Normat e larta të interesit vënë në rrezik uljen e borxhit në 2024! Rritja e normës bazë të interesit shtrenjton kreditë

4 Nëntor 2023, 16:24| Përditesimi: 4 Nëntor 2023, 18:07

  • Share

Borxhi publik në vitin 2024 do të ulet me 1.7%, nga 61.5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ministria e Financave thotë se do të zbresë në 59.8%.

Në total vlera e borxhin për vitin që po vjen është përllogaritur 14.3 miliardë euro, vlerë kjo që mund të ndryshojë pasi nuk janë marrë në konsideratë luhatjet në kursin e këmbimit si dhe rritja e normave të interesit, që po aplikohet nga bankat për të mbajtur në kontroll inflacionin.

Në relacionin e projektbuxhetit thuhet se rritja e normave të interesit përbën rrezik për uljen e borxhit pasi do të sillte rritje të shpenzimeve për të shlyer detyrimet.

“Rritja afatgjatë e normave të interesit të tregut referencë do të përbënte një ndikim të rëndësishëm për financat publike duke rritur më tej zërin e shpenzimeve për interesa, dhe rrjedhimisht do të gjeneronte një rritje të borxhit”, thuhet në relacion.

Në buxhetin e vitit 2024 fondet e planifikuara për rreziqet e borxhit janë 5.3 miliardë lekë që mund të përdoret për të kompensuar rreziqe nga luhatjet në kurset e këmbimit ose normat e interesit.

Rreziku i normave të interesit është i lartë, për shkak se edhe banka e Shqipërisë po e rrit normën bazë për të mbajtur nën kontroll inflacionin e lartë. Kjo lëvizje e Bankës qendrore shtrenjton lekun, si dhe rrit kostot e kthimit të kredive.

Ndërkohë për vitin që vjen nuk është parashikuar as dalje në tregjet e huaja për të emetuar eurobond, por sipas Ministrisë së Financave nevojat që mund të lindin do të mbulohen nga huamarrja në tregun e brendshëm.

BORXHI PUBLIK NË RAPORT ME PBB

Viti 2023           61.5 %

Viti 2024           59.8 %

Ulja                   -1.7%

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?