Foto ilustruese

Nota franceze dhe mllefi shqiptar me vaksinat

16 Janar 2021, 21:56| Përditesimi: 18 Janar 2021, 16:29

  • Share

Një reagim ishte i pritshëm, pasi “tenxherja me presion” ka kohë që zien e shfryn. Fjala është për mërrëdhëniet e kryeministrit Edi Rama me Bashkimin Evropian. Jo të qeverisë shqiptare, pasi qeveria si trupë institucionesh shumë rrallë shprehet me gojën e saj për këtë çeshtje, por të kreut të saj. Në një notë verbale që normalisht duhej dorëzuar nëpërmjet ministrisë tonë të jashtme, ambasada franceze ka reaguar pas kritikave që Edi Rama ka adresuar ndaj vendeve evropiane dhe Francës, në lidhje me shpërndarjen e vaksinave anti-Covid 19.

Qëllimshëm ambasada e ka nisur notën verbale në fjalë në një dyzinë zyrash e institucionesh në Tiranë, në mënyrë që lajmi të bëjë shpejt xhiron e mediave. Një sjellje jokorrekte, si reagim ndaj një sjelljeje pjesërisht jokorrekte. Parimisht të paktën, pasi në praktikë situata me vaksinat dhe pandeminë ha shumë diskutim. Le t’i marrim gjërat me rradhë.

Sot në Beograd zbriti një avion me 1 milion vaksina kineze. Presidenti serb Vuçiç kishte dalë në aeroport me ambasadoren kineze për të pritur ngarkesën, duke mos harruar të falenderojë homologun e tij kinez Xi Jinping. Kjo është vaksina e tretë që shkel zyrtarisht tokën serbe, pasi më parë ministri i jashtëm rus Lavrov kishte vizituar Beogradin bashkë me një ngarkesë të parë vaksinash Sputnik 5, ndërkohë që fqinji ynë verior ka nisur rreth një muaj më parë edhe vaksinimin me vaksinën amerikane Pfizer. Njërën dorë në bakllava, tjetrën në revani, thotë fjala e urtë.

Ky liberalizëm e lirshmëri në përzgjedhjen e vaksinave anti Covid nga ana e Serbisë, në zemër të Evropës, vjen ndërkohë që BE ka aplikuar një politikë tejet rigoroze dhe autoritare ndaj vendeve anëtare (por edhe satelitëve të varfër si vendet e Ballkanit Perëndimor), që të mos marrin asnjë vaksinë jashtë formatit të përcaktuar nga autoriteti evropian i vaksinave Ema. Kur britanikët miratuan me shpejtësi vaksinat Pfizer e Astrazeneca, kjo u justifikua me daljen e Britanisë nga BE dhe u pa si një dëshmi e elasticitetit që jepte qënia më vete e një shteti evropian, përballë burokracisë së Brukselit.

Në rastin shqiptar, gjendemi përballë një situate që është diametralisht e kundërt, jo vetëm me realitetin aktual evropian, por edhe atë ballkanik, siç shihet me Serbinë fqinje. Shkurt fjala, as na japin vaksina, as na lejojnë të negociojmë me të tretët, diçka të ndryshme nga menuja evropiane, e cila për ne është ende një copë letër pa asgjë brenda.

Reagimi i Ramës i adresohej sjelljes egoiste të vendeve anëtare të BE, të cilat e kanë thyer disa herë solidaritetin dhe kriteret e paracaktuara nga Brukseli për vaksinat, duke kontraktuar direkt me kompanitë prodhuese. Jo vetëm kaq. Ndërkohë që deklarohet dendur se Ballkani Perëndimor do të trajtohet me përparësi në lidhje me emergjencën Covid 19, në horizont duken vetëm fonde të premtuara, por jo vaksina.

Ka momente kur edhe paraja nuk bën punë. Ky është njëri prej tyre. Evropianët ofrojnë miliona euro, por jo vaksina. Dhe tani mungojnë vaksinat, jo paratë për t’i blerë. Fare e thjeshtë.

Megjithatë sherri i ndezur nga nota verbale franceze, nuk ka brenda vetëm merakun se Edi Rama tha diçka të pavërtetë në lidhje me vaksinat franceze. Marrëdhënia mes tij dhe vendeve anëtare po maiset prej muajsh. Më saktë po tendoset gjuha dhe deklaratat e shefit të qeverisë shqiptare ndaj vendeve evropiane, si dhe disa sjellje të tij që nuk shihen me sy të mirë në Bruksel, Paris e gjetkë.

