bashkë me Jamarber Malltezin duhet të përfitojë nga privatizimi i kompleksit sportiv.  

Ilir Kadiu u emërua inspektor pranë kryeministrisë në datën 10.1.2008, pikërisht në kulmin e procedurave të privatizimit, dhe ka qëndruar në detyrë deri në ndryshimin e qeverisë, në vitin 2013. Qe është i njëjti person, duket se nuk ka dyshim duke krahasuar këto dy nënshkrime: në dokumentin A kemi nënshkrimin që Ilir Kadiu vendos në raportin e tij të datës 24 Prill 2009 pas inspektimit të kryer në Komandën e Mbështetëse dhe me të cilin, si inspektor i antikorrupsionit të Këshillit të Ministrave, arrin ne konkluzione që ‘’moskryerja e veprimeve të mësipërme në tejkalimin e afateve të parashikuara në aktet ligjore dhe nënligjore përkatëse, ngarkon me përgjegjësi drejtuesin e komandës mbështetëse, z. Vladimir Qirjazi’’.

Dokumenti A është nënshkrimi i prokurës së posaçme me të cilin Ilir Kadiu si ish-pronar dhe përfitues i pronës te ish-kompleksi Partizani, delegon Jamarber Malltezin për ta përfaqësuar atë, duke i premtuar 5% të truallit të tij në rast të privatizimit. Pra Ilir Kadiu nuk vepronte vetëm për vete, por edhe për të garantuar një pjesë të pronës që duhet t'ja dhuronte pastaj Jamarber Malltezit si ''shpërblim''.

Report Tv kërkoi një ekspertizë kriminalistike mbi dy nënshkrimet, pa dhënë asnjë detaj mbi temën e investigimit, dhe konkluzioni i ekspertit që ka studiuar dy dokumentat, nuk  lë hapësirë për asnjë dyshim: Ai konfirmon që ‘’Nënshkrimet në emër të shtetasit Ilir Kadiu, objekte të ekzaminimit të emërtuara nënshkrimet e grupimit A dhe nënshkrimet e grupimit B, janë të shkruara nga i njëjti person’’.

Edhe një herë në një konflikt interesi pa etikë dhe të paparë, strukturat e Shtetit janë vendosur nga Sali Berisha dhe njerëzit e tij më të besuar në shërbim të familjes së tij dhe kundër shërbëtorëve më besnikë të shtetit.

Në maj 2009, sapo ka marrë në dorë konkluzionet ''e pavarura'' të arritura nga Inspektori Ilir Kadiu, drejtori i departamenteve të kontrollit antikorrupsion në Keshillin e Ministrave, Oerd Bylykbashi, dërgon një shkresë zyrtare te Ministria e Mbrojtjes me të cilat akuzon gjeneral Vladimi Qirajzin për një seri shkeljesh, e kërcënon për një pagesë të mundshme të dëmeve të shkaktuara buxheti i Shtetit, urdhëron Ministrinë për të nënshkruar kontratën për shitjen e Kompleksit Partizani "brenda 5 ditësh" në favor të Jamarber Malltezit dhe trashëgimtarëve të tjerë dhe gjithashtu urdhëron masa të menjëhershme disiplinore ndaj Gjeneralit Vladimir Qirjazi.

Por Zgjedhjet e qershorit 2009 janë pranë dhe Berisha nuk mund të rrezikojë një skandal politik në prag të votimit duke dëbuar gjeneralin e ndershëm.

Procedura u shty keshtu vetëm disa javë. Zgjiedhje e 29 qershor 2009 u fitan prapë nga Partia Demokratike falë votave të mbledhura edhe nga Ilir Meta, dhe sapo u formua qeveria Berisha-2 kthehet menjëherë tek privatizimin kaq i rëndësishëm për familjen e kryeministrit. Të mos jesh në gjendje të mbyllësh procedurat para votimit pasi ai u urdhër i kushton Gazmend Oketës rikonfirmimin në qeverinë e re, ndërsa Genc Ruli ndryshon vetëm dikasterin. Në vend të Oketës, Berisha emëron Arben Imamin si Ministër i Mbrojtjes i cili, pa humbur kohë, gjen menjëherë zgjidhjen që e lejon të kënaqë Berishën pa rrezikuar që të vendosë firmën e tij në atë kontratë e nxehtë. Në fakt, më 9 shtator 2009 gjenerali i bezdisshëm Vladimir Qirjazi u transferua sipas sugjerimit te Oerd Bylkbashit dhe në vend të tij Berisha dhe Imami emëruan gjeneralin e Brigadës Xhemal Gjunkshi, i cili u tregua shumë i gatshëm për të mbyllur ceshtjen.

