Politikë

'Non-Paper'-i slloven për ndryshimin e kufijve në Ballkan, Rama-medias austriake: Turp! Kurrë s'e kam thënë apo mbështetur një gjë të tillë! Fake News

3 Maj 2021, 12:09| Përditesimi: 3 Maj 2021, 17:52

  • Share

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka mohuar kategorikisht lajmin se është në dijeni apo të ketë mbështetur një plan për ndryshim kufijsh në Ballkan.  Kjo përgjigje vjen pas një shkrimi nga gazeta austriake “Der Standard” e cila pretendon se citon kryeministrin shqiptar Edi Rama të ketë deklaruar se e ka parë atë dokument dhe hartën me ndryshimet e propozuara të kufijve.

Shkrimi vijon më tej duke thënë se kreu i qeverisë së bashku me Vuçiç, miratuan vizatimin e kufijve përgjatë vijave etnike midis Kosovës dhe Serbisë 3 vjet më parë, por Rama e ka cilësuar si të turpshëm këtë artikull, duke theksuar se as nuk e ka parë kurrë këtë hartë dhe as nuk ka mbështetur një ndryshim kufijsh.

"@derStandardat  @Eebstandardat, çfarë zhgënjimi për të parë një gazetë me kaq reputacion të lartë të sillet si një përhapës i lajmeve të rreme! Unë kurrë nuk kam thënë ndonjë gjë në lidhje me "non paper" dhe kurrë nuk kam mbështetur ndonjë vizatim kufiri përgjatë vijave etnike midis Serbisë & Kosovës!  Turp", shkruan Rama. 

Çfarë shkruante media austriake për kryeministrin Edi Rama?
Në shkrimin ku fliste për ndryshimin e kufijve në Ballkan, media austriake thotë se kryeministri Edi Rama ka konfirmuar ekzistencën e një dokumenti të tillë. “Nëse ndiqni argumentet e zyrës së Jançës, dokumenti nuk ekziston fare, por në të njëjtën kohë në zyrën qeveritare në Lubjanë pretendohet se vinte nga opozita e majtë në Slloveni. Kështu që mbetet e paqartë se si një letër që as nuk ekziston mund të vijë nga opozita. Çështja mbetet e paqartë. Të tjerët tashmë kanë konfirmuar ekzistencën e ‘non-paper’. Kryeministri shqiptar Edi Rama i tha medias shqiptare se ai kishte parë dokumentin dhe hartën me ndryshimet e propozuara të kufirit. Vetë Rama, së bashku me Vuçiç, miratuan vizatimin e kufijve përgjatë vijave etnike midis Kosovës dhe Serbisë tre vjet më parë”, shkruhej në artikull.

Shkrimi në median austriake “Der Standard”

Çfarë parashikonte plani?
Mediat sllovene publikuan një dokument “non-paper”, që u tha se kryeministri slloven, Janez Jansha, i ka dërguar Këshillit Evropian. Në këtë dokument flitej lidhur me propozimin e supozuar të Janshës për ricaktimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor, si një mënyrë për të zgjidhur problemin kronik ndërmjet gjashtë vendeve në rajon. Sipas përmbajtjes që u publikua në media, bëhet fjalë për ricaktimin e kufirit të Kosovës dhe Serbisë, si dhe parashikohet mundësia e shkëputjes së entitetit të Republikës Serbe nga Bosnje e Hercegovina, bashkimi i pjesëve me shumicë shqiptare të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë, si dhe bashkimi i një pjese të Bosnje e Hercegovinës, pra, Hercegovinës perëndimore me Kroacinë.

Harta e paraqitur me ndryshimet territoriale

Çfarë është “non-paper”?
Ky term përdoren në gjuhën e institucioneve evropiane, “non-paper" është dokument joformal, zakonisht pa theksim të qartë, i cili ekspozohet në negociata të mbyllura brenda institucioneve të BE-së, veçanërisht në Këshillin e Ministrave, në mënyrë që të kërkohet marrëveshja për ndonjë çështje të kontestuar procedurale ose politike. “Non-paper” është formë e zakonshme komunikimi e një ose më shumë anëtareve të BE-së rreth një çështjeje të caktuar.

Postimi i kryeministrit Edi Rama në anglisht

Ora 16:55
Pas Ramës, edhe ministri i Jashtëm gjerman Maas: 'Non-Paper'-in slloven për ndryshimin e kufijve në Ballkan fake news dhe pa vlerë, s’ja vlen të merremi

Pas reagimit të kryeministrit Edi Rama duke e cilësuar të turpshëm dhe lajm të rremë një shkrim në median austriake “Der Standard” se kishte plan apo dijeni për ndryshim kufijsh në Ballkan në lidhje me ‘non-paper’ slloven, në të njëjtën linjë ka qenë edhe shefi i diplomacisë së jashtme në Gjermani.

Heiko Maas tha se këto fenomene ‘non-paper’ ku nuk ka dokumente zyrtare që qarkullojnë në media janë fake news dhe se nuk duhet t’u kushtohet vëmendje. Maas tha se nuk kanë gjë tjetër veçse fjalë bosh dhe askush nuk duhet të merret seriozisht me to.

Ministri i Jashtëm gjerman, Maas tha se Gjermania kundërshton çdo ide apo propozim për ndryshim të kufijve në rajon dhe se kur nuk ka asnjë dokument zyrtar mbi zërat që qarkullojnë në mediat nuk ia vlen të merresh.

“Ky është një dokument non-paper, jo një dokument zyrtar. Ne nuk kemi nevojë të merremi më tej me të. Nuk ka pjesëmarrje të Gjermanisë, në ndonjë non-paper, nëse ka zëra për këtë, ato janë lajme të rreme. Për politikën e jashtme gjermane, baza e politikës sonë për Ballkanin Perëndimor ka qenë gjithmonë që ne të mos ndërhyjmë në kufij”, tha Maas, pas një takimi që ka pasur me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani

Shefi i diplomacisë gjermane ka thënë se çdo ndryshim i kufijve, kudo, do të ketë një ndikim në të gjithë rajonin dhe do të ketë pasoja negative për të gjithë rajonin.

“Këtë në të kaluarën e kemi refuzuar, edhe tani e hedhim poshtë, edhe në të ardhmen do ta refuzojmë plotësisht”, ka deklaruar Maas.

Më herët edhe kryeministri Edi Rama ka mohuar kategorikisht lajmin se është në dijeni apo të ketë mbështetur një plan për ndryshim kufijsh në Ballkan, një përgjigje që erdhi pas një shkrimi nga gazeta austriake “Der Standard” e cila pretendon se citon kryeministrin shqiptar Edi Rama të ketë deklaruar se e ka parë atë dokument dhe hartën me ndryshimet e propozuara të kufijve. Rama e cilësoi  të turpshëm këtë artikull dhe fake news, duke theksuar se as nuk e ka parë kurrë këtë hartë dhe as nuk ka mbështetur asnjë ndryshim kufijsh.

B.K.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iliri: 04/05/2021 06:43

    E kuptoni ç'te ben Europa.Shikoni çfare ndarje duan te bejne.Rrumpalle dhe lufte.Me sa duket e paskan nda menien per konfigurim tjeter,dhe eksperimenti fillon ne Ballkan andej nga Bosnja.Historia dihet pastaj,film i pare.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?