Paraja jashtë sektorit bankar ngelet në nivelet më të larta historike, por rritja e saj vjetore po bie gradualisht.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit gusht paraja bankave arriti vlerën e 362.6 miliardë lekëve, me një rritje të lehtë prej rreth 500 milionë lekësh krahasuar me muajin gusht. Me bazë vjetore, rritja e parasë jashtë bankave për gushtin ishte 10.5%. Norma e rritjes vjetore të parasë jashtë bankave është në rënie për të shtatin muaj radhazi.
Ky tregues nisi një rritje të lartë menjëherë pas shpërthimit të pandemisë, në prill të vitit të kaluar. Rritja e parasë jashtë bankave arriti nivelet maksimale në fillim të këtij viti, me një ndryshim vjetor pozitiv në masën 19.6%. Sidomos pas muajit mars, kurba e rritjes nisi të binte gradualisht, edhe për shkak të shuarjes së efektit të bazës krahasuese me periudhën para pandemisë.
Rritja e parasë jashtë bankave erdhi pjesërisht nga pasiguria që pandemia krijoi tek agjentët ekonomikë, por edhe nga zgjerimi i shpejtë i ofertës monetare nga Banka e Shqipërisë. Për të shmangur çdo shqetësim të lidhur me mungesën e likuiditetit, Banka e Shqipërisë iu dha bankave tregtare akses pa limit në financime afatshkurtra.
Kjo ndikoi edhe në rritje e të gjithë agregatëve monetarë në monedhën vendase. Rritja vjetore e agregatit M2, që përfaqëson ofertën monetare në lekë, ka një kurbë të ngjashme. Kjo rritje preku nivelet më të larta në fund të vitit 2020 dhe fillimin e vitit 2021. Trajektorja e rritjes së parasë jashtë bankave është e ngjashme me rritjen e agregatit M2, çka tregon që shtimi i parasë jashtë sektorit bankar ka ndjekur rritjen e ofertës së lekut në përgjithësi.
Megjithatë, raporti mes parasë jashtë bankave dhe agregatit M2 ngelet në nivelet më të larta historike. Në muajin gusht, ky raport arriti në 40.7%, në rritje të lehtë nga niveli 40.5% i muajit të kaluar. Raporti i parasë jashtë bankave me agregatin M2 është disi më i lartë edhe me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur regjistronte nivelin 40.1%. Kjo mund të shpjegohet me sezonin më intensiv turistik, që e theksoi efektin sezonal të daljes së parasë jashtë bankave.
Më në përgjithësi, nivelet e larta të parasë jashtë bankave kundrejt monedhës totale të hedhur në qarkullim lidhen edhe me normat shumë të ulëta të interesit. Ky faktor ka bërë që rritja e parasë jashtë bankave të jetë më e lartë se rritja depozitave bankare në monedhën vendase. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit gusht totali i depozitave në lekë arriti në 675 miliardë lekë, në rritje me 8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./ Monitor