Më 15 tetor 2009, Arben Imami e delegoi atë për të nënshkruar kontratën "si përfaqësues i Ministrisë së Mbrojtjes që administron Kompleksin Partizani" dhe të nesërmen, 16 Tetor 2019, edhe pse nuk ka asnjë kompetencë mbi atë pronë, Gjunkshi nënshkruan aktin me te cilin i dorezon Kompleksin Partizani familjes Berisha dhe trashëgimtarëve të tjerë.

Nje tjeter parregulesi pasi kontrata per shitje do firmoset vetem 5 dite me vone, ne 21 tetor 2009. Pra Gjunkshi ka dorezua nje pronë pa pasur ende nje kontratë shitje në dorë.

Në vetëm 38 ditë, Gjeneral Brigade Xhemal Gjunkshi vendosi të injorojë të gjitha parregullsitë që kishin bllokuar gjeneral Vladimir Qirjazin për 1 vit, madje duke pranuar në kontratë nënshkrimin e 4 pronarëve të cilët nuk mund të tregojnë as një pasaportë dhe për këtë arsye nuk mund t'i identifikonte. Inspektori Ilir Kadiu nuk identifikohet ne kontrate mes listës së pronarëve perfitues as me datën e lindjes.

Gjate një auditimi të brendshëm urdhëruar nga Ministria e Mbrojtjes mbi aktivitetin e Komandës Mbështetëse janë evidentuar një seri parregullsish shumë të rënda mbi procedurat e privatizimit. Në faqen 55 të raportit lexohet se ‘’Nga auditimi i kryer në fushën e administrimit, për regjistrimin e vlerës së pronës nr.11 me emërtimin “Klubi sportiv Partizani” rezulton  se, veprimet e kontabilizimit të kësaj prone janë kryer në mënyrë ekstra kontabël, dhe pa dokument’’. Në raport shtohet se ‘’Kontrata e shitjes është bërë për sipërfaqen totale 26.524 m2, … , por duke krahasuar me proces-verbalin e marrjes dorëzim nga komisioni i ngritur për këtë qellim, referuar matjeve të Institutit të Gjeografisë Ushtarake,  kjo siperfaqe është 31.000 m2, dhe diferencë e pasqyruar në kontratën e shitjes arrin në sasinë prej 4.478 m2, në favor të blerësit’’.

Por auditimi, o miratuar nga Ministria i Mbrojtjes me vendimi nr.12071, datë 23.12.2011, është mbajtur i fshehtë.

Investigimi 6/ Intervista e gjeneral Qirjazit: Si më larguan përgjithmonë nga Forcat e Armatosura

Megjithëse emri i Gjeneralit Xhemal Gjunkshi ishte raportuar edhe në ambasadën Amerikane për një rast të pretenduar korrupsioni në zgjedhjen e ushtarëve të caktuar në misionet jashtë vendit, karriera e tij ushtarake dhe politike nuk ndalet kurrë. Në gusht 2011 u bë Shefi i Shtabi i përgjithshëm dhe në qershor 2017 u zgjodh deputet, natyrshëm në radhët e Partisë Demokratike në listat e hartuara nga Lulzim Basha. Një fat i kundërt me atë të  Gjeneral Vladimir Qirjazit, i cili në Dhjetor 2011 me propozimin e Gjunkshit dhe Ministrit të Mbrojtjes Arben Imami dhe me firma e Bajmiri Topi përjashtohet nga forcat e armatosura, pa askënd në krah, madje as me ndryshimin e qeverisë, që do ta merrte ndonjëherë në mbrojtjen e tij.