Në dy tetor 2020, fjala vjen, duke folur për shtyrjen në kalenda të liberalizimit të vizave për Kosovën, Rama deklaroi se ky është “…turp për BE! Duket surreale, që Kosova të presë, dhe të jetë vendi i fundit në Evropë që do marrë liberalizimin e vizave”. Ky ishte vetëm njëri ndër deklarimet e ashpra që Rama ka bërë në lidhje me heqjen e vizave ndaj kosovarëve, duke sulmuar faktin që Kosova mbetet ende peng e taktikave elektorale të vendeve të caktuara evropiane.

Ky dhe qëndrime të tjera të ngjashme, tregojnë një dëshirë të pakuptueshme të kreut të qeverisë shqiptare, për të testuar me risk cakun e durimit të evropianëve ndaj një vendi të vogël, në proces afrimi me BE dhe që ka njëmijë e një halle në shtëpinë e vet.

Në anën tjetër, kryeministri shqiptar i hyn prej vitesh një tjetër operacioni delikat diplomatik, duke u afruar me Turqinë e Erdoganit, të cilën Macron e të tjerë si ai, e shohin pak a shumë siç sheh sot Donald Trump Kinën komuniste të presidentit Xi. Miklues dhe frekuentues i përhershëm i sallonit evropian, Edi Rama kërkon të eksperimentojë pa masa sigurie, mbi telin e ekuilibrit të miqësisë me “Sulltanin”, ndërkohë që përpiqet të futet edhe midis tij dhe qeverisë greke.

Duhet thënë se deri më sot Rama ka riskuar pak në këtë balet paradoksal dashurie-urrejtjeje mes Evropën e Bashkuar dhe protagonistët e saj. Ja ka dalë ta mbajë formalisht mirë me të gjithë, me Merkelin dhe (më pak) me Macronin, megjithëse Shqipëria vijon të luftojë për t’u ulur në tryezën e negociatave me BE. Ja ka dalë të shpallë dashuri të pakushtëzuar me SHBA, të ulet sup më sup me Turqinë, të sulmojë vend e pa vend BE-në, pastaj t’i thurë vargje vokacionit të përjetshëm evropian të shqiptarëve dhe të tijin gjithashtu. Në 11 janar ministrja e re e jashtme shqiptare i deklaronte ambasadores amerikane se marrëdhëniet me SHBA janë një “gur themeli” për politikën e jashtme shqiptare. Fjalë që nuk janë aspak muzikë për veshët e një vendi si Franca. E cila është faktikisht motivuesja e vendeve si Holanda dhe Danimarka brenda BE, për të mbajtur qëndrime konservatore ndaj Shqipërisë e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi.

Ky “teatër eksperimental” i Edi Ramës me Evropën e Bashkuar, mori një karton të verdhë nga francezët, të premten në darkë. Ndoshta në momentin më të papërshtëtshëm dhe për shkak të një qëndrimi në të cilin kryeministri shqiptar duket se ka shumë më tepër të drejtë se në rastet e tjera. Por Evropa është në prag të zgjedhjeve. Është koha kur politikanët dhe qeveritë e kontinentit bëhen veçanërisht të paqëndrueshme. Franca më e para bëhet gati për zgjedhje rajonale së afërmi. Dhe pickimet e “të vegjëlve” në kushte të tilla, kur edhe pandemia ka bërë të sajën, nuk janë të mirëpritura.

Çeshtja kryesore për shqiptarët dhe qeverisësit e tyre është që të kuptojnë nëse me Evropën, partnerin kryesor ekonomik dhe fqinjin e madh të dera e shtëpisë, ja vlen një politikë ngacmimesh e aciditeti verbal, apo pritjeje. Rasti serb, me specifikat e tij unikale, tregon gjithsesi se një vend që tregohet fleksibël dhe i hapur ndaj shumë anëve, ndoshta fiton më shumë sesa një vend tjetër i vogël, që nuk mund ta shesë për forcë dhe arrogancë varfërinë dhe pamundësinë e tij për të qenë faktor në klubin e pasanikëve.

B.K.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • asl: 16/01/2021 23:22

    Shume zhurem per asgje,e verteta eshte diku ne mes,le tja leme kohes me mire.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?