"Në dhjetor të 2011 për çudi pa asnjë lloj dijeni që unë kam dalë në reformë e quajnë ata , një relacion i ish shefit të shtabit të përgjithshëm Gjeneral Xhemal Gjunkshi dhe i firmosur nga ish ministri i Mbrojtjes Imami dhe më kanë nxjerrë në rezervë. Kam iku nga FA në një moment që vërtet kisha mundësi të jepja. Jo për përvojën që krijon cilido kuadër, jo për nga vendi, por për përvojën e fituat nga misionet jashtë vendit dhe shkollimet jashtë vendit, misioni me OKB, dy herë misione me NATO-n, i arsimuar një vit në SHBA, i kthyer vërtet me përvojë praktike dhe teorike në një moment të caktuar gjendjesh përballë një urdhri të paarsyeshëm për mua vetëm se... Natyrisht unë ndoqa procedurat e mia dhe mu tha e drejta e këtij lirimi të padrejtë, të drejtë e mora për tu rikthyer në FA dhe të drejtat financiare që më takonin por që nuk më rikthyen dhe në 2019 për shkak se kisha plotësuar sipas tyre dhe nuk doja të vazhdojë në procese gjyqësore më nxorën prerësi në lirim. Më vjen keq për pamundësinë e dhënies së përvojës time të fituar me shumë mund, me shpenzim të shteti shqiptar, që në një moment të caktuar e bën zero", tha gjeneral Qirjazi

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • redi: 22/05/2021 13:41

    Tre dosjet e bujshme te 11 Janarit,Gerdecit dhe privatizimi i klubit sportiv Partizani jane vija e demarkacioni qe ndan drejtesine e mbas vetingut dhe ate plreher drejtesi qe mbizoteroi 30 vjet mbi kurrizin shqiptareve nga kasta politike me e yrryer ne histirine shqiptare dhe jo se nuk ka me dhjetra te tjera dosje

    Përgjigju
  • Igor: 22/05/2021 07:29

    Shteti duhet tjua konfiskon tere pasurine te gjith atyre qe kan mare pjese ne kete bande koruptive dhe te ja ndane popullit qe nuk e kan buken per femijt.

    Përgjigju
    • ashtu: 22/05/2021 14:03

      ti mire e ke po keta jane nje bande aq e mirorganizuar me nje ushtri avoketerish e noteresh... qe kane vrare e zhdukur shuma pa fund. direkt ose indirekt. ndonje veshtiresi per ti gjetur nuk eshte ... shihi si e kane lene namin si topat e bajgave ne lalez e ngado. aq llumaxhi ka qene sali berisha ne keto afera saqe shume nga bashkepuntoret e tij (ndoshta me te drejte e pa te drejte) premtonin te mbaronin pune ne emrin e tij. shume ishin mashtruesa, por kishte dhe nga ata qe dinin c'flisnin. Sepse berisha ka qene tipi i biznesmenit otoman qe mbaronte punet nen rogoz e shlembente favore ne natyre. rastesisht ndoshta te gjithe bashkepuntoret e hajdutete e tij jane ne lalez? Idioti Like Meta qe po i vjen radha, hajdute te denuar per vjedhje si puna e Andi Tomes, ordinere doganash e drejtore drejtorish qe vetem kane zhvatur "ndere" qe perktheheshin ne shuma maramendese lekesh. dhe keta diskutojne obobo cna gjeti "komandantin" .... se ai ka qene dhe parimor e i drejte. nese ka nje qe duhet ti konfiskohen tere pasurite e gjakosura eshte ky hor tropoje, inatci e konfliktndezes. e ky eshte dhe krimi i tij, kjo shqiperi qe e ka renuar e kalbur ne korrupsion (ne cdo qelize se qelbet nga koka peshku), ky i pari ne udheheqje ku ka qene, pse eshte kaq e veshtire per te kuptiar. Amerikaneve bravo u qofte qe i rane me te prere e thane ngordh aty qen se ne fund te fundit ne doren e tyre eshte kjo gje e ska gjykate qe u thote ke do lene ne vendin etyre e ke jo! Do te riparoje dinjiotetin ku llum i shoqerise shqiptare ne nje gjykate franceze? po para shqiptareve cfare gjykate do i laje emrin ketij m***?

